Roman dashurie: Triumfi i dashurisë (55)

  • 10 February 2018 - 16:53
Roman dashurie: Triumfi i dashurisë (55)

- "Mulla Adem! Ti e di se Allahu i Gjithëmëshirshëm dhe Mëshirëplotë...

- "La ilahe il-Allah..." - "... në librin e tij fisnik, Kuranin e madhërishëm, na porosit që t'i nderojmë dhe respektojmë të gjithë popujt e Librit. Të mos i pengojmë ata në praktikimin e fesë së tyre dhe na e bën me dije se, hiç pa dyshim, librat e tyre - edhe pse tani të devijuar - janë libra të zbritur nga Zoti". Ademi e dëgjonte me vëmendje. Donte ta dinte se ku do të dilte shoku i tij. "Nuk mund ta them me siguri, por sikur në fytyrën e tij vërejta një lloj padurimi dhe zemërimi, sikur donte të më thoshte 'a ti po më mbanë ders mua, a?", prandaj edhe thashë, pa e vonuar, atë që kisha ndërmend ta thosha".

- "Unë, me këtë mendjen time të varfër, me të cilën më ka nderuar i Madhi Zot..."

- "Atij i qofshim falë"! - "... mendoj se kufomën e këtij xhindi, në mënyrë që më të mos kesh problem me kabilen e tij, respektivisht saj, duhet ta varrosim në një vend ku gërshetohen të tri fetë hyjnore". Mulla Ademi më nuk kishte mundur të durohej pa reaguar.

- "A në Bejt-Ul-Lehm po thua ta varrosim, a? Po çka je duke thënë bre? A e di sa larg është ai vend i bekuar"? "Pashë se duhej të përgjigjesha shpejt, përndryshe rrezikoja ta humbja vëmendjen e mulla Ademit". - "Jo, jo! Bejt-Ul-Lehmi i bekuar natyrisht se do të ishte vendi më i preferuar. Por, për shkak të pamundësisë, duhet që ta gjejmë një vend këtu, në Prishtinë".

- "E, ku, sipas teje"?

- "E mendova edhe këtë gjë... Mendoj se oborri i Xhamisë së Çarshisë është më i përshtatshmi". Mulla Ademi nuk tha gjë, por ishte e qartë se priste shpjegime shtesë.

- "Ti vetë je imam në atë xhami, prandaj nuk kam pse të të tregoj që, në pjesën e epërme të shkallëve të hudbes, por edhe në pjesën e epërme të vendit të imamit, gjendet një yll gjashtëcepësh, simbol i jahudive..." Mulla Ademi pohoi me kokë, por vazhdoi të heshtte. - "... Ky është simboli i çifutëve. Simboli ynë, i myslimanëve, është më se evident - kemi të bëjmë me një xhami".

- "E ai i të krishterëve"? "Këtu u ndala pakëz, duke shikuar shokun, mulla Ademin. Doja të shihja a do ta bindja me atë që do t'i thosha".

- "As në Bejt-Ul-Lehm nuk i kemi të gjitha simbolet, të tri feve në një vend të gjitha bashkë. E, aq më pak këtu, në këtë skaj të Perandorisë. Prandaj mendoj se mjafton që simboli i të krishterëve të gjendet sa më afër. Megjithatë, duhet edhe ai të ketë lidhje me fenë tonë... Në Xhaminë e Madhe, në hyrjen e saj..."

- "Po, e di! Në pjesën e epërme, në tavan, gjendet një si kryq, por me rrema të thyer..."

- "Ashtu, vëlla! Ja, kjo është ideja ime". Nga ajo që lexoi në vazhdim, Kujtimi pa se, për disa momente, asnjëri nga ta nuk kishte thënë gjë. Mulla Ademi mendonte rreth idesë që sapo ia tha shoku, kurse mulla Idrizi mendonte se a kishte gjetur me të vërtetë zgjidhjen më të përshtatshme dhe a do t'i pëlqente ajo mulla Ademit. - "Insha-Allah kjo mesele përfundon sikur që është më së miri! Hajde, me bismilah, ta bëjmë këtë"! Autor: H. B. I. (vijon)

(Kosova Sot)