Roman dashurie:Triumfi i dashurisë (60)

  • 15 February 2018 - 17:25
Roman dashurie:Triumfi i dashurisë (60)

Me një zë që i dridhej, Kujtimja iu drejtua atij, pasi e fiku televizorin. - Bab, a po na tregon se çka është duke ndodhur?

- Kik, shiko...

- Bab, nuk jemi të vogla tani. Të lutem na trego se çka është duke ndodhur me mamin! Nuk e befasoi ky qëndrim i Kikit, meqë përputhej në tërësi me karakterin e saj. Por, ajo që e befasoi, ishte përshtypja sikur Kujtimja dinte diçka, diçka më tepër se ai.

- Si po mendon... me mamin? A nuk ishe mami mirë sot, a? Në vend të Kikit, u përgjigj Dida. - Çfarë miri, more?! Ishte veshur me një fund të shkurtër, nuk e di ku e kishte marrë...

- Po, bab... Dhe ishte lyer tepër... nuk e di... sikur të mos ishte mami jonë... Kujtimja nuk mundi të duronte më dhe u shkreh në vaj. Dëneste dhe dridhej e tëra. Kishte kohë që nuk e kishte parë të bijën të qante ashtu. Sikur me ndonjë komandë, asaj iu bashkëngjit edhe Donika. Ajo nuk e kishte aspak të vështirë të qante, sidomos tani kur e shihte edhe motrën duke bërë të njëjtën gjë.

- Bab... Riki... veç pse i tha mamit se donte të shkonte... në shkollë... ajo ia ngrehi flokët dhe ia mëshoi në kokë... Kujtimit iu terruan sytë. E lëshoi edhe atomi i fundit i energjisë dhe përmbajtjes. Shkoi e u ul midis vajzave të tij dhe i përqafoi, duke i tërhequr kah vetja. "O Zot, si kishte mundësi që një njeri të ndryshonte kaq shumë?! A ishte e mundur që dashuria e Sabit ndaj atij njeriu të ishte kaq e madhe, sa që ta shtynte të bënte gjëra që, më parë, kurrë nuk do t'i bënte"? Pasi kaluan disa minuta dhe pasi që e mori veten deri diku, iu bë e qartë se duhej t'iu tregonte vajzave. Por, nuk dinte si e nga ku të fillonte. Pas një hamendjeje të shkurtër, futi dorën në xhep, nxori letrën dhe ia dha Kujtimes. Ajo e shikoi me habi, mori letrën dhe filloi ta lexonte. Derisa e lexonte përsëri filloi të dëneste, pasi që njëherë kishte pushuar së qari. "Çka bëra kështu?! Nuk duhej t'ia jepja letrën". Kujtimi filloi ta fajësonte veten dhe ia mori letrën Kikit nga duart.

- Nuk është e mundur, bab... Jo... nuk është e mundur... Donika as që kishte pushuar së qari, por tani vetëm sa e intensifikoi vajin e saj. Edhe ajo zgjati dorën për ta marrë letrën. Kujtimi përsëri nuk diti çka të bënte. Thjesht, ia lëshoi letrën në dorë. - Bab... Pse, bab... pse iku mami?! Kujtimi kuptoi se Dida ishte tepër e vogël për ta kuptuar përmbajtjen e asaj letre. Po ashtu kuptoi se, në ato momente, pa marrë parasysh sa i dobët ndihej, i duhej që ta merrte veten dhe ta luante rolin e babait, rolin e prindit. Fshiu lotët e vajzave dhe sikur i erdhi një fuqi nga një burim i panjohur. Filloi t'i ngushëllonte të bijat.

- Shhhh, Dida! Kik?! Mos, bijë! E di si ndiheni...

- Bab, a do ta shohim mamin më... Kik, a do ta shohim mamin?! - Po, bre bijë! Po, si nuk do ta shihni?! Përkundër të gjithave edhe ajo ju do. Bija ju ka. As vet nuk besonte më në atë që ishte duke thënë, por e dinte se me çdo kusht i duhej ta merrte situatën nën kontroll, me qëllim që t'i mbronte të bijat sa më shumë që të ishte e mundur. Përsëri ra zilja e derës. Kësaj here me të vërtetë ishte Gëzimi. Autor: H. B. I. (vijon)  

(Kosova Sot)