Roman dashurie: Triumfi i dashurisë (63)

  • 18 February 2018 - 15:39
Roman dashurie: Triumfi i dashurisë (63)

Edhe pse e lexoi tërë e-mailin me vëmendje të madhe, mendja e tij thuajse nuk regjistroi fare atë që thuhej aty, meqë ajo ishte në kërkim të vetëm një gjëje - një informate rreth Sabrinës - çfarëdo informate. E hapi edhe një adresë tjetër elektronike, në "hotmail", të cilën kishte kohë që nuk e përdorte, vetëm për të parë a kishte ndonjë gjë. Ishin nja 15 e-maila, por thuajse të gjithë "spam", kështu që vetëm u çregjistrua dhe e fiku kompjuterin. - Kujtim... çka po bëjmë? E shikoi Lenditën në sy. Sikur donte ta lexonte mendjen e saj. Sikur nxënësi i dobët që, me çdo kusht, mundohet të kopjojë nga shoku, për shkak se mendjen e tij e ka krejtësisht "tabula rasa". - Sikur ta dija, Lenditë... Do të presim edhe pak, e pastaj do ta njoftojmë policinë. Ideja e njoftimit të policisë nuk i pëlqente aspak, por nuk i kishte mbetur thuajse asnjë opsion tjetër në dispozicion. Nuk donte që kjo çështje të bëhej publike. Assesi. - Xërrr! Ishte telefoni i tij që cingëronte. Me të shpejtë e mori, për të parë se kush e thërriste, derisa në vete lutej që të ishte Sabrina. Por, pa se e thërrisnin nga klinika. E njohu numrin hyrës të QKU-së, por nuk e dinte me saktësi se kush e thërriste.

- Alo! - Dr Kujtim, a jeni ju?

- Po... me kënd po flas?

- Jam Luani, një infermier i ri, nuk e di a më njihni? Nuk e njihte. Para dy javësh kishin filluar punën tre infermierë të rinj dhe ende nuk kishte pasur rastin që t'ua mësonte emrat. Por, nuk donte që ta zgjaste tepër muhabetin.

- Urdhëro Luan! - Doktor, kemi bërë një pranim në UKIP...

- Dëgjo koleg. Unë sot nuk do të vij në punë... më doli një obligim i papritur... Kështu që, informoje mjekun kujdestar, apo ndonjë mjek tjetër. - Por, doktor... drejtori më tha t'ju thërras juve.

- Të ka thënë, sepse ka menduar se jam në punë...

- Jo, jo... Doktor Kujtim... pacienti që kemi pranuar në UKIP është... gruaja juaj! Edhe sikur t'i kishin thënë se në Tokë kishin zbarkuar jashtëtokësorët, nuk do të befasohej më shumë.

KAPITULLI I NJËZETESHTATË

Në klinikë arriti me vrull, i shtyrë nga dëshira që të merrte vesh se për çka bëhej fjalë. Nuk i mori me vete as Gëzimin, e as Lenditën, përkundër insistimit të tyre."Të shoh unë njëherë çka ka ndodhur... do t'ju informoj menjëherë...". Duke mos iu dhënë hapësirë që të flisnin më shumë, doli jashtë. Donika dhe Kujtimja e përcollën deri te dera, por ai nuk pati guxim që t'ua hidhte sytë. Frikësohej nga reagimi i tyre. Nuk donte t'i merrte me vete, sepse nuk dinte se çka e priste në klinikë. Aq sa i shtohej kureshtja dhe shqetësimi që sa më parë të shihte se si kishte ndodhur që gruaja e tij të përfundonte në psikiatri, po aq shumë i shtohej edhe zemërimi ndaj drejtorit, i cili nuk i kishte telefonuar vet, por i kishte thënë një tekniku ta bënte një gjë të tillë."Tash me gjasë të gjithë e kanë marrë vesh... Me siguri kanë filluar thashethemet rreth 'gruas së trentë' të doktor Kujtimit". Duke kaluar disa herë në të kuqen e semaforit, përfundimisht arriti në QKU. Si për inat, para hyrjes ishte formuar një kolonë e gjatë. Kaloi në shiritin e emergjencës, për të hyrë më shpejt. Autor: H. B. I. (vijon) 

(Kosova Sot)