Ngjarje e vërtetë: SI E LAJMËROVA BURRIN E DHUNSHËM NË POLICI (4)

  • 16 February 2018 - 17:01
Ngjarje e vërtetë: SI E LAJMËROVA BURRIN E DHUNSHËM NË POLICI (4)

Një të premte mbrëma njëra nga koleget e mia, pa kurrfarë paralajmërimi, kishte vendosur që ditëlindjen e saj ta festonte në një kafene, pas orarit të punës. E kam lajmëruar bashkëshortin tim për t’ia bërë me dije se do të vonohesha paksa dhe do të kthehesha më vonë në shtëpi. M’u vërsul me shumë pyetje, e më pas më ka urdhëruar të shkoj në shtëpi.

- Nuk mundem, do të lëndohesha dhe do të ndihesha keq – u përgjigja. Do të rri sa më pak që të mundem. E ndërpreu lidhjen pa u përshëndetur, duke më lënë të tmerruar, por më pas kolegia ime ishte aq e këndshme dhe atmosfera ishte aq e relaksuar sa që harrova të shkoj e qëndrova edhe më gjatë sesa që mendoja. Kur e kam hapur derën e banesës sonë, ende e kisha buzëqeshjen në fytyrë. M’u duk se nuk kisha qëndruar edhe aq gjatë dhe isha e gatshme t’ia përmirësoj disponimin Emilit, nëse është ende i pakënaqur për faktin se kam qëndruar më gjatë se zakonisht. Më goditi aq fort, derisa unë po qëndroja në prag të shtëpisë, dhe atë aq fort sa me kokë e kam goditur murin. Unë bërtita, por burri im tashmë e kishte mbyllur derën dhe filloi që për flokë të më tërhiqte zvarrë nëpër dhomën e ditës.

- Ndalo, të lutem ndalo – po e përgjëroja.

- Ti duhet të më dëgjosh vetëm mua, a më kupton – po ulërinte.

- Unë vetëm isha… - unë po provoja t’ia shpjegoj. Nuk po më lejonte ta përfundoj fjalën, por me një brutalitet të paparë kishte filluar të më godiste nëpër këmbë dhe duar. - Tash do ta mësosh se kush është pronari i shtëpisë – po bërtiste me një buzëqeshje cinike në fytyrë me shikimin e një bishe të egër. Unë mbeta e shtrirë në dysheme derisa ai vetëm mori xhaketën e tij dhe doli përjashta. Vetëm pas një kohe të gjatë ia dola të zvarritesha deri në banjë dhe vetëm atëherë e kam kuptuar se i gjithë trupi më ishte mbuluar me njolla si pasojë e goditjes. Vetëm fytyra, pos se ishte skuqur, kishte mbetur i paprekur. Atëherë e kam ditur se specialitet i Emilit ishte të godiste nëpër ato pjesë të trupit që nuk shiheshin, kështu që askush të mos mundej t’i shihte, e ai edhe më tutje mund të shtirej dhe aktronte se ishte një njeri i butë dhe i përzemërt. Në ato momente më ka telefonuar nëna ime.

- Përshëndetje zemra e nënës, a është krejt në rregull te ti – më pyeti e lumtur. Po dëshiroja t’ia them të gjitha, që ta lus të më ndihmojë, por kur mendova në dhimbjet që ia sjell, kam vendosur të hesht. Nuk kam mundur ta pikëlloj ashtu dhe t’i brengos prindërit e mi, të cilët ishin të bindur se vajzën e tyre të vetme e kanë martuar për një mashkull të kujdesshëm.

- Po, shumë mire jam – u përgjigja duke u shtirë se jam shumë mire me disponim.

- Disi e ke zërin e çuditshëm, a mos je ftohur? Duke mbajtur lotët, m’u kujtua se si ajo gjithmonë kishte aftësinë ta ndjejë kur unë gjendesha në situate jo të mire, kështu që shumë shpejt e kam mbyllur telefoni me arsyetimin se më duhet ta përfundoj darken. Pjesën tjetër të mbrëmjes e kam kaluar e shtrirë në shtrat, duke u dridhur dhe u ngritur nga shtrati sa herë që ndjeja ndonjë zë. Emili është kthyer dikur natën vonë, më urdhëroi që të shkoj në shtrat, të bëjmë marrëdhënie seksuale, por ishte paksa më i ashpër sesa që mendoja se do të ishte. Ndoshta përmes kësaj kishte dëshiruar të ma thoshte se ma kishte falur. Por, me gjithë këtë, unë u ndjeva e keqtrajtuar dhe e dhunuar. Që atëherë e kam kuptuar se isha bërë viktimë e një njeriu të krisur. Dy ditë më pas, kur kam ngritur lart dorën për të marrë diçka në kuzhinë, e kam vërejtur shikimin e tmerruar të Lavdisë, njërës nga koleget e mija më të mira. Ajo po e shikonte dorën time nën bluzë, e mbuluar plot me njolla të tmerrshme. Shumë shpejt e kam lëshuar mëngën poshtë për të shmangur secilën pyetje të mundshme, por ajo më vonë u afrua te tavolina ime dhe më tha se dëshiron të bisedoj me mua. Ia bëra me kokë në shenjë të pranimit. - Ki kujdes – më tha atëherë. Disa situata bëhen keq e më keq dhe mund të përfundojnë edhe më keq.

- Ah, e ke fjalën për këtë – thash me një ton të lehtë dhe kam ngritur mëngën. Kjo është vetëm pasojë nga rënia ime në shkallë. (vijon)

(Kosova Sot)