Ngjarje e vërtetë:Më gënjenin se më kishte vdekur vajza (1)

  • 09 dhjetor 2018 - 15:44
Ngjarje e vërtetë:Më gënjenin se më kishte vdekur vajza (1)

Prindërit gjithmonë mendojnë se e dinë më të mirën për fëmijët e tyre. Edhe prindërit e mi mendojnë kështu. Me anë të këtij tregimi të vërtetë dua ta dëshmoj thënien se, rruga deri në ferr, është e shtruar me qëllimet më të mira. Fëmijët që janë të moshës madhore, pa marrë parasysh etapën jetësore, kanë të drejtë që të marrin vendime të pavarura, të përzgjedhin, duke marrë mbi vete edhe pasojat e mundshme. Sikur prindërit të më kishin lejuar ta zgjidhja gruan me të cilën do ta kaloja jetën, gjithçka do të ishte më e thjesht dhe më e lehtë, nuk do të më duhej të ecja ferrave këmbëzbathur, nuk do të përjetoja kaq shumë probleme, e as uragani nuk do ta shkatërronte lumturinë time. Sot është përvjetori i vdekjes së prindërve të mi. I vizitova varret e tyre dhe iu dëshirova të gjitha të mirat në atë botë, por nuk munda që të largohesha nga varrezat, pa atë ndjenjën e idhtësisë, e cila një kohë të gjatë i kishte karakterizuar të gjitha aspektet e jetës sime. Babai qëmoti kishte dalë në kërkim të idares. Pasi kishte bredhur nëpër Suedi, Finlandë, Zvicër, në fund ishte ndalur në Germersheim. Ishte njeri i edukuar, fliste tetë gjuhë të huaja. Ishte punësuar si ligjërues në universitet, jetonte për studentët dhe profesionin e vet. Tre vjet kishte jetuar vetë, në një banesë të vogël, e më pas kishin vendosur me nënën që edhe ajo dhe unë të shkonim te babai. Kisha vetëm dy vjet kur arrita në Gjermani dhe ende nuk isha i vetëdijshëm për asgjë rreth meje, përpos që do të më mungonin gjyshi dhe gjyshja, të cilët i lamë në atdhe. Sikur edhe çdo fëmijë tjetër, shumë shpejt u mësova me ambientin e ri. Kishim një banesë të madhe, mirë të mobiluar, e nëna kënaqej duke jetuar aty. Për dallim nga babai, ajo nuk ishte e arsimuar. Kishte mbaruar vetëm shkollën fillore, por përkundër kësaj, ajo e kishte fjalën kryesore në familjen tonë. Babai punonte dhe fitonte, e ajo i menaxhonte paratë, ashtu që, përkundër të gjithave, të na mbeteshin para edhe për nevojat elementare. Me të arritur në Gjermani, nëna dhe unë filluam mësimin e gjermanishtes, por unë e mësoja shumë më shpejt sesa ajo. Nëna ndihej krenare që ishte gruaja e një intelektuali dhe të gjithëve u thoshte se ishte gruaja e një doktor shkence. Në fqinjësinë tonë kishte mjaft moshatarë të mi dhe me të gjithë shumë shpejt u njoftova dhe fillova që të shoqërohesha. Në anën tjetër, nëna e kishte më të vështirë që të komunikonte me fqinjët. Pengesa e parë ishte gjuha, e pengesa e dytë ishte bindja e saj se ne, në gjithçka, ishim më të mirë sesa fqinjët dhe se ajo nuk ka çka të shoqërohet me gruan e automekanikut, të shitësit, apo kasapit. Babai shpesh i bënte vërejtje në këtë drejtim, por ajo vazhdonte me të sajën. Më së shumti gëzohej kur vinte koha e pushimeve verore, kur ktheheshim në atdhe, apo thënë më mirë, në një fshat të vogël, ku jetonin prindërit e saj. Me ditë të tëra para shkuarjes në atdhe, ajo dilte për të blerë gjëra me lirim, duke iu bërë dhuratë të gjithë atyre që i njihte. Atje ajo iu thoshte njerëzve se dhuratat i blinte ku ishin më të shtrenjtat dhe se kurrë nuk kursente për njerëzit që i donte. Natyrisht, mburrej shumë me profesionin e babait. Derisa isha më i ri nuk iu kushtoja vëmendje dhe rëndësi fjalëve të saj, por me t'u rritur, fillova të shihja se sa të mëdha ishin gënjeshtrat e saj. Nuk e kisha të qartë pse vepronte kështu dhe, në një rast, kur e pyeta pse një gjë e thotë, e një gjë krejt tjetër e bën, ajo vetëm bëri me dorë, duke më thënë se, edhe ashtu, unë nuk kuptoj asgjë. (vijon)

 

(Kosova Sot)