Roman dashurie:Triumfi i dashurisë (52)

  • 06 February 2018 - 15:23
Roman dashurie:Triumfi i dashurisë (52)

- Ku je, bre kurvë? Kurva plakë! Fliste me atë të folmen tipike të të dehurit, me gjuhën e trashur.

- Hesht, mos fol! Se na e more fytyrën, hajvan! Ai tentoi që ta godiste, por ishte tepër i dehur që të mund ta realizonte këtë qëllim. - Kurvë, mos ishe duke u q... me atë kopilin tënd "shiptar"?

- Zoti të vraftë! - Ku është ai? Ku është...? Do ta vras! Si thiun do ta pres në fyt! Marta e dinte se nuk ia vlente të diskutonte me burrin e saj, por ndonjëherë e kishte të vështirë të përmbahej. Pasi që e mbylli derën përsëri, u nis për të shkuar në dhomën e saj, por Zorani e kapi për dore.

- Ku po shkon?!

- Më lësho!

- Më jep të pi!

- A pak paske pi, o derr? Nuk e pati vështirë që të shkëputej nga ai dhe të vazhdonte shkallëve lart, për te dhoma e saj. Sapo hyri brenda, e mbylli derën me çelës.

- "Kurvëëëë! Ku shkove?! Kurvë "shiptareee"! Kurvë ustasheee"! Zëri dëgjohej nga poshtë, nga kuzhina, por Marta vuri tapat e veshëve dhe u shtri, duke murmuritur të nëmurat e saj të zakonshme, të dedikuara burrit të saj "të dashur". E dinte se nuk do ta zinte gjumi, prandaj edhe sa vinte e bëhej më nervoze. E dinte se para vetes kishte një natë tjetër pa gjumë.

- "Kur....vëë..." Zëri që vinte nga poshtë sa vinte e bëhej më i dobët dhe më i rrallë. Jo vetëm pse Marta kishte vënë mbyllëset e veshëve, por edhe pse Zoranin sa nuk e kishte zënë gjumi. Pasi qëndroi nja një gjysmë ore e shtrirë në shpinë, u kthye në krah, në të cilën pozitë po ashtu qëndroi për disa dhjetëra minuta, e më pas, e vetëdijshme se nuk kishte shanse ta zinte gjumi, u ngrit duke ofsharë.

- O Zot i dashur! Athua e ke shkruar që ditët e fundit të jetës sime t'i kaloj me këtë derr? Me këtë pijanec? Ah, biri im... nuk kam qare pa ta treguar të vërtetën. Duhet të të tregoj para se të vdes... U ngrit nga shtrati, shkoi te ormani dhe hapi një dollap. Nga aty mori një fotoalbum dhe përsëri, me një të ecur sikur ishte duke i matur hapat, u kthye e u ul në shtrat. Hoqi mbyllëset e veshëve dhe filloi që ta shfletonte albumin. Kur arriti te një foto ku shihej një grua e re, me një foshnjë ngryk, u ndal dhe iu mbushën sytë me lot. Derisa e ledhatonte me dorë beben në foto, mendtë i kishte çuar larg, në të kaluarën. I kujtoheshin ditët vajzërore, ëndrrat për të ardhmen. I kujtohej Prishtina, puna në Klinikën e pediatrisë. I kujtoheshin fëmijët, me të cilët, duke punuar si infermiere, nuk e kishte kursyer asnjëherë dashurinë. Derisa nuk i kishte lindur djali, ndonjëherë qëndronte tërë natën duke u përkujdesur për ndonjë fëmijë, zakonisht të sjellë nga fshati, nëna e të cilit, për shkak të vështirësive ekonomike, apo për shkak të obligimeve të shumta, nuk kishte mundësi të rrinte me fëmijën në spital. Por edhe fëmijët e donin atë. Menjëherë familjarizoheshin me të. Sa herë që ndonjë fëmijë qante dhe nuk ndalej, kolegët e dinin se Marta ishte ajo që mund të ndihmonte. Në tërë Prishtinën, por edhe më gjerë, ishte marrë vesh se, një infermiere kroate, apo sikur që thuhej atëherë, "një hërvatkë", përkujdesej shumë për fëmijët, prandaj sapo e sillnin fëmijën në spital, insistonin që të pranohej "në repartin e hërvatkës". Autor: H. B. I. (vijon)

(Kosova Sot)