Ngjarje e vërtetë:Më gënjenin se më kishte vdekur vajza (3)

  • 11 December 2018 - 16:11
Ngjarje e vërtetë:Më gënjenin se më kishte vdekur vajza (3)

Atë verë jam kthyer në Gjermani dhe nuk i kam propozuar martesë. Kam vazhduar me studimet, i kam shkruar letra rregullisht dhe kem menduar për pjesën tjetër të jetës që do ta kalonim së bashku. Valbona më përgjigjej në letra, e në secilën prej tyre shkruante për dëshirën për t'u martuar, dhe rreth dyshimeve se çfarë bëj kur jam kaq larg prej saj. Kjo kishte filluar të më shkonte në nerva, më shumë për faktin se gjithmonë isha i ndershëm dhe nuk i kisha dhënë asnjë arsye për dyshime. Nëna, e cila gjithmonë ishte në shtëpi, kishte vërejtur se shpeshherë po ndryshonte disponimi pasi që lexoja letrat, të cilat mi kishte dërguar Valbona. - Bir, ajo vajzë vetëm dëshiron të ikë nga shtëpia dhe mjerimi ku ajo jeton. Nuk të dashuron ajo ty, por vetëm të hollat që ne i kemi. Ti je për të mundësia e vetme për jetë më të lumtur. Cila vajzë normale, që e dashuron një djalë të ri, do të kërkonte martesën para se ta përfundoj shkollimin? Secili e di se sa i rëndësishëm është edukimi në këtë botë moderne. Sikur të dashurojë sinqerisht, kurrë nuk do të tërhiqte prej mësimeve dhe studimeve, por me durim do të priste të diplomosh dhe të fillosh punën. Ajo është një zhvatëse e zakonshme, me të cilën kurrë nuk do të jesh i lumtur. Nëse e marton, ajo do të jetë një gur në karrierën tënde, e ty si student i dalluar një e ardhme e ndritur po të pret përpara. A mendon se ajo vlen sa gjithë këto gjëra që dëshiron t'i hedhësh për të - më tha nëna për të parën herë në lidhje me këtë temë. Nuk po pajtohesha me të, por edhe mua më dukej e pakuptimtë që Valbona të më ndalonte në studime dhe përparim. Pos kësaj, para se të martohem, dëshiroja ta njoh botën dhe kulturat e ndryshme. Prindërit, që nga momenti kur jam pjekur, gjithmonë më kanë dërguar në udhëtime që më dukeshin shumë interesante. Me miqtë e mi e kam shëtitur gjithë Evropën, por pothuajse edhe të gjitha kontinentet. Kam mësuar shumë gjëra, pëlqeja të udhëtoja dhe të kënaqem me miqtë e mi. Kurrsesi nuk e kisha të qartë pse Valbona po ngutet kaq shumë me martesën. Verën e vitit të ardhshëm e kam kaluar me të, por gjithnjë duke e zvarritur martesën. Me kalimin e viteve Valbona po dukej si mos më keq. Kur ishte një njëzet vjeçe dukej si një dyzet vjeçe. - Valbonë, çfarë ke? A mos je e sëmurë? - E kam pyetur në verën e fundit që e kemi kaluar së bashku. - Sëmundje nuk kam në trup, por vuajtja çdo ditë e më shumë po më plakë. Kam menduar se si jeta jonë e përbashkët do të fillonte por me sa duket fati nuk e ka dashur kështu. Kush e di, çfarë do të na ndodhë neve para se të kurorëzohemi - m'u përgjigj, ndoshta e lodhur nga zvarritjet e tua. - Shumë shpejt do të diplomoj, të premtoj, atëherë do të propozoj martesë - u pikëllova shkau i përgjigjes së saj që mora. - Herolind, mos u zemëro, por unë mendoj se atë ditë kurrë nuk do ta pres. Të gjitha shoqet e mia ose janë martuar ose fejuar, e unë edhe më tutje jam vet. Ti po vjen e po shkon, kush e di cilat janë qëllimet tuaja. Ndoshta kam gabuar pse të dashuroj kaq shumë dhe pse të besoj? Ndoshta në mënyrë të hidhur do të vajtoj për gjithë këtë, kush e di? Sikur vajzë jam gëzuar se do të bëhem gruaja jote, por ndoshta një gjë të tillë nuk do ta pres kurrë - ishte përplot me dyshime, e sa për ta bindur se do ta mbaj fjalën, unë e kam dërguar te shtëpia e gjyshes. Aty ishim vetëm ne, e kam puthur buzën e saj dhe e kam prekur lëkurën e saj të butë. Gjatë asaj vjeshte shpesh kam biseduar rreth planeve për të ardhmen dhe për qëllimet e martesës sime. Prindërit më përgjigjeshin, duke më thënë se me njëzet e pesë vjet isha shumë i ri për të krijuar familje. Pajtohesha me ta, por ashtu po mendoja edhe për sytë e pikëlluar të Valbonës dhe m'u kujtuan premtimet e mia. (vijon)

 

(Kosova Sot)