Roman dashurie: Triumfi i dashurisë (59)

  • 14 February 2018 - 16:58
Roman dashurie: Triumfi i dashurisë (59)

"Kujtim, provova të të thërrisja, por nuk ma hape telefonin. Në fakt, ka disa ditë që kam provuar të bisedoj me ty, por nuk gjeja momentin, e as ti nuk ishe aq shumë në shtëpi. Kujtim... mori fund gjithçka midis nesh! Më mirë të ndahemi tani, sesa ta shohim martesën tonë duke u shndërruar në diçka që nuk do të na pëlqejë as mua, e as ty". I dukej sikur ishte duke lexuar një shkrim në një gjuhë të huaj. Nuk e kishte idenë se për çka e kishte fjalën Sabrina. Çka e kishte shtyrë ta merrte një vendim kaq drastik? Kjo vetëm sa e bënte të ndihej më keq. Ishte i sigurt se, po ta dinte pse Sabrina veproi kështu, pse vendosi që t'i jepte fund martesës, do të ndihej më rehat. Të paktën do ta dinte shkakun. E, kështu... i dukej sikur e kishin varë me kokë teposhtë dhe e kishin futur në një dhomë të errët dhe të heshtur. Kishte humbur në tërësi ndjenjën e orientimit. "Mos provo që të më gjesh, a të më kthesh, sepse do ta kesh kot. Unë tani kam gjetur dashurinë e jetës sime dhe kemi vendosur që të mos ndahemi kurrë". Kaq. Edhe pse kjo nuk ishte hera e parë që e lexonte këtë letër, vetëm tani u bë i vetëdijshëm se Riki ishte me Sabrinën dhe me një njeri të panjohur. Deri tani kishte menduar se të tre fëmijët ishin në shkollë. Mendimi se një njeri tjetër mund ta merrte rolin e babait për Rinorin e tij të vogël, e zemëroi dhe e tmerroi në të njëjtën kohë. Për herë të parë në jetë përjetoi frikën se do të çmendej. "Ja, kështu po filluaka çmenduria..." Vendosi që t'i telefononte Gëzimit, vëllait të Sabrinës. Ai ishte mashkulli i vetëm në familjen e saj, prej se i kishte vdekur i ati. Sabrina kishte tri motra dhe vetëm këtë vëlla.

- Ooo dhëndër! Po ku je, bre?! Kujtimi mendoi se, ose Gëzimi nuk ishte në dijeni të asaj që kishte ndodhur, ose ishte tepër i zemëruar dhe tani po tallej me të.

- Qe, Gëzim...

- Po si jeni? A jeni mirë, a çka po bëni, a? Nuk dinte çka t'i thoshte. - Alo! A po më dëgjon? Kujto? - Po, po... - A jeni mirë, thash...

- Gëzim, a mund të takohemi diku? - Pse? Çka ka bërë vaki?!

- Gëzim, të lutem eja te unë menjëherë! Duhet të bisedojmë... se në telefon nuk mund të ta them.

- Qe, erdha! Por... Ia mbylli ende pa e mbaruar fjalën deri në fund. "Nuk po e ditka as ky. Çudi"! Tani me të vërtetë Kujtimit i dukej sikur të ishte në ëndërr. Nuk mund ta paramendonte që Sabrina të ndërmerrte ndonjë veprim pa i treguar askujt, as atij, e as vëllait të saj, me të cilin ishte shumë e lidhur. "O Zot! Me kënd paskam jetuar deri tani, e nuk e paskam ditur"? Cingëroi zilja e derës. "Sa shpejt erdhi", mendoi Kujtimi me vete, duke ditur se Gëzimi jetonte rreth 4 km larg. "Me siguri paska qenë këtu afër diku...". Kur e hapi derën pa se nuk ishte Gëzimi. Ishin Kujtimja dhe Donika. - Kik... Didë? Pse erdhët kaq herët? Vajzat dukeshin të shqetësuara, bile kjo e fundit ishte më se e dukshme se kishte qarë. - Babë, Kiki më mori nga ora e mësimit... Krenarja tanimë kishte hyrë brenda. Kujtimi i ndihmoi Donikës që të zbathej dhe e mori përdore. Hynë në sallon. Kiki ishte ulur në një kënd dhe kishte ndezur TV-në, por ishte më se e qartë se mendtë i kishte tjetërkund. Donika shkoi e u ul afër saj. Autor: H. B. I. (vijon) 

(Kosova Sot)