Ngjarje e vërtetë: Në vend se ta lija, ëndërroja VDEKJEN E TIJ (8)

  • 19 January 2018 - 15:00
Ngjarje e vërtetë: Në vend se ta lija, ëndërroja VDEKJEN E TIJ (8)

Shqipëroni nuk ishte asi luftë- tari, sikur që e kisha paramenduar. Pa dyshim, kësaj i kishin kontribuuar edhe kukatjet e mia të shpeshta, sesi do të mund ta kisha pasur edhe më mirë. Po, e fajësova pasi që shfrytëzoi një moment të dobësisë sime dhe ma ktheu jetën time me kokë teposhtë. Nuk isha e lumtur dhe, sa më e palumtur që isha, aq më shumë mendoja rreth Avniut dhe ëndërroja se si do të ishte sikur të kisha shkuar te ai.

- Kujdes! – bërtita pasi që Shqipëroni për një fije floku evitoi ndeshjen me një kamion të madh, derisa tentonte ta tejkalonte një kamionçinë. Shoferi i kamionit, me të drejtë, i binte borisë si i çmendur, por Shqipëroni nuk ndalej, por edhe më shumë e shtypte pedalin e shpejtësisë. Nëse nuk e heqë unë qafe atë, ai të dyve neve do të na e heqë flamën, mendova.

- A dëshiron që të vozis unë? – e pyeta. - Më mirë vozit unë i dehur, sesa ti esëll! Qetësohu, këtë rrugë e di përmendësh, do të mund të shkoja në shtëpi symbyllurazi. Ja, shiko! Ha-ha-ha! – i mbylli sytë dhe filloi ta luante ruletin rus në rrugë. Kishte rrëshqitur nga mendtë.

- A e di, Iliriana? Çdo gjë do të ndodhte shumë shpejt! Një goditje, terri dhe, nuk do të ishim më. Përnjëherë të gjitha problemet tona do të zhdukeshin bashkë me neve. Pashë se më duhej ta qetësoja, prandaj fillova t’i flisja me të butë: - E vajza jote? Çka do të ndodhte me të? A hiq nuk të dhimbset ajo, a? Ajo meriton ta ketë një familje – i thashë me mundim, meqë e dija se familja jonë nuk ishte vend i përshtatshëm për një fëmijë në zhvillim e sipër, por më kishte kapluar një frikë e madhe për jetën time.

- Ke të drejtë – ma ktheu i menduar.

– Vajza ime për mua është gjithçka. Sikur të mos ishte ajo, moti do të më lulëzonte varri. E, edhe ajo më do mua, a e di?

- Natyrisht se e di. Ti je heroi i saj. Sytë iu mbushën me lot, meqë ajo që thash ishte e vërtetë.

- Nuk e di çka pata. Më lindi dëshira të të provokoja paksa – tha duke menduar.

- Këto janë lojëra të rrezikshme, Shqipëron. Të lute, ngadalësoje shpejtësinë! Ai më dëgjoi dhe pjesën tjetër të rrugës e kaluam në qetësi. I mbylla sytë dhe u zhyta në mendime... E më pas u paraqit ai, si një shi vere, duke ma dridhur dheun nën këmbë, më ktheu sërish në të kaluarën. Pasi që për herë të parë dola nga lokali, e lënduar nga fjalët e tij, ai përsëri më ftoi për kafe. Pranova edhe në takimin e dytë, e më pas në të tretin, të katërtin... arsyetohesha duke thënë se kisha punë jashtë orarit, kisha aktivitete sindikale, zëvendësoja shoqet, etj., etj. Sa më shpesh që vonohesha, Shqipëroni ishte aq më i kredhur në mendime. Por, për të më thënë, nuk më thoshte asgjë, përpos që kërkonte t’i çoja cigare. E unë, gjatë atyre takimeve të fshehta, ia shpjegoja Avniut pse gjërat kishin ndodhur ashtu sikur që kishin ndodhur. Ai më arsyetohej duke më thënë se i duhej të punonte tepër shumë... Shqipëroni e ndali veturën, duke mos e parkuar diku, por duke e lënë në mes të oborrit. Doli dhe e rrapëlliu derën. Kjo më kthjelli. Kishim arritur. Derisa unë e përgatisja darkën, vajza e tij i bënte detyrat në tavolinën e kuzhinës. Përsëri darkë pa mish! Makarona me djathë për vajzën. Sikur ai, të paktën, të punonte. Por, jo. Ai dehej çdo ditë duke ikur nga realiteti në njëfarë bote të tij paralele, duke pritur që gjërat të rregulloheshin vetvetiu. Doja që ai të vdiste, të mos ekzistonte më. Doja të isha e lirë nga borxhet të cilat mi ngarkonte dhe pa shpenzimet për blerjen e duhanit të tij. Të paktën, me ato para do të blija mish. Unë me vajzën do të jetonim për merak. Më me dëshirë do të ndahesha nga ai, por ai më kërcënon haptazi se do ta vret veten, nëse tentoj ta lë. Përkundër asaj se përdor antidepresivë të ndryshëm, ai është labil dhe impulsiv. Ai nuk do të duhej t’i përziente ilaçet me alkool, por kush jam unë t’ia them këtë. Ai as që dëshiron të më dëgjojë. (vijon) 

(Kosova Sot)