Ngjarje e vërtetë:NË PËRQAFIM TË INSTRUKTORIT TË SKIJIMIT (7)

  • 20 November 2018 - 16:02
Ngjarje e vërtetë:NË PËRQAFIM TË INSTRUKTORIT TË SKIJIMIT (7)

Sjellja e Dritonit nuk më befasoi. Ai gjithmonë ishte i prirë ndaj veprimeve të palejuara, nga të cilat më së shpeshti e nxirrte babai i tij me ndikim, i cili për të shpikte arsyetime të marra. Atëherë me të vërtetë besoja në pafajësinë e tij, por tani jam mbushur mend. Ishte evidente se i ati i tij me atë rast nuk mund të bënte asgjë për djalin e tij të hasretit. A mund të jetë që Dritoni të ketë bërë aq shumë gabime, saqë edhe i ati i tij i kishte ngritur duart nga ai, apo thjesht nuk mund t'i ndihmonte. Këtë nuk e di, e as që më intereson. Jam e lumtur që nuk kisha më asgjë me të, edhe pse tërë ajo situatë më shqetësoi dhe ma prishi disponimin me të cilin isha kthyer nga Aspeni. Rreth dy muaj pas kthimit nga skijimi, kuptova se kisha ngelur shtatzënë. Ky ishte një lajm i papritur, por e prita me gëzim të madh. Prej se isha kthyer në atdhe, nuk kisha pasur kurrfarë kontakti me Boby-n. E ëndërroja, duke menduar për të dhe më kujtoheshin ledhatimet e tij. Më vinte që të telefonoja në hotelin ku kishim qëndruar, e ku të gjithë e njihnin atë, por gjithmonë ndërroja mendjen sapo e kapja telefonin me dorë. Sinqerisht, mendoja se burri është ai që duhet ta kërkojë gruan, e jo anasjelltas. Për një kohë e fshihja shtatzënësinë, por më pas vendosa që t'iu tregoja të gjithëve. Drejtori buzëqeshi dhe më tha se isha e guximshme që kisha vendosur ta rrisja fëmijën e vetme, kurse gruaja e tij më premtoi tërë ndihmën e mundshme. Por, nëna ime u soll krejt ndryshe nga ta. Ajo, e cila do të duhej të më ofronte më së shumti mbështetje, më qortoi sikur kurrë më parë. - Fëmija yt do të jetë kopil. A je e vetëdijshme se në ç'botë do të rritet ai fëmijë? Të gjithë do të bëjnë me gisht kah ai. Do t'ia vështirësosh çdo hap në jetë. Fëmijët do ta përqeshin, e as kur të rritet nuk do ta ketë më mirë - më thoshte. Nuk mund ta bindja se kohët kishin ndryshuar dhe se sot ka shumë fëmijë të tillë, sikur që do të jetë fëmija im. Ndoshta nuk mund ta bëja me baba, por isha e gatshme që ta doja, për dy vetë. Nuk u lëkunda para fjalëve të rënda të nënës, e asnjëherë nuk i rashë pishman për vendimin tim. Linda një djalë të mrekullueshëm, të cilit ia vura emrin e babait të tij. gjatë tërë asaj kohe nga mësuesi i pashëm i skijimit nuk kisha marrë kurrfarë lajmi. Gjatë verës disi shpresoja se do të më trokiste në derë, por kjo nuk ndodhi. Përpos kësaj, pasi që linda, nuk dija a do të donte ai ta përmendja si baba të fëmijës, kështu që atë rubrikë e lashë të zbrazët. Zemrën time e lashë në Aspen, por për këtë shkak në jetën time erdhi një djalë i mrekullueshëm, i vogël, i cili i ngjante shumë babait të tij. Tërë vëmendjen dhe dashurinë time e drejtova kah ai. Ishte nata e Kërshëndellave edhe pse djali im, Boby, ishte ende i vogël për ta ditur domethënien e kësaj feste. E bleva një pemë të Kërshëndellave. E vendosa në dhomë të ditës dhe e stolisa me lloj-lloj stolie. Nën të vendosa dhurata të ndryshme, të cilat i kisha blerë për djalin tim të vetëm. Boby flinte me gjumin e fortë të një vogëlushi. E unë për një moment e shikoja, e më pas dola nga dhoma e tij, por duke e lënë derën pak të hapur, në mënyrë që të mund ta dëgjoja në çdo rast. Kur ra kambana e kishës së afërt, desha që, sikur gjithmonë, të isha në meshën e mesnatës. (vijon)

 

(Kosova Sot)