Ngjarje e vërtetë: Fillova ta jetoja jetën, vetëm pasi që u ndava nga ai (8)

  • 28 January 2018 - 16:08
Ngjarje e vërtetë: Fillova ta jetoja jetën, vetëm pasi që u ndava nga ai (8)

E shikoi orën dhe tha se i duhej të kthehej në punë. U përshëndetëm dhe e shikova sesi largohej. Kalova në shoqëri të mirë me të për rreth një orë dhe kishte kohë që nuk isha ndier aq i relaksuar. Më pëlqente të bisedoja me dikë që nuk ishte i familjes sime, me një mashkull, një bisedë në katër sy! U ndjeva shumë mirë, nuk mund të kuptoja si kisha mundur të kaloja aq shumë kohë e mbyllur brenda katër mureve, duke thënë dhe duke bërë gjithmonë të njëjtat gjëra, pa asnjë lëvizje, e cila përditshmërisë sime do t'ia jepte një dimension tjetër. Isha aq e marrë, e edhe vet e kisha fajin për këtë, meqë pa kurrfarë rezistence isha përshtatur me një situatë të tillë. Fundja, pas martesës kisha kaluar një jetë goxha të izoluar dhe rrallëherë isha takuar me shoqet. Më ndodhte t'i takoja në udhë, në ditëlindje të fëmijëve apo në raste të vdekjeve. Bile asnjëherë nuk e kisha pyetur veten se a isha e kënaqur me një jetë të tillë. Sa shumë gjëra më kishin ikur gjatë këtyre viteve! U isha përkushtuar vetëm fëmijëve dhe shtëpisë, derisa burri im asnjëherë nuk kishte hequr dorë nga daljet me miqtë e tij. Por, në fund të fundit, a do të bëhej kiameti sikur t'ia kisha kushtuar vetes ndonjë çast? Fëmijët këtë nuk do ta ndjenin, e për mua kjo do të kishte rëndësi të madhe. Sido që të ishte, nuk kishte kuptim tani të vajtoja për të kaluarën. Nëse edhe do të vendosja që t'ia falja Saimirit, do të më duhej që ta bëja një revolucion të vogël në jetën time. Do të duhej që t'i përkushtohem më shumë vetvetes, e për këtë do të kem nevojë edhe për mbështetjen e familjarëve. Kushedi a kishte përfunduar lidhja e Saimirit me atë grua, apo ai vetëm donte përgjigjen time, për të vendosur më lehtë a ta linte atë grua, apo jo. Apo, ndoshta ajo kishte kuptuar se situata ishte e komplikuar dhe e kishte shqelmuar Saimirin? Kjo do të thoshte që ai, përpos pa grua, do të ketë mbetur edhe pa punë, e unë vazhdoja që ta kisha një punë me orar të plotë. A isha e gatshme që ta mbaja? Në fakt, a doja ta pranoja sërish në jetën time, apo jo? Rreth kësaj më duhej të mendoja mirë e mirë, nuk duhej ta lëshoja rastin vetëm ashtu. Dhe, cila ishte në fakt zgjidhja më e mirë për mua? T'ia falja burrit egoist, apo të vazhdoja të jetoja e vetme? Vendosa që për këtë, të mendoja nesër. Apo pasnesër. Apo, një ditë tjetër. E thelluar në mendimet e mia, shëtisja rrugëve të qytezës. Tanimë kishte shumë turistë edhe pse sezoni ende nuk ishte në kulminacionin e vet. Ishte freskët, por shumica e turistëve ishin veshur me mëngë të shkurtra. Duke i shikuar ata, u rrëqetha dhe e përthekova pallton. Pasdite më thirri Edita dhe më pyeti si jam. I thash se çdo gjë është në rregull dhe se isha duke shëtitur pak pas dreke. Duke shëtitur, e humba kuptimin rreth kohës. Ndalesha para çdo dyqani dhe shikoja vitrinat. Para kthimit në hotel përsëri shkova deri në plazh dhe pa planifikim qëndrova deri sa ra terri. Gjithçka ishte aq qetë dhe bukur, sa që ia dola që të pushoja nga të menduarit e tepërt. Sapo bëra dush mu kujtua Krenari dhe marrëveshja që kishim bërë. Më vinte të qeshja, nuk kisha takim me ndonjë mashkull tash e kushedi sa vjet, edhe pse Krenari ishte vetëm një shok i mirë. Nuk vesha asgjë elegante, meqë as që kisha rroba të tilla. Vesha pantallonat e zi, një këmishë të bardhë dhe një xhemper ngjyrë bezhi. Krenari ishte ulur jashtë dhe bisedonte në telefon. Sapo më pa, më buzëqeshi dhe e përfundoi bisedën. Çuditërisht, nuk ndihesha aspak në siklet. Gjithmonë kisha menduar se do ta kisha vështirë të takohesha me ndonjë mashkull të panjohur. Tërë jetën e kisha kaluar me Saimirin, prandaj nuk dija si të sillesha me ndonjë mashkull tjetër. Më ishte e çuditshme të puthesha me të, e lëre më diçka më shumë. (vijon) 

(Kosova Sot)