Roman dashurie:Si u dashurova në ty (84)

  • 11 December 2018 - 16:10
Roman dashurie:Si u dashurova në ty (84)

Nuk mund të duroj kur më bën të qaj, kur më bëri të pranoja se unë e kisha vrarë Kyle-n. Ndjenja e fajit rritej dhe ulej dhe kjo më shkaktonte dhembje, sikur të ma ngulnin thikën në zemër. Ky ishte pikëllimi im. Humbja. Vetëdija se Kyle nuk është më. Natyrisht, ai ka shkuar. Këtë e kam ditur. Por, ky është pikëllimi. Dhembja, vetmia. Këto janë më të këqija sesa faji. Gjithmonë e kam ditur se faji ishte i gabueshëm dhe i pavend. Faji të cilin nuk mund ta justifikoj, nuk mund ta largoj apo ta shpjegoj. Jam duke luftuar me fantazma. Jo. Nuk mund ta lë këtë të dalë jashtë. Ai më detyroi ta ndjeja fajin, nuk mund të më bëjë ta ndjej pikëllimin. Nuk e dua këtë. Kjo është tepër. Kjo do të më bëjë copë e grimë. Një dollap hapet. Nuk jam e vetëdijshme për lëvizjet që bëj, por jam unë në kërkim të një thike. Le të nervozohet ai. Nuk mërzitem hiç. I dëgjoj hapat e tij. Me gjasë më kishte lënë që të qetësohesha, por tani e dinte se çka isha duke bërë. Ai vonohet. Dhembja paraqet një lehtësim të bekuar. Shikoj me një kënaqësi mëkatare vijën e hollë të damarëve të gjakut, të cilët i pres me thikë. Thika nuk është e mprehtë, prandaj më duhet të bëj presion. Prerja është e thellë. "Çka dreqin... ?", më thotë Colton, duke më shikuar me zemërim dhe frikë. "Nell… çka dreqin ke bërë?" Nuk marr mundin që të përgjigjem. Më merren mendtë, derisa më del gjaku. Shikoj poshtë dhe shoh ngjyrën e kuqe duke u përhapur. Prerjen me të vërtetë e kisha bërë të thellë. Nashtë! Pikëllimi largohet më së miri me dhembje. Ai më kap në krahët e tij të fortë dhe më bën presion në dorën e prerë. Kishte marrë një peshqir të bardhë, i cili shumë shpejt u bë i kuq. Ai ma shtrëngon dorën aq fort, sa që më dhemb më shumë sesa prerja. Derisa vishet. Me një dorë ma mbanë dorën time të prerë. E ndjej dhe e dëgjoj frymëmarrjen e tij të përshpejtuar. "Dreqi ta hajë, Nell. Pse?" Ndiej sikur më vjen zëri. Dhembja në zërin e tij është e madhe, e prekshme, sikur të mos e kisha prerë veten, por atë. Dua t'ia zvogëloj dhembjen. "Nuk mund të duroj më", i them duke pëshpëritur, meqë pëshpëritja është e tëra që mund të bëj. "Kjo është tepër. Ai ka ikur dhe nuk do të kthehet më. Ai ka vdekur. Tani është vetëm një grumbull eshtrash në një kuti të drunjtë, një kujtim që vjen duke u zbehur. Asgjë nuk e ndal këtë dhembje, as edhe koha". "E di". "Jo, nuk e di", i them me zemërim. "Ti nuk ishe atje. Nuk je në kokën time, prandaj nuk e di". "Ai ishte vëllai im i vogël, Nell", tani zëri i tij duket më i brishtë sesa ai i imi. "Por… ti ike kur ne kishim 11 vjet dhe kurrë nuk erdhe më as për vizitë". Kjo ishte diçka për çka unë dhe Kyle kurrë nuk kishim biseduar, por e dija se e bënte konfuz, e lëndonte. As prindërit e tij nuk flisnin për Coltonin. "Shiko, prit... nuk është se kisha zgjidhje tjetër. Mezi ia dilja që të mbijetoja. Më mungonte çdo ditë të lume. Në kokën time i kam shkruar me mijëra herë, derisa mundohesha që të flija në ulëset e parkut dhe në sheshe, i mbuluar me gazeta. Me mijëra letra, të cilat kurrë nuk do të isha në gjendje t'ia shkruaja. Nuk kisha as strehim, e as ushqim, e aq më pak një biletë të autobusit për Detroit." Diçka në tërë këtë që ma thotë ai, më duket e çuditshme, por meqë më merren mendtë dhe ndihem e dobët, nuk mund ta di se çka. (Vijon)

 

(Kosova Sot)