Ngjarje e vërtetë: SI E LAJMËROVA BURRIN E DHUNSHËM NË POLICI (1)

  • 13 February 2018 - 17:02
Ngjarje e vërtetë: SI E LAJMËROVA BURRIN E DHUNSHËM NË POLICI (1)

Albulena, pusho së ëndërruari, e kishte zakon të më thoshte nëna ime. Unë vetëm i rrudhja supet, duke menduar se ajo ishte tepër e vjetër që të mund të më kuptonte. Në fakt, unë kam lindur kur prindërit e mi kishin nga dyzet vjet dhe gjithmonë ata i përjetoja si një përzierje të prindërve dhe gjyshërve. Më mbronin tepër shumë dhe vazhdimisht ma tërhiqnin vëmendjen për rreziqet e mundshme, të cilat, sipas tyre, më prisnin në çdo skutë dhe kënd.

- Nënë, më lër që të marr frymë – i thosha shpesh, pasi që më vërshonte me vërejtjet e saja. Unë doja që të dilja në botë dhe ta shijoja jetën me tërë fuqinë time. Më shumë se gjithçka tjetër, doja që ta thyeja atë “guacë të qelqtë” në të cilën ndihesha sikur e robëruar dhe ta shijoja jetën e vërtetë. Në moshën 18-vjeçare u bëra maturante, por refuzova që t’i regjistroja studimet. Më mirë mendoja se ishte t’ia filloja punës, e një shok i babait tim ma ofroi punën e sekretares në kompaninë e tij.

- Je e mençur dhe e vyer, do të mund të studioje – u mundua babai të ma ndërronte mendjen, meqë për vajzën e tij të vetme ëndërronte një të ardhme më të ndritur. Unë e përqafova dhe e putha fort në flokët tanimë të thinjura, gjë që e bëja çdoherë sa herë që ndjeja dashuri ndaj tij.

- Më lër që të provoj të punoj – e qetësoja. – Nëse shoh se kam gabuar, atëherë do ta regjistroj ndonjë fakultet. Natyrisht, nuk mund t’ia pranoja se ajo punë për mua, në të njëjtën kohë ishte edhe hapi i parë kah liria. Kënaqesha duke punuar në zyrë, kolegët ishin simpatikë, nuk më trajtonin si fëmijë, e disa nga femrat që punonin aty bënin një jetë goxha interesante, të paktën kështu dukej sipas asaj që thoshin ato. Mezi prisja që të tërhiqesha nga mbikëqyrja e ashpër e prindërve dhe të çlirohesha nga presioni i tyre. Më pëlqente që, në mëngjes, të ulesha pranë tavolinës sime të punës dhe, përkundër asaj se ende kisha shumëçka për të mësuar, e kisha ndjenjën se, përfundimisht, isha rritur. Dhe, kështu erdhi momenti kur më duhej që të kthehesha në shtëpi më së largu deri në mesnatë. Fillova të dilja sa më shpesh dhe, duke u arsyetuar se më duhej të dilja me shoqet, shpesh kaloja mbrëmjet në klube dhe kafene. Kur u njoftova me Emilin, u ndjeva sikur të isha në qiellin e shtatë. Shikimi i tij i butë më kaplonte nga koka deri te thembrat dhe, përnjëherë, në tollovinë e klubit, u ndjeva e rrethuar nga një magji e pabesueshme, duke e paramenduar veten në përqafim të tij. Tani e di se ato ishin vetëm përshtypjet dhe fantazitë e një vajze të papërvojë, me rastin e takimit të parë me dashurinë: deri atëherë kisha përjetuar vetëm flirtet e adoleshencës, të cilat më shumë zhvilloheshin në kokën time, sesa në realitet. Emili mu afrua, ma kapi dorën dhe më nxori jashtë klubit. Shkova me të, pa e kundërshtuar, duke u ndier e privilegjuar për shkak të vëmendjes së tij. Qetësia në rrugë më hutoi, gjë që e vërejti edhe ai, meqë ma shtrëngoi dorën, që të më qetësonte.

- Je kaq e bukur dhe e butë – më pëshpëriti pak më vonë derisa gjendeshim në veturën e tij, në parkingun para klubit. Nuk tentoi të më puthte. Kontakti ynë i vetëm ishte një prekje e lehtë e gishtave të tij në fytyrën time. Më pas, pyetjet e tij filluan që të bëheshin gjithnjë e më të pacipa, meqë donte që menjëherë t’i tregoja gjithçka për veten dhe familjen time, por unë isha e lumtur që flisja me të. Nuk mund të besoja se kisha tërhequr vëmendjen e të riut më të bukur. Në fakt, ai më nuk ishte i ri, por një burrë i pjekur. Kur e takova për herë të parë, kishte 32 vjet, një punë të mirë dhe donte ta gjente një grua, e cila do ta kuptonte. Menjëherë mendova sesi isha personi ideal për të. Shumë shpejt u bëmë çift dhe, me kalimin e kohës, Emili ma bëri me dije se më donte vetëm për veten e tij, e unë e doja aq shumë, saqë pa problem hoqa dorë nga ato ndejat me shoqëri. 

(Kosova Sot)