Ngjarje e vërtetë:Më gënjenin se më kishte vdekur vajza (2)

  • 10 December 2018 - 16:12
Ngjarje e vërtetë:Më gënjenin se më kishte vdekur vajza (2)

Si adoleshent kisha filluar që të largohesha gjithnjë e më shumë nga nëna. Nuk më pëlqente kjo sjellje e saj prej snobi, e as mënyra e saj e të menduarit. Kur nuk isha në shkollë, kohën e kaloja me shumë shokë në fushë të lojës dhe me aktivitete të shumta, të lira. Edhe nëna, e edhe babai ishin krenarë me mua. Isha nxënës i shkëlqyeshëm, sportist i mirë dhe të gjithë arsimtarët më përmendnin si shembull të mirë. Edhe pse isha rritur në Gjermani, kurrë nuk e kisha harruar vendlindjen time. Më pëlqenin ditët verore, e duke u rritur, kisha filluar t'i pëlqeja edhe mbrëmjet e gjata verore. Në fshatin ku jetonte gjyshja u njoftova me Valbonën. Ishte pesë vjet më e re se unë, por që nga dita që e pash për herë të parë, nuk pushova së menduari rreth syve të saj, të kaltër sikur qielli, rreth dredhave të gjata e të errëta të flokëve të saj dhe rreth buzëqeshjes dhe zërit të saj të mrekullueshëm. U dashurova në të me tërë zemrën dhe këmbyem puthjet e para, ende fëmijërore. Kur kthehesha në Gjermani, përshëndetesha gjatë me të, duke qarë si fëmijë, i shkruaja letra të gjata ku ia shprehja ndjenjat dhe dëshirat e mia rinore. Isha i sigurt se ajo do të bëhej gruaja ime, kur të vinte vakti. Edhe pse dilja me shokët në Germersheim dhe rrethinë, kurrë nuk kisha shikuar ndonjë vajzë tjetër. Mendimet i kisha gjithmonë të fokusuara te vajza më e bukur në botë, te Valbona ime. Kisha njëzetenjë vjet kur fjeta së pari me të. E dija se ishte e re, por nuk mund t'iu përballoja ndjenjave. Më pas na kaploi frika se mos ajo po ngelte shtatzënë, por kjo nuk ndodhi. Edhe familja e saj, e edhe ajo e imja, e dinin se ne ishim në lidhje. Të sajat ishin të bindur se, posa të bëhej e moshës madhore, unë do ta kërkoja dorën e saj, gjë që unë kurrë nuk e kisha vënë në pyetje. Problemi i parë u paraqit kur ajo mbushi të tetëmbëdhjetat, e unë ende nuk i kisha mbaruar studimet. Doja që ta mbaroja fakultetin, të punësohesha, e tek më pas të martoheshim. Por, Valbona donte që sa më parë të largohej nga shtëpia e prindërve. Atë verë, kur shkova e vizitova, ajo më tregoi se sa vështirë e kishte përjetuar faktin që ende nuk ia kisha çuar shkuesit. Nuk e kuptoja. - Valbona, jemi marrë vesh që, së pari unë t'i kryej studimet, të punësohem, e më pas të martohemi. Më vjen keq që nuk jam aq i zoti, sa që për një vit t'i kryej dy vite të studimeve, por kjo është situata. Mos në shtëpi të maltretojnë? - e pyeta, duke mos mundur ta kuptoja atë nguti të saj për martesë. - Të mitë nuk më bëjnë asgjë të keqe, por gjyshja jote flet nëpër fshat sesi ti kurrë nuk do të martohesh me mua dhe se prindërit e tu ta kanë gjetur një vajzë në Germersheim, me të cilën duan të të martojnë. Të tutë janë ata që mendojnë se nuk jam mjaft e denjë për ty. - Mos u bëj e marrë, këto me gjasë janë fjalë të gojëkëqijve. Gjyshja ime kurrë nuk do të thoshte gjëra të tilla, edhe ti e do sa të do ajo ty. Në Gjermani nuk kam të dashur, e as që do ta kem ndonjëherë. Vetëm ty të dua. Çka duhet të bëj që të të siguroj në vërtetësinë e kësaj që them? - më interesonte, meqë ajo pasiguri e saj më bënte nervoz. - Herolind, të lutem më fejo - ra në gjunjë para meje, duke më lutur. - Zemër, me gjithë qejf do të të fejoja, por nuk kam as unazë me vete. Dua që në Gjermani të ta blej një unazë të bukur, më të bukurën që ekziston, edhe pse as unaza më e bukur nuk do të jetë e denjë për bukurinë tënde - i thash me sinqeritet. - Bleje këtu një unazë çfarëdo. Për mua nuk ka rëndësi që të jetë unazë e shtrenjtë, e as me gur të çmuar. Thjesht, dua që të jem e sigurt se do të më marrësh, e nuk do të më braktisësh pas tërë atyre netëve, kur tinëz dilja nga shtëpia, që të flija me ty. Më fejo, të lutem! Dua që fshatit t'ia mbyll gojën e keqe - më thoshte ajo, por unë nuk e merrja seriozisht. Mendoja se e kishte kapluar një valë e xhelozisë, e cila do t'i kalonte sapo ta merrte vesh se e dua atë dhe vetëm atë. (vijon)

 

(Kosova Sot)