Roman dashurie: Triumfi i dashurisë (33)

  • 18 January 2018 - 16:17
Roman dashurie: Triumfi i dashurisë (33)

- Profesor, më duket se mbërritëm. Shiko, ato dy femrat, para shtëpie, duhet të jenë nëna dhe motra e pacientit. - Edhe mua më duket kështu. Kujtim, e di se ti je psikiatër dhe nuk kam nevojë të të them, por megjithatë dua të të lus që të jemi sa më pak intruzivë. Të mos shkaktojmë frikë te ato. Kujtimi, thënë të vërtetën, u ndie paksa i fyer. Ai mendonte se dinte mjaft mirë të sillej me njerëzit. "Hajt, mos ta nin", i tha në mendime profesorit, por në realitet atij vetëm ia drejtoi një të tundur pohuese të kokës. Kur u afruan, profesori dhe Kujtimi panë dy femra të veshura me rroba të vjetra, me disa vende të arnuara. Por, ato rroba aspak nuk dukeshin të ndyta, sikur që nuk dukeshin të ndyta as ëmë e bijë, me flokët e tyre të rregulluara në mënyrë modeste.

- Mirdita zonjë Ishte profesori ai që foli i pari. Më pas foli edhe Kujtimi.

- Mirdita, loke! Mirdita edhe juve... zonjushë! Pasi që e shikuan disa herë njëra-tjetrën e më pas edhe profesorin dhe Kujtimin, ishte Fatimja ajo që foli. - Mirdita! Kujtimi ndërhyri përsëri.

- Loke, unë jam doktor Kujtimi, doktori i Luftimit... Me ta dëgjuar emrin e të birit, Fatimja menjëherë ndërhyri.

- Qysh është Luta, Luftimi? A nuk ma keni pru, a?

- Luftimi është mirë zonjë. Do ta lëshojmë me siguri në fund të kësaj jave. Gjatë tërë kësaj kohe Moshe kishte analizuar me vëmendje Fatimen dhe Nurijen. Në atë moment, ai bëri një "hë-hë", me siguri për t'ia bërë me dije Kujtimit se ishte aty. Kujtimi e shikoi dhe ia bëri me kokë, sa për t'ia bërë me dije se nuk e kishte harruar dhe iu drejtua përsëri Fatimes.

- Loke, ju nuk e keni vizituar asnjëherë Luftimin... ai ju ka përmendur vazhdimisht, i keni munguar shumë...

- Kemi dashur disa herë të vinim, por nuk kemi mundur... Ishte Nurija ajo që foli kësaj radhe. Vetëm tani Kujtimi vërejti se sa e bukur ishte ajo. "O, Zot!", mendoi ai në vete, "sa e bukur qenka". Por, në atë moment iu kujtua se nuk e kishte prezantuar Moshen.

- Uh, për pak harrova, ky është profesor Moshe. Është... i huaj.

- Dobar dan, gospodjo! (Mirëdita, zonjë!) Kujtimi mbeti pa fjalë. Si duket Moshe zotëronte edhe gjuhët sllave. "Hajde, shqipen e paske mësuar nga gjyshi, po serbishten, a nga ndonjë teze, a?", mendoi ai me vete.

- Ja sam naucnik, i mene zanimaju razni obicaji i verovanja naroda... (Unë jam shkencëtar dhe mua më interesojnë zakonet dhe besimet e ndryshme të popullit... ) Fatimja ndërhyri.

- Naucnik?! A odakle si? Iz Rusije? (Shkencëtar?! E, prej nga je, nga Rusia?) Pyetja e Fatimes iu duk me vend edhe Kujtimit. Me të vërtetë theksi i Moshes, derisa fliste serbisht, ngjante shumë me theksin e ndonjë rusi.

- Jo zonjë. Jam nga Izraeli. - Izraeli?! - Po... jam antropolog... A mund të hyj brenda? Pa pritur përgjigjen e Fatimes, Moshe iu drejtua Kujtimit. - Doktor, më fal që të lash pas dore...

- Jo, jo...

- Nëse nuk të pengon, do të doja të hyja brenda me zonjat, e ti të më presësh këtu. Edhe pse nuk e kuptoi arsyen e kërkesës së profesorit, Kujtimi u pajtua. - Bujrum! Fatimja me gjysmë zëri dhe gjysmë zemre e ftoi Moshen që të hynte brenda. Pas tyre hyri edhe Nurija. H.B.I (vijon)

(Kosova Sot)