Roman dashurie: Triumfi i dashurisë (27)

  • 12 January 2018 - 13:10
Roman dashurie: Triumfi i dashurisë (27)

- "Përshëndetje profesor. Shpresoj të kesh fjetur mirë" - "O, përshëndetje doktor! Ndoshta nuk të kam shqetësuar tepër herët me mesazhin tim". "Jo, more çfarë? Si mund ta mendosh një gjë të tillë"? Kjo ishte ajo që Kujtimi mendoi, por shkroi tjetër gjë. - "Jo, jo! Nuk ka problem. Zgjuar isha. Profesor..." - "Urdhëro, Kujtim, a ke bërë ndonjë plan...?" - "Po, për atë desha të flisja... Më së miri është që ne të shkojmë në fshat, te shtëpia e atij pacientit". Kjo i ra ndërmend atij aty për aty. - "A duhet t'i njoftojmë më parë"? Kujtimit i ra ndërmend se nuk kishte kurrfarë numri të telefonit të familjarëve të pacientit. Në fakt, ai e kishte pyetur Luftimin, por ky i kishte thënë se nuk kanë telefon në shtëpi. - "Nuk kam mundësi të kontaktimit me ta. Nuk kanë telefon, e për të kontaktuar me postë, duhet kohë". - "A po propozon që të shkojmë pa paralajmëruar, a"? - "Nuk kemi mundësi tjetër. Fundja, mendoj se në fshat, një vizitë e paparalajmëruar nuk merret aq tragjikisht sikur në qytet. Të paktën te ne". - "Mirë. Ti e di më mirë. A po nisemi menjëherë"? - O, ngadalë, shqipe breee!, tha Kujtimi me zë. Por më pas, qeshi dhe shtoi: shqipe e hamamit! - "Profesor, do të shkojmë sot, gjithsesi, por më duhet të bëj disa përgatitje. Do të të kontaktoj më vonë". - "Mirë, unë i kam bërë të gjitha përgatitjet. Do të jem online, duke pritur njoftimin tënd". Kujtimi as kësaj here nuk u durua pa folur me zë. - Hiç nuk pata dyshim se do të jesh online. - "Profesor, do të të njoftoj sa më parë që të jetë e mundur. Shihemi"! - "Tung, Kujtim"! - O njeri, me kë je duke folur kështu, me sabah? Ishte Sabrina, e cila sapo kishte dalë nga banja. Kishte të veshur mantelin e banjës dhe flokët i kishte të mbështjella me peshqir. - Me një profesor të hamamit! - Mos, i dashur! Mos kështu! Ti edhe vet i ke pasur prindërit profesorë. Babanë bile edhe doktor... - E, ti? A me sabah vendose të tallesh me mua, a? Ajo iu përgjigj me një puthje në qafë. - A mbet ujë të nxehtë edhe për mua? - Natyrisht! Nuk harxhoj unë ujë si ti, jo. - Po, de! Hej... - Çka... - Sot nuk do të shkoj në punë... Më duhet të shkoj me këtë profesorin në shtëpinë e një pacienti. - Pse? - Ta shpjegoj më vonë. Është një mesele e gjatë. - A menjëherë po nisesh, a? - Jo, jo. Pas kafjallit. Dua t'i shoh njëherë fëmijët dhe nënën, e pastaj të shkoj. - Po, bre! Se moti nuk i ke parë. Kësaj here ishte Kujtimi ai që, pasi e rrëmbeu nga beli, ia dha Sabrinës një puthje plot pasion. Si duket, zjarri i natës së kaluar nuk ishte shuar ende në tërësi.

KAPITULLI I DYMBËDHJETË

Atë mëngjes, derisa ishin duke shkuar rrugës nga Prishtina në Podujevë, në drejtimin e kundërt, pra në atë që çonte nga Podujeva në Prishtinë, thuajse ishte formuar një kolonë e gjatë e veturave - ato ecnin shumë ngadalë. Çdo mëngjes, sikur i tërë Llapi vinte në "shehrin e madh", Prishtinë, e më pas, kah ora 7 e mbrëmjes, fillonte procesi kundërt, ai i kthimit të llapjanëve në "vendlindje". Kujtimi kishte punuar një kohë në Podujevë si mjek i përgjithshëm (meqë në Prishtinë ishte konkurrenca tepër e madhe dhe, përkundër faktit se ishte "biri i doktorit", apo ndoshta mu për atë fakt, e kishte pasur të pamundur që të gjente punë) dhe i kujtohej një koleg, llapjan, i cili si në shaka, thoshte: "Atë ditë që nuk shkoj në Prishtinë, tërë dita më shkon mbrapshtë". Autor: H. B. I. (vijon)

(Kosova Sot)