Ngjarje e vërtetë: Në vend se ta lija, ëndërroja VDEKJEN E TIJ (4)

  • 15 January 2018 - 14:31
Ngjarje e vërtetë: Në vend se ta lija, ëndërroja VDEKJEN E TIJ (4)

- Prej se jam kthyer, shpesh mendoj për ty - i pari e theu heshtjen e sikletshme.

- A e ke gruan me vete? - e ktheva temën andej kah më interesonte më shumë.

- Ish-gruaja ime mbeti në Austri.

- Ish-gruaja?

- Po.

- Prej kur?

- Ka tani e dy vjet. Më befasoi kjo që dëgjova. Mendoja se martesa e tij ishte stabile dhe kjo gjë më bënte nga pak xheloze. Por, tani ndryshonte çdo gjë.

- Sabrina është person i mrekullueshëm, por ajo ishte njëri nga ato veprimet e mia të gabueshme për të cilët të kam treguar.

- U zhduk dashuria?

- Ashtu disi, e ndoshta ajo as që kishte ekzistuar ndonjëherë. Ishim ngutur kur kishim vendosur për t'u martuar. Në fakt, ishim duke ikur nga ndokush që na kishte lënduar. Vetëm më vonë, kur na ishte zbutur dhembja, kishim parë se çka na kishte afruar në të vërtetë, e ajo nuk ishte aspak arsye për martesë. U ndamë me marrëveshje. E kemi një vajzë, të cilën e pres të më vijë këtë fundjavë. - Më vjen mirë që ka njerëz të cilët ndahen në mënyrë të civilizuar.

- E ti? A je e lumtur? Më befasoi me këtë pyetje edhe pse në të pavetëdijshmen doja që të ma bënte ndokush atë pyetje, që të mund të shfryhesha përfundimisht, duke nxjerr në pah pakënaqësitë e mia. Ai e hapi kutinë e Pandorës. Në fillim me frikë, e më pas mori vesh gjithçka rreth martesës sime. Me atë rrëfim në fakt doja ta ndëshkoja vetveten time, për atë që i kisha bërë dhjetë vjet më parë, e që nuk e kishte merituar. - D.m.th. nuk je e lumtur.

- Aspak…

- Ilirianë e dashur, a do të ishe e lumtur sikur të ishe me ndonjë burrë më të pasur? - përsëri hetova një djegësim, por edhe këtë e kisha merituar. - Më kujtohet sesi edhe vet isha një humbës i rëndomtë, të cilit iu desh që të shkonte në një shtet tjetër, meqë në vendlindje nuk kishte punë për mua, e ti më zëvendësove shpejt me shefin e një restoranti në zë, i cili atëherë kishte të ardhura solide, pa i llogaritur bakshishet. U skuqa e tëra. Ai e teproi. Mendoja se ma kishte falur, e ai tani kënaqej me problemet e martesës sime të mjerë. Ah, sa naive dhe e marrë isha që ia tregova të gjitha. Zot, pse e poshtërova veten kaq shumë para tij, duke ia treguar të gjitha sekretet e jetës sime të pështirë.

- Në të mirë dhe në të keqe, a e di? - vazhdoi me pashpirtësi.

- Këtë edhe jam duke e bërë! - i thash me zemërim dhe u çova pa e pirë çajin deri në fund.

- Ku po shkon?

- Unë jam e marrë që pranova të shoqërohesha me ty. A më thirre vetëm sa të kënaqeshe me vuajtjet e mia, a?! - thash dhe u nisa kah dera, por ai më ndali.

- Por, a nuk ishte ashtu?! - më shikoi me një shikim ku vërehej dëshira e tij që unë të dorëzohesha.

- Nuk ishte! - Rrenë!

- Paratë nuk ishin arsyeja e ndarjes sonë, por vetmia ime dhe dyshimi im në lidhje me ty. - Kurrë nuk të kam mashtruar! - As që më thërrisje ndonjëherë...

- Pashë Zotin, Iliriana...

- Edhe ashtu, tani nuk ia vlen që të bisedojmë. Ty të është mbushur mendja se i di të gjitha, prandaj është e kotë të mundohem të ta ndërroj mendjen. Lamtumirë - i thash duke u kthyer në anën tjetër ende e skuqur all. Si mund të prisja nga ai që të ishte më i sjellshëm? Edhe familja ime, e edhe ajo e Avniut pesëmbëdhjetë vjet më parë e dinin se fëmijët e tyre duheshin, e ne tanimë iu kishim thënë se edhe do të martoheshim. Ata e kishin pritur këtë lajm me dyshim, meqë asnjëri nga ne nuk ishte duke punuar. Meqë punësimi nuk vinte se nuk vinte, Avniu një mbrëmje mi tregoi planet e tij.- Iliriana, e di se do ta kemi vështirë. Por, më duhet ta bëj! Kam vendosur që të shkoj në Austri, te axha. Ai ka një biznes të suksesshëm dhe do të ma gjejë një punë edhe mua. (vijon) 

(Kosova Sot)