Ngjarje e vërtetë: Si u takova me dashnoren e burrit (6)

  • 22 January 2019 - 15:58
Ngjarje e vërtetë: Si u takova me dashnoren e burrit (6)

Pasi Fatmiri mori çelësat e veturës dhe, me një puthje të shpejtë, doli nga shtëpia, prita disa momente, e më pas sikur e xhindosur, shkova në garazh. U ula me të shpejtë në "Toyota"-n time dhe e ndeza atë. Tepër gjatë burri im më ka bërë budalla. Tani kishte ardhur koha që ta zija me pelë për dore dhe ta vendosja në vendin e turpit! Automobilin e ndala në fillim të rrugës, ku jetonte kumbara. Nuk doja që të rrezikoja të më shihte ndonjë i njohur, prandaj deri në shtëpinë e tij arrita këmbë. Nuk e di çka prisja, por kur në oborr pashë kumbarën dhe Fatmirin duke qëndruar afër veturës tonë dhe duke diskutuar, mbeta e befasuar.

A kishte mundësi që ai ta kishte harruar takimin me leshverdhën e vet? Apo ndoshta vizita te kumbara duhej të shërbente vetëm si alibi. Ndoshta tani do t'i hipë kerrit dhe do të shkojë atje, ku e presin? Vazhdova që të qëndroja edhe për pak kohë atje, prapa një shkurreje, duke shikuar se çka ishte duke ndodhur në oborr. Pasi Fatmiri veshi rrobat e punës, të cilat ia dha kumbara dhe filloi ta hiqte gomën e parë, gjërat u qartësuan: ai ma kishte thënë të vërtetën! Derisa shkoja me veturë në shtëpi, ndihesha shumë e habitur.

Çka ishte duke ndodhur tani? Vetëm deri pak më parë çdo gjë e kisha të qartë si kristali. A kishte mundësi që ai të më kishte hetuar dhe tani më kishte mashtruar kështu? Apo bëhej fjalë për diçka krejt të tretë. Përgjigja në këto pyetje më erdhi të hënën. Natyrisht, askund tjetër, pos në autobus! - Dhe? Si ia kalove për vikend? Autobusi përsëri ishte plot, sikur edhe çdo të hënë, e unë dihet, shkova menjëherë te dy shoqet. Zeshkania i ngriti vetullat me kureshtje derisa priste përgjigje nga shoqja e saj seksi. - Mos më pyet asgjë! Dështoi gjithçka! Më thirri të premten mbrëma, për të më treguar se kishte disa obligime të cilat nuk mund t'i shtynte dhe se do të takohemi javën tjetër. Biondina bëri fytyrën sikur një fëmijë i llastuar, i cili nuk kishte marrë atë që kishte pritur. Për pak sa nuk më shtini në gjynah! Por, më pas m'u kujtua se kisha të bëja me femrën e cila me çdo kusht donte të ma merrte burrin! - Kështu e ke kur përzien punë me burra të martuar - i tha shoqja me zë paksa të ulët, me gjasë për shkak se dyshonin se isha duke i dëgjuar.

- Pashë Zotin mos fillo tani të më mbash ligjërata! Të kam thënë tanimë se ai nuk është i lumtur në atë martesë. Janë bashkë vetëm formalisht. "Formalisht", përsërita me zemërim në vetvete. Nuk e paskam ditur që martesa ime qenka shndërruar në martesë formale. Për disa momente shoqet heshtën, e më vonë zeshkania iu drejtua përsëri biondes. - Kështu... a ke ti ndonjë fotografi të këtij Fatmirit? - e pyeti. U shtanga nga pritja. Çka nëse përsëri e fut dorën në çantën e saj të zezë dhe unë, duke shikuar me bisht të syrit, shoh fotografinë e burrit tim! Por, frika ime ishte e pavend, meqë biondina nuk kishte diçka të tillë. të paktën, jo me vete. - Kam, por në shtëpi. Nëse do të më kujtohet, do të ta sjell dhe do të ta tregoj. Do të shohësh. Është tepër i bukur! Këtu më duhej të pajtohesha me të. Burri im me të vërtetë ishte sharmant. Me flokët e tij ende të zeza dhe me sy të mëdhenj, ndonjëherë ma rikujtonte aktorin Omar Sharif në ditët e tij më të mira. Edhe kësaj here aq shumë isha përqendruar te biseda e dy shoqeve, sa që për pak sa nuk harrova të zbrisja në stacionin tim. Vrapova menjëherë në drejtim të derës. (vijon)

 

 

(Kosova Sot)