Ngjarje e vërtetë:Më gënjenin se më kishte vdekur vajza (3)

  • 12 December 2018 - 16:00
Ngjarje e vërtetë:Më gënjenin se më kishte vdekur vajza (3)

Disa ditë para se të diplomoja, i telefonova Valbonës, duke e ftuar që të vinte në Germersheim, në mënyrë që të merrte pjesë në atë ceremoni. Nuk ma ktheu atë letër, e meqë prindërit e saj nuk kishin telefon, nuk kisha si të informohesha çka i kishte ndodhur. E thirra gjyshen dhe e luta që t'ia dërgonte porosinë Valbonës, por dy ditë më vonë ajo më tha se Valbona nuk ia kishte dhënë asnjë përgjigje. Kjo më befasoi, por supozova sërish se ajo ishte e zemëruar pse nuk ishim martuar ende. E festova diplomimin me prindërit dhe me disa miq të ngushtë. Vetëm një javë pas diplomimit, mu ofrua puna e parë. Isha tepër i lumtur. E pranova atë ofertë me kënaqësi dhe fillova të punoja si arsimtar i anglishtes në një shkollë fillore. I shkrova Valbonës me entuziazëm, por ajo nuk mu përgjigj. Kur as pas tetë letrave, nuk mora farë përgjigje, fillova që të shqetësohesha. Gjyshen e kisha ngushëllimin e vetëm dhe mundësinë e vetme që të merrja vesh se çka ishte duke ndodhur me Valbonën. Sa herë që e thërrisja, gjyshja më thoshte se si Valbona nuk kishte dashur të fliste me të. Gjithçka më ishte e çuditshme, meqë Valbona nuk ishte e këtillë, prandaj vazhdova t'i shkruaja. Por, përgjigje nuk merrja. Meqë sapo ia kisha filluar punës, nuk mund të merrja ditë të lira. Nuk mund të udhëtoja në atdhe për të parë se çka ishte duke ndodhur. Krejt kjo më mundonte pa masë, por shpresoja se do të ndodhte diçka që do të ma sqaronte tërë këtë situatë. Një mbrëmje, pasi që u ktheva nga puna, e gjeta nënën duke qarë. U frikësova dhe e pyeta çka kishte. Ajo ishte njeri zemërgur dhe rrallëherë qante. Isha i sigurt se diçka i kishte ndodhur gjyshes, gjyshit, apo babait. - Bir, sot më telefonoi gjyshja dhe përfundimisht më tregoi pse nuk je duke marrë përgjigje nga Valbona - tha duke dënesur. - Më trego çka është duke ndodhur - nuk kisha durim të prisja. - Valbona paska vdekur një javë pasi që ne u kthyem verës nga vendlindja. Ajo ishte tepër e sëmurë, vuante nga kanceri. Mjekët nuk mund të bënin asgjë për t'i ndihmuar. Prindërit e saj nuk të njoftuan, meqë Valbona i kishte lutur që të mos të të tregonin. Përpos kësaj, ti e di se ata ishin të zemëruar, meqë ju dy nuk u fejuat. Gjyshja thotë se ata të fajësojnë ty për vdekjen e Valbonës dhe se nuk duan të dëgjojnë për ty. Nuk deshën që të shihnin as në varrimin e saj. Ia kishin treguar gjyshes një letër të cilën e kishte shkruar Valbona. Aty shkruan se të ka dashur, por se e kishe zhgënjyer tepër shumë kur kishe refuzuar që të fejoheshe me të. Kishte shkruar edhe se nuk dëshiron që të shkoje as në varrimin e saj, e as te varri i saj. Në letër thotë se shpreson që, edhe pse nuk i respektove kërkesat e saj gjatë kohës sa ishe gjallë, të paktën t'ia respektosh kërkesat pas vdekjes - më tha nëna, duke i fshirë lotët me shami të letrës. - Valbona ka vdekur? Si ka mundësi? Pse nuk më kishte treguar? Kisha dyshime, nënë, kisha dyshime. Kur u pamë për herë të fundit, e pyeta mos ishte e sëmurë. Më rrejti. Pse? Pse nuk mu rrëfye? Pse e humbi besimin te unë dhe në dashurinë time të pafundme? - bërtisja nga dhembja ime e pafundme, e cila ishte duke ma zënë frymën. As vetë nuk e di sa kisha qëndruar ulur, duke vajtuar. Nuk vonoi e erdhi babai, kështu që prindërit filluan të më ngushëllonin. Të nesërmen i telefonova gjyshes, e cila po ashtu ma vërtetoi tregimin e njëjtë. Mbeta i dërmuar, i turpëruar para Zotit dhe para njerëzve. E fajësoja veten për gjithçka që kishte ndodhur. Doja që të shkoja menjëherë në vendlindje dhe të hallashtisesha me të, por më kujtohej dëshira e saj e fundit. Për shkak të dashurisë së madhe që kisha ndaj saj, meqë nuk ia kisha respektuar kërkesat sa ishte gjallë, vendosa që t'ia respektoja dëshirën e saj të fundit. (vijon) 

 

(Kosova Sot)