Roman dashurie: TriumfI i dashurisë (41)

  • 26 January 2018 - 11:57
Roman dashurie: TriumfI i dashurisë (41)

Ramizin e kishin liruar nga burgu, pa pasur Kujtimi mundësi që ta vizitonte. Në fakt, ai kishte vizituar familjen e Ramizit, duke iu thënë prindërve të tij se, po të kenë nevojë për ndonjë ndihmë, lirisht mund t'i drejtohen atij, por më pas nuk kishte pasur kontakt me ta. Ende nuk e kishte takuar Ramizin, meqë ky i fundit kishte marrë pushim mjekësor, me gjasë për ta marrë veten nga qëndrimi në burg. Shpresonte që të arrinte ta ruante miqësinë me të edhe pse e dinte se një gjë e tillë do të jetë e vështirë. Dr. Valentina e evitonte aq sa mundte, sikur edhe ky që e evitonte atë. Në ato pak raste që iu kishte rënë të rrinin bashkë, ajo ishte bërë kinse nuk kishte ndodhur asgjë. Kujtimi nuk mund të besonte që në klinikë nuk kishte dëgjuar thashetheme rreth tij dhe Tinës, duke pasur parasysh se Sabiti i sigurimit mund të kishte dyshuar diçka. Provimin specialistik ia kishin caktuar pas dy muajsh. Kujtimi kishte lexuar gjatë tërë kohës së specializimit, si edhe kishte dhënë të gjitha kolokfiumet e parapara, kështu që kishte njëfarë sigurie në vetvete, mirëpo e shqetësonte fakti që, si anëtarë të komisionit, para të cilit do ta jepte provimin, i kishin caktuar dy profesorë të neurologjisë, që në fakt ishin neuropsikiatër, por që tani merreshin me neurologji. Njëri nga ta ishte i njohur për "rrëzimin" e kandidatëve në provim. Kurse profesori tjetër, sipas asaj që kishte dëgjuar Kujtimi, pyetjet që i bënte në provim i bazonte në literaturën serbokroate, të ish-Jugosllavisë. E, Kujtimi kishte lexuar vetëm literaturë të huaj, amerikane. Anëtari i tretë i komisionit ishte një profesor i pensionuar i neuropsikiatrisë, i cili kishte një natyrë të butë dhe me të cilin Kujtimi kishte një raport të mirë. Mentorja e tij, dr Arta, i kishte thënë se ishte e sigurt që ai do ta jepte provimin me të parën, megjithatë Kujtimi kishte një lloj treme, thënë më mirë stresi, prandaj mezi priste që ta kryente këtë mesele.

KAPITULLI I TETËMBËDHJETË

Sapo hapi postën elektronike, pa se kishte një email të ri. Ishte nga Moshe. Kujtimi e dinte se ai tanimë ishte kthyer në Izrael, meqë ishin përshëndetur me telefon. "Përshëndetje Kujtim. Si je a je mirë? Fëmijëve a iu kaloi LIJA E UJIT (hehe, e mësova këtë fjalë të re)? A munde ta kuptoje shkrimin rreth Të Martave? Unë për vete nuk kuptova thuajse asgjë, meqë nuk e di turqishten, e aq më pak osmanishten. Prandaj ia dhashë një përkthyesi profesionist që, të them ashtu, ta përkthejë në shqip, në shqipen moderne, meqë tani edhe ti, në njëfarë mënyre, je i përfshirë në këtë mesele (përndryshe do ta përktheja në hebraishte). Sapo të jetë gati do të ta dërgoj me email. Nëse do të mundem, do të vij edhe personalisht në Kosovë, por nuk e di njëherë a do të më bëhen punët. Të fala. Moshe". Kujtimi nuk ishte preokupuar aq shumë me këtë meselenë e Të Martave të mallkuara, meqë shpesh i dukej sikur ishte duke u marrë, jo me zgjidhjen e tij, me luftimin kundër mullinjve të erës. Por, befasohej me insistimin e Moshes që, me çdo kusht, ta mbante atë të kyçur në këtë temë. Më logjike do të ishte që ai ta vazhdonte studimin e kësaj çështjeje vet, apo me dikë tjetër. Moshes ia ktheu një përgjigje "sterile", sa për sy e faqe. Autor: H. B. I. (vijon)

(Kosova Sot)