Roman dashurie: Triumfi i dashurisë (24)

  • 09 January 2018 - 12:46
Roman dashurie: Triumfi i dashurisë (24)

Pasi që porositën kafet, dr. Flamuri iu drejtua Moshes. - Profesor, a paske ardhur më herët, a? - Jo, jo. Erdha në 2 e gjysmë, ashtu si u morëm vesh. Pasi shikoi orën, dr. Flamuri buzëqeshi, duke tundur kokën. - Ke të drejtë. Unë të kam thënë në 2 e gjysmë, por ne në atë orë e mbarojmë punën, kështu që nuk kam llogaritur se do të na duhen, me këtë tollovi në trafik, nja pesë a dhjetë minuta të tjerë për të ardhur këtu, edhe pse këmbë me gjasë më shpejt do të vinim. - Nuk ka problem! - Po ti e di se ne, shqiptarët, nuk jemi aq të përpiktë, o shoku im! Kësaj here edhe Moshe qeshi lehtazi. - Nuk jeni të vetmit, është një gjë që ndodhë! Mendoj se kjo është pasojë e mentalitetit oriental, osman, që ende ka mbetur te ju. Kujtimit iu duk interesant ky konstatim, por paksa i tepruar, kështu që nuk mund të thuhet se i pëlqeu fort. - E dini, ka plot historianë që mendojnë se Perandoria Osmane u shkatërrua mu për shkak të këtij avashllëku, që ishte bërë simbol i saj. Me gjasë, duke parë se Kujtimi nuk reagonte ndaj fjalëve të tij, ashtu si reagonte dr. Flamuri, me të qeshura vend e pa vend, Moshe shtoi: - Neve na duket se ju, si shqiptarë, dhe ne, si hebrenj, jemi shumë larg njëri-tjetrit, sikur jemi shumë të ndryshëm, por mos harroni se edhe të parët e mi, që kanë jetuar në afërsi të qytetit Haifa, kanë jetuar nën Perandorinë Osmane. Pra, në një të kaluar, jo fort të largët historike, ne kemi jetuar në të njëjtin shtet, në të njëjtën perandori. - Shihe ti, ku i shkon mendja. Po, po. Tash kur po mendoj, po shoh se e vërtetë qenka. Kurrë nuk do të më shkonte ndërmend një gjë e tillë. Meqë filloi të ndihej disi i lënë anash bisedës, pas reagimit të dr. Flamurit, vendosi që të kyçej edhe Kujtimi. - Profesor, komplimente! E flisni shqipen shumë mirë! - Faleminderit! - Si ndodhi që ta mësonit këtë gjuhë? - Eh, është një storje e gjatë... Shiko! Gjyshi im nga ana e nënës, pra babai i nënës sime, të cilin e quanin Shlomo Sabatka, jetonte në Çeki, në kufi me Gjermaninë. Kur në Gjermani erdhën në pushtet nazistët, ai ishte zhvendosur me familje në Paris. Por, pas fillimit të Luftës së Dytë Botërore dhe pas pushtimit të Francës nga nazistët, ai iku dhe u vendos në Shqipëri. Nuk jam i sigurt, por më duket se, qysh atëherë, ai kishte ndërmend që të shkonte në Jerusalem. Sido që të jetë, ajo që dihet, është se atë e shpëtuan shqiptarët, shqiptarët e Elbasanit, te të cilët qëndroi gjatë tërë luftës dhe, menjëherë pas mbarimit të luftës u largua për në Jerusalem. - Po, Moshe. Më duket se ma ke treguar këtë mesele. - Po, po, Flamur, ty të kam treguar... Nejse... Desha të thosha se gjyshi im, gjatë atyre viteve të kaluara në Shqipëri, por edhe nëna ime, e cila asokohe ishte 12-vjeçare, e kishin mësuar shumë mirë shqipen. Si fëmijë, mua më kujtohet se, kur gjyshi dhe nëna donin të bisedonin diçka, e që të tjerët të mos i merrnin vesh, ata bisedonin shqip. Dhe, si kureshtar që isha, insistova që gjyshi, i cili më kishte nipin e preferuar, të ma mësonte këtë gjuhë. Më vonë edhe e studiova atë. (vijon) 

(Kosova Sot)