Ngjarje e vërtetë:E para dhe e vetmja (1)

  • 05 March 2018 - 14:48
Ngjarje e vërtetë:E para dhe e vetmja (1)

Të gjithë thonë se vetëm një herë dashurohesh dhe se ato dashuri janë dashuritë e pastra, të çiltra dhe dashuritë e sinqerta. Një dashuri si këto, e pastër dhe e sinqertë, ishte edhe dashuria ime. Një dashuri e vetme dhe e papërsëritshme. Vetëm se deri atëherë nuk e kisha përjetuar një dashuri si kjo. Kam dashuruar dikë kur isha shumë e re në moshë, dikë që ishte i ri po ashtu në moshë, puthjet e para, prekjet e para, lotët e parë ... Ishim një çift i pandarë në mes vete, vite rresht. Secilën ditë që reagonte ne e kalonim së bashku. E kemi njohur veten tonë, edhe atëherë kur ishim të lumtur edhe atëherë kur ishim të pikëlluar. Prindërit e mi e adhuronin pa masë atë djalë, sikur që më adhuronin familja e tij, ndoshta edhe ata e kishin dalluar dhe vërejtur se ishim të njëjtë, se ishim të krijuar për njëritjetrin. Kishin besim në ne dhe na linin të shkonim kudo, pa marrë parasysh faktin se ishim shumë të rinj në moshë. Por, sikur që thonë, gjithçka që është e bukur e ka një fund, kështu erdhi edhe fundi ynë. Rrita jonë ishte shumë e shpejtë, shkolla e re, rrethi dhe ambienti i ri, njerëz të rinj…. Përnjëherë gjithçka ishte kthyer kundër nesh. Partnerët e tij të punës kishin filluar atë ta tërheqin në njërën anë, e mua, të bukur dhe atraktive, shoqëria kishte filluar të më tërhiqte në anën tjetër. Dhe, natyrisht erdhi edhe fundi… Shumë i pikëluar dhe me plot dhimbje, sidomos për mua. Nuk po mund të pajtohesha me faktin që dita të fillonte dhe të përfundonte pa të, apo pa një porosi të tij. E kam thirrur, e kam lutur që të takohemi dhe së bashku ta tejkalojmë krizën në të cilën ishim futur, por krenaria e tij prej një mashkulli nuk e kishte lejuar një gjë të tillë. Ditët po kalonin, po kalonin muajt, e unë shumë pak isha shëruar nga kjo situatë. Aty ishin shoqet dhe shokët e mi, të cilët më nxirrnin nga shtëpia, në mënyrë që të mos shikoja fotografitë tona, të cilat ishin nëpër gjithë dhomën time dhe qaja gjithë ditën. Ishte kjo një periudhë e vështirë kohore, dhe do të thosha lirisht se kjo ishte periudha më e vështirë e jetës sime. Gjatë asaj kohe ai u vardisej shoqeve të mia dhe në të gjitha mënyrat e mundshme do të mundohej që të më lëndonte edhe më shumë, thuajse unë isha fajtorja për ndarjen tonë. Në ato momente të pafuqisë sime u shfaq një djalosh, i cili ishte plot me durim, dashuri dhe kujdes. Me orë të tëra i dëgjonte tregimet e mia dhe më ngushëllonte. Pas disa muajve kemi filluar të argëtohemi me njëritjetrin. Ndihesha mirë me të, dilnim së bashku, kishim shoqëri të madhe, por kur binte nata dhe mbetesha krejt e vetme, nxirrja kutinë time në të cilën ishin kujtimet e dashurisë sime të vërtetë dhe kështu ndodhte që deri në mëngjes të qaja. Muajt po kalonin e unë tash e një kohë isha në lidhje të re kur dëgjova se i dashuri im gjithnjë e më shumë ishte dhënë pas alkoolit, vrapon pas vajzave të ndryshme për vetëm një natë, madje kam dëgjuar se kishte marrë herë pas here drogë. Ndodhte që brenda natës të më thërriste në telefon deri në pesëdhjetë herë, që të vjen para shtëpisë sime dhe me orë të tëra të shikojë në dritaren time, por kurrë nuk e ka thënë asnjë fjalë të vetme. Vetëm të më kishte ftuar një herë për të biseduar dhe të shikohemi njëherë drejt e në sy, jam e bindur se gjithçka do të fillonte nga e para. Shpeshherë gjatë natës ëndërroja se si po vrapojmë drejt njëri- tjetrit për t'u përqafuar dhe në mëngjes nuk kisha dëshirë të zgjohesha, që ta ndaloj atë fotografi të mirë para syve të mi. E kam ditur se vuan për mua sikurse dhe unë për të, por krenaria nuk e linte ta bënte hapin e partë. Pas disa viteve mbeta shtatzënë dhe u martova për njeriun që me të vërtetë më dashuronte. Kur ish i dashuri im kishte dëgjuar për këtë ishte martuar me një vajzë, nuk e di prej nga ishte, vetëm për ta ushqyer inatin e tij. Unë e linda një djalë, e ai një vajzë, së cilës i kishte dhënë emrin tim. Para disa muajsh, kur djalin tim e kam dërguar për një kontroll te mjeku, jemi takuar në korridor, ishim vetëm unë, ai dhe foshnjat tona. Emocionet i lindën përsëri, edhe mua edhe atij ... tmerr. (vijon)

(Kosova Sot)