Ngjarje e vërtetë:PËR TË MË NUK ISHA “NË MODË”! (6)

  • 12 February 2018 - 16:50
Ngjarje e vërtetë:PËR TË MË NUK ISHA “NË MODË”! (6)

Në bazë të tërë kësaj, e dija se ai, megjithatë, do të paraqitej para meje. Kjo do të ndodhë atë ditë kur të kuptojë se dashuria, për të cilën ka menduar se e kishte lënë në shtëpi, për ta ruajtur unë, duke menduar se ishte duke u larguar i lirë, gjithmonë ishte me të. Do ta gjente ajo rrugën e vet, do ta shfrytëzonte një moment të tillë të krizës dhe do të dëshmohet. Atëherë do të duhet të vijë tek unë. Ndodhi ashtu sikur që edhe prisja. Agoni ishte duke kaluar pushimet në qytetin e lindjes. Ishte gjithandej në botë, por përfundimisht kishte kuptuar se plazhet më të mira ishin te ne, e verimi më i mirë aty ku e ke zemrën dhe ku kthehesh gjithmonë pa marrë parasysh se ku nisesh, meqë thjesht, je i lidhur për atë vend me lidhje të padukshme, por të forta. Një ditë ai erdhi pa e ftuar dhe na u bashkua mua dhe vajzës.

- Ana është e mrekullueshme, ka gjenet e nënës - tha duke e përcjellë me sy atë, derisa Ana sapo ishte duke u përgatitur që të lahej. Këtë nuk e mora si kompliment, prandaj nuk thash asgjë. Por, ftesën për darkë e pranova, me qëllim që t'i qartësonim gjërat njëherë e mirë. Gjatë darkës, ai e zgjati dorën dhe m'i ledhatoi flokët.

- A të kujtohet? Kurrë nuk mund t'i përshkoja gishtat nëpër kaçurrelat tua - tha ai duke qeshur. Për mua ato situata më nuk ishin aspak komike. Më vinte keq për atë tjetrën, flokët e së cilës më nuk shkëlqenin në faqet e para të revistave. Më vinte keq për Agonin, i cili assesi të gjente flokë nëpër të cilat do të mund t'i kalonte gishtat dhe të ishte i kënaqur. Përsëri nuk thashë asgjë, por shumë shpejt ai kuptoi se nuk duhej të luante me flokët e mia. Megjithatë, ai nuk e bëri këtë. Vendosi që të më përcillte deri në shtëpi.

- Kjo shtëpi është mrekullia vetë. Nuk ka asnjë banesë në këtë qytet, e as diku tjetër, ku kam qenë, që mund të matet me të. Oh, more Agon, kjo nuk ka të bëjë asgjë me shtëpinë, por me atë gjënë e bukur që kemi pasur, mendova, por përsëri heshta. Vetëm vazhdova ta dëgjoja:

- Vetëm nga këtu pamja e detit është e mrekullueshme... - tha ai, duke u ndalur paksa, për të vazhduar unë: - ... vetëm këtu dielli është aq afër njeriut, vetëm këtu je aq i bashkuar me detin dhe me veten tënde. Ai buzëqeshi, pasi që kuptoi se e kisha lexuar si libër të hapur.

- Nuk ka qenë kaq moti, por kam harruar. - Ka qenë moti, tepër moti - ia thash këtë duke e shikuar drejt në sy. Mendoja se ai do ta kuptonte atë që doja t'ia thosha: jo, nuk mund të kujtohemi, meqë kemi kujtime të ndryshme, por tentoi edhe më tej: - Megjithatë, unë nuk kam harruar asnjë detaj nga jeta jonë e përbashkët, e më së vështiri e kam ta kujtoj atë moment kur vendosa të të lija. Këtë kurrë nuk do t'ia fal vetes.

- Mos e tepro, Agon. Ti ke harruar një detaj shumë të rëndësishëm nga jeta jonë e përbashkët. Nuk më ke lënë ti mua, por unë të lashë ty që të shkoje në botën e cila të joshte aq shumë. Ai më shikonte, por unë vazhdova me atë timen.

- Këtu edhe qëndron dallimi midis ne të dyve. Unë të kam dashur ty aq shumë, sa që të t'i hapja krahët dhe të të liroja nga çdo obligim, e ti më doje aq cekët, sa që, pa e kthyer kokën, menjëherë u largove. As që ma dite për nder atë që bëra për ty. Në sytë e tij pashë në siklet të madh. U përshëndetëm shpejt e shpejt, me disa fjalë të mirësjelljes. Nuk isha hakmarrëse dhe për këtë shkak ndihesha shumë keq. Në anën tjetër, nga shpina ime hoqa një barrë tepër të rëndë. Përfundimisht edhe unë isha e lirë. Përfundimisht ndodhi edhe kjo. Zinxhirët që ma shtrëngonin zemrën, i mori Agoni me vete. As kësaj here ai nuk e kuptoi se unë ia kisha bërë një të mirë! 

NGA NESËR DO TA LEXONI TREGIMIN TJETËR, TË BAZUAR NË NGJARJE TË VËRTETË: "SI E LAJMËROVA BURRIN E DHUNSHËM NË POLICI"

(Kosova Sot)