Roman dashurie: Triumfi i dashurisë (49)

  • 03 February 2018 - 15:13
Roman dashurie: Triumfi i dashurisë (49)

Nejse. Të mos largohem nga meseleja, për të cilën jam duke folur. Djali i hoxhës qenka i martuar me një vajzë fshati. Kjo nusja, pa i treguar askujt, e paska bërë me tybe, qenka përbetuar që të mos punonte të Martave. (Ende nuk kam arritur të kuptoj çka është ajo që i shtynë këto gra që ta bëjnë një gjë të tillë - të bëjnë be se nuk do të punojnë një ditë të caktuar - të martën edhe atë pasditen e kësaj dite). Sido që të jetë, muhabeti më pas është zhvilluar si zakonisht. Ajo ka harruar për benë që e ka bërë, ka punuar të martën pasdite dhe i kanë shkuar Të Martat. Në ato momente, në shtëpi ka qenë vetëm nusja dhe vjehrri i saj, hoxha. Derisa nusja ka qenë duke tjerrë lesh (të cilin me gjasë e ka marrë në fshat, te gjinia e vet), hoxhë Ademi paska qenë në një kthinë të veçantë, ku e paska pasur zakon që të lexonte Kuran dhe të pranonte njerëzit që shkonin të vizitoheshin te ai. Me t'i parë Të Martat, nusja paska lëshuar një ulërimë të madhe. Me siguri i ishte kujtuar që e kishte shkelur përbetimin që të mos punonte Të Martave, por me gjasë edhe ishte frikësuar nga pamja e Të Martave. Hoxha e kishte dëgjuar ulërimën dhe, ashtu, me Kuran në dorë, sikur që ishte duke lexuar, paska shkuar me vrap që të shihte se çka kishte ndodhë. Ky është edhe momenti më i rëndësishëm. Ai kishte parë me sytë e tij shtatë gra, thuajse lakuriqe, me vetëm disa lecka te vendet intime dhe te gjinjtë. Ato ishin trupmëdha dhe leshatake, kështu që hoxha në fillim, për disa sekonda, kishte menduar se bëhej fjalë për ndonjë bishë. Kjo është hera e parë dhe e vetme gjatë tërë jetës sime, që më ka bërë vaki ta dëgjoj një hoxhë - edhe atë jo një hoxhë dosido, por vet mulla Ademin - që të flasë për Të Martat. Bile jo vetëm të flasë, por edhe të tregojë sesi i ka parë me sytë e vet. I kapluar nga frika dhe tmerri, hoxha paska filluar që të thoshte lutje për mbrojtje nga xhindet. Të Martat në fillim as që ishin mërzitur për praninë e hoxhës, por nuk kishte vonuar shumë e ato ishin ndalë për një moment, sikur të ishin duke dëgjuar me vëmendje diçka, e më pas si të çmendura ishin larguar me vrap, duke murmuritur "djali... djali...". Duke menduar se kishte të bënte me të vërtetë me xhinde, si dhe duke ditur se, kur të shndërrohen në materie, në trupa të veçantë, për xhindet vlejnë të gjitha ligjet që vlejnë për materien, respektivisht për ato krijesa formën e të cilave e kanë marrë ata, i kapluar nga zemërimi, por edhe nga frika, hoxha paska kapur shtizën e nuses dhe ia paska ngulur njërës prej Të Martave drejt e në gjoks. Ajo kishte lëshuar një ulërimë të fortë, e paska nxjerrë me shpejtësi shtizën nga gjoksi dhe paska tentuar që ta vriste hoxhën. Hoxha i gjorë qenka frikësuar pa masë (nuk ka pasur faj, i gjori) dhe paska filluar të ikte. Kur paska përfunduar në një skutë, pa pasur mundësi të ikte, paska filluar të lutej me zë të lartë dhe, pasi që kishte marrë guximin që të shikonte prapa, e kishte parë Të Martën të cilës i dilte gjaku nga gjoksi sikur të ishte një krua i vërtetë. Ajo më pas qenka rrëzuar përtokë, por shtizën e paska mbajtur ende fort në duar. Autor: H. B. I. (vijon)

(Kosova Sot)