Ngjarje e vërtetë:NË PËRQAFIM TË INSTRUKTORIT TË SKIJIMIT (5)

  • 18 November 2018 - 16:08
Ngjarje e vërtetë:NË PËRQAFIM TË INSTRUKTORIT TË SKIJIMIT (5)

E dija se kolegët e mi ishin duke u skijuar dhe se Ana nuk do të ishte në dhomë. E lus që të më ndihmojë derisa të vendosem, e ai e pranoi këtë. Telefonoi në recepsion dhe shumë shpejt ma sollën një pije të nxehtë. Boby donte që të më çonte te mjeku, por unë e dija se një gjë e tillë nuk ishte e nevojshme. Shumë shpejt edhe ai e kuptoi këtë. Nuk humbte kohë. Që të dy ishim njerëz të rritur dhe dinim se çka donim. Momentet që i kalova me të ishin më të mirët në jetën time. Më së keqi ishte se, nesër në mëngjes, duhej të nisesha për në shtëpi. Të njëjtën mbrëmje u takuam edhe një herë. - Nëse për ty kam qenë diçka më shumë sesa instruktor i skijimit, atëherë mos më harro - më tha, para se të dilte nga dhoma ime. - Boby, ishe më shumë se aq - i pëshpërita dhe ia dhashë puthjen e fundit. Doja që të bërtisja, duke i thënë se ai, tek unë, kishte zgjuar ndjenja, të cilat kurrë më parë nuk i kishte zgjuar asnjë njeri, asnjë mashkull. Doja t'i thosha se sa e dashuruar që isha, sa e doja dhe sa do të vuaja për faktin që do të jetoja në një pjesë tjetër të botës. doja që t'ia kërkoja numrin e celularit, e-mailin, apo çfarëdo kontakti tjetër. Doja t'i thosha se do ta thërrisja çdo ditë, do të mendoja për të dhe do ta ëndërroja. Po, tërë këtë doja t'ia thosha, por nuk ia thashë. Nuk munda. Ishin ato momente të bekuara të jetës sime dhe doja t'i ruaja si të tilla. Nuk i premtuam asgjë njëritjetrit. Ishte mirë derisa zgjati, por për fat të keq, shumë shpejt përfundoi. Kthimi në vendlindje ishte si një dush i ftohtë për mua. Disa minuta pasi që arrita me taksi, nga aeroporti në shtëpi, ra zilja e derës. Nuk mund ta merrja me mend se kush mund të ishte, prandaj e lëshova valixhen nga dora dhe e hapa derën. Para dere gjendeshin pesë meshkuj, të veshur me rroba të policisë. - A jeni ju Adelina M.? - më pyeti njëri nga ta. U përgjigja me 'po'. - A ishit ju e fejuara e filanit? - vazhdoi me pyetje i njëjti polic. Edhe në këtë pyetje u përgjigja me 'po'. - Sinqerisht, nuk e di se çka është duke ndodhur e, as nuk e di pse mi bëni të gjitha këto pyetje. Nuk dua ta kujtoj atë njeri - i thashë. - Duhet të përgjigjeni në pyetjet tona. Mund të na lini të hyjmë brenda, apo të bisedojmë këtu, në korridor? - Natyrisht, hyni lirisht! Sapo u ktheva nga Aspeni, më falni për tollovinë në banesë - kërkova falje derisa ata, njëri pas tjetrit, hynë në banesë. Krejt kjo situatë më frikësonte. Gjatë tërë jetës sime nuk i kisha bërë kujt keq. Bile, nuk kisha as dënime në trafik. Isha njëra ndër ata persona që besojnë se rregullat duhet të respektohen, prandaj edhe e bëja atë gjë. - Nga Aspeni u kthyet, a? - më tha polici i njëjtë. - Është evidente se qenkeni e pasur. Atje nuk mund të shkojmë ne që punojmë për një rrogë të mjerë - tha tjetri. Ia hodha një shikim të ashpër. Atij nuk duhej t'i interesonte pse dhe si kisha shkuar në udhëtim, e as kush kishte paguar për të. Isha një qytetare e lirë, në një vend të lirë, ku do të duhej të sundonte demokracia. Nuk thashë asgjë në lidhje me komentin e tij të pacipë. Ata filluan që ta shikonin banesën time. Aty nuk kishte asgjë luksoze. As gjëra të shtrenjta. (vijon)

 

(Kosova Sot)