Ngjarje e vërtetë: Si u takova me dashnoren e burrit (4)

  • 20 January 2019 - 15:58
Ngjarje e vërtetë: Si u takova me dashnoren e burrit (4)

- SHiko, pse t'i mbyllim sytë para së vërtetës? - thash duke fshirë lotët që më rridhnin fytyrës. Dera e tualetit tani u hap dhe hetova që dikush hyri, prandaj e ula zërin. - Tani më duhet të shkoj. Do të të thërras pasdite, pasi që të arrij në shtëpi. Jam e mjerë, motër, e mjerë! Atë pasdite më nuk arrita ta thërrisja motrën, meqë isha e zënë me shumë obligime. Pas punës shkova në mbledhje të prindërve, e më pas në shtëpi, për t'i bërë përgatitjet për ditëlindje. Gjatë tërë kësaj kohe mendoja për atë që kisha dëgjuar në autobus. Pyetesha si kishte mundësi që tërë kjo të kishte shkuar kaq larg, e unë nuk kisha vërejtur asgjë. Dhe, sapo fillova të mendoja se mos isha ngutur me paragjykimet e mia, në kuzhinë hyri Fatmiri, i cili me komentet e tij, përsëri mi zgjoi dyshimet. - Sikur ta kisha ditur kush i shpiku këto festat e ditëlindjeve - tha i tmerruar nga pamja e kuzhinës, e cila me të vërtetë dukej si një fushëbetejë. Gjithandej kishte enë të palara, në të cilat kisha përgatitur kremin e tortës, sallatën... - Sikur të pyetesha unë, ditëlindjen do ta festonin vetëm fëmija. Çka më duhet mua torta? Dëshira më e madhe imja do të ishte që të ikja nga ky cirkus …

E dëgjoja çka thoshte dhe më kujtoheshin automatikisht fjalët e asaj vajzës: "Më tregoi se nuk i festohej aspak me të tijët, por nuk ka si të nxirret… ". - Hej, çka ke? Disi u zbehe! - zëri i Fatmirit më kthjelli nga të menduarit. Ia ngula sytë, duke menduar që t'ia them të gjitha në fytyrë. Do t'i thosha se i dija të gjitha dhe se nuk mund të më bënte budalla. Por, derisa unë hamendesha, ai më puthi në faqe. - Me gjasë je lodhë - tha. - Faleminderit që mundohesh kaq shumë rreth kësaj ditëlindjeje. Zëri i tij tingëlloi aq i nxehtë dhe i brengosur, sa që nuk munda t'ia thosha atë që e kisha në majë të gjuhës. Përsëri mu kujtuan fjalët e asaj vajzës. Ajo tha se Fatmiri ka për qëllim që të dalë me të gjatë fundjavës, për ta festuar ditëlindjen me të. Do të durohem deri atëherë dhe do t'i zë me pelë për dore! Ky ishte plani im … Ditëlindja kaloi më mirë sesa që kisha pritur. Motra e vogël e Fatmirit përsëri kishte rënë në dashuri dhe ishte në elementin e vet. E argëtonte tërë shoqërinë me barsoleta dhe me anekdota nga jeta e saj e pasur prej stjuardese.

Përpos kësaj, gjellët më dolën për merak, kështu që të gjithë kishin vetëm fjalë miradije për kuzhinën time. Gjatë mbrëmjes shikoja tinëz Fatmirin, duke u munduar që në fytyrën e tij të shihja shenja të nervozizmit, apo padurimit, por nuk vërejta asgjë. Ose shtirej shumë mirë, ose me të vërtetë ishte duke u kënaqë. Kur ikën mysafirët dhe mbetëm vetëm ne të dy, mu afrua dhe më përqafoi me butësi. - Hajde, gruaja ime - më tha në vesh, duke ma lëmuar shpinën. - Mendoj se pas tërë kësaj mbrëmjeje, do të të ishte i mirëseardhur një masazh. Po, po! Duke iu dorëzuar duarve të tij të fuqishme, mu duk se shkova në qiellin e shtatë, duke harruar me atë rast tërë atë që kisha përjetuar në autobus. Por, qysh nesër në mëngjes, më duhej përsëri të hipja në atë autobus. Sapo hyra, vërejta dy vajzat e njohura. Kësaj here me qëllim shkova deri te to dhe i mpreha veshët. Më duhej ta dëgjoja bisedën e tyre. Dhe, me të vërtetë, pas një bisede të shkurtër pa lidhje, përsëri filluan që të flisnin rreth Fatmirit. - Dhe? Çka të tha i dashuri për parfumin që ia dhe? - e pyeti zeshkania shoqen e vet bionde. - Të thash se do t'ia jap për fundjavë. Dje ka festuar me familjen në shtëpi. Më tha se për pak sa nuk vdiq nga mërzia! (vijon)

 

(Kosova Sot)