Roman dashurie: Triumfi i dashurisë (15)

  • 31 December 2017 - 12:01
Roman dashurie: Triumfi i dashurisë (15)

- Nënë! Nënëëë!

- Sta je, bre?! Sta se desilo, sta je, sta, sta?! (Çka u bë? Çka ka ndodhur, çka, çka?) Kur e zgjonte ndokush në befasi, por edhe kur fliste jerm, Fatimja ndodhte të fliste në gjuhën e vet amtare, boshnjakishte. Por, kohëve të fundit, këtë shprehi e kishte shpeshtuar dukshëm. Kishte rreth 50 vjet, por po ta shihje, ia jepje edhe nja 15 të tjera. Jeta nuk kishte qenë aspak e mëshirshme ndaj saj. Në moshën 4-vjeçare i kishte vdekur e ëma, kurse i ati, sidomos pas vdekjes së gruas, thuajse më shumë ishte i dehur dhe rrinte nëpër kafene, sesa që ishte esëll dhe rrinte te shtëpia. Po të mos ishin disa gra të komshinjve, që e ushqenin dhe e lanin kur bënin rahmet, Fatimja me gjasë do të vdiste nga uria. Fatimja ishte fëmija i vetëm, sepse e ëma e saj kishte vdekur e re, vetëm gjashtë vjet pasi që ishte martuar. I ati i saj, në ato pak momente sa nuk ishte nën ndikimin e alkoolit, e puthte dhe e ledhatonte, duke qarë bashkë me të sa herë që ajo e përmendte të ëmën, tani të ndjerë. Nuk kaloi as një vit i plotë nga vdekja e së ëmës, e Fatimja mbeti edhe pa të atin. Atë e kishin gjetur të pashpirt, thuajse të ngrirë, në një grumbull bore nja njëzet metra larg shtëpisë. Me gjasë kishte qenë i dehur dhe kishte mbetur aty. Më pas, përkujdesjen për të e kishte marrë Meha, një kushëri i largët, i cili u përcaktua si kujdestar i saj për shkak se kishte fëmijët e rritur dhe e kishte një situatë më të mirë ekonomike. Meha nuk ishte njeri i keq dhe, me aq sa kishte mundur, e kishte trajtuar Fatimen sikur ta kishte vajzë të veten. Por, gruaja e tij, ndoshta pse fëmijët e saj, tanimë të rritur, kishin shkuar në fatin e vet, e në shtëpi kishin mbetur vetëm dy pleq, e kishte shndërruar Fatimen thuajse në një shërbëtore pa pagesë. Fatimja gatuante, lante, përkujdesej për pleqtë... thjesht, i bënte të gjitha. Ajo ishte një tip i mbyllur.

Pas mbarimit me zor të shkollës fillore, nuk kishte pranuar që ta vazhdonte shkollimin. Dorën në zemër, as kujdestarët e saj, Meha me të shoqen, nuk kishin insistuar shumë që ta bindnin ndryshe, sikur që ndoshta do të insistonin sikur të ishte në pyetje vajza e tyre. Kështu, me këtë rutinë të jetës së përditshme, pa pasur thuajse asnjë kontakt social me moshatarët e vet, Fatimja kishte shkelë në të tridhjetat. Gruaja e Mehës tanimë kishte vdekur, e Meha planifikonte që të shkonte të jetonte me të birin në Beograd, i cili sapo kishte filluar punën si inxhinier. Ai donte që, para se të shkonte te i biri, ta "rehatonte" Fatimen. Vizita e Milazimit kishte qenë si e porositur. Meha kishte qenë ai që e kishte çelë "muhabetin e magarit" i pari. E, Milazimi, i cili edhe kishte shkuar për atë punë në Sanxhak, nuk kishte pasur asgjë kundër. Pasi që Meha ia kishte përmendë idenë e martesës me Milazimin, Fatimja në fillim nuk kishte thënë asgjë, e kur Meha kishte insistuar ta merrte një përgjigje nga ajo, për çudi, me gjasë duke parë se faktikisht nuk kishte ndonjë mundësi kushedi çfarë tjetër në jetë, ajo kishte pranuar...

- Oj nënë, unë jam, Nurija. Çili sytë!

- Po çka u bo bre?! A ka bo vaki najsen, a? - Jo, bre, mos u nervozo! Ishte Xhezidja... thash të të kallxoj... H.B.I (vijon)

(Kosova Sot)