Ngjarje e vërtetë: Isha pjestare e një kulti sekreti (3)

  • 18 February 2019 - 15:31
Ngjarje e vërtetë: Isha pjestare e një kulti sekreti (3)

Dy vjet kaluan si për hajgare. Pasi që maturova, regjistrova studimet e fizikës, sikur edhe im at. Ky edhe ishte motivi im i vetëm, të isha sikur ai, si një version i përmirësuar i atit tim. Kisha bërë be se kurrë nuk do të isha aq e nënshtruar ndaj të tjerëve, sikur ai, se do të luftoja për veten time. Por, shumë shpejt kisha kuptuar se, ashtu, isha shndërruar në - nënën time. Dominuese dhe jo të gatshme për kompromis. Isha në një kurth, nga ku nuk kishte rrugëdalje. Gjatë tërë vitit të parë të studimeve mundohesha ta gjeja një mënyrë për të dalë nga kjo situatë, kështu që pas një lidhjeje me një djalë, të cilën lidhje e ndërpreva sapo vërejta sjelljen time dominuese, ngushëllimin e gjeta te një lidhje lesbike me një kolege, moshatare time. Atëherë më dukej se, me këtë veprim, shkëpusja të gjitha lidhjet që më lidhnin me familjen time, por isha mashtruar. E dashura ime, Selvia, ishte dominuese dhe posesive dhe përsëri më bëri si babai im. Përsëri gjendesha në fillim të çdo gjëje, nuk kisha arritur asgjë gjatë 20 viteve të jetës sime. Asokohe asnjë ilaç, apo drogë, nuk vinte në shprehje si rrugëdalje. Me to isha ndarë në ditëlindjen time të tetëmbëdhjetë, kur ia kisha pranuar vetes se nuk ia vlente që ta shkatërroja veten. Dhe, kisha marrë vendimin e vështirë, që të bëhesha "insan", që të shkoja në ndonjë manastir, ku do ta kaloja tërë jetën në qetësi, deri në vdekje. Në qetësi, lutje, në kërkim të faljes. U ndava me Selvinë dhe, nga banesa e përbashkët, u zhvendosa në një dhomë të vogël, të marrë me qira, nga ku kisha ndërmend ta filloja jetën time të re. Ende e bindur se me mua nuk ishte diçka në rregull, më dukej se vetëm Zoti ishte ai që do të më pranonte pa kushte. Atëherë kuptova se doja t'i lija studimet. Natyrisht, çka më duhej diploma nëse do të shkoja në manastir? Bëra kërkesën për ndërprerje të studimeve dhe, shumë shpejt u gjeta në rrugë, me dokumentet e mia në dorë. Ndjeja një frikë të madhe, por ashtu kisha vendosur vet.

U nguta që të dilja nga fakulteti, duke i fshehur lotët, por u ndesha me një student. Dokumentet e mia u shpërndanë nëpër dyshemenë e sapopastruar. Edhe ai kishte diçka në dorë dhe edhe atij i ranë ato gjësende përtokë. Me shpejtësi filluam që t'i mblidhnim gjërat tona dhe, natyrisht, duke shikuar me bisht të syrit gjësendet e njëri-tjetrit. Ai kuptoi se unë sapo isha çregjistruar nga fakulteti, derisa unë pash se ai shpërndante fletushka për një ligjëratë. E mbajta njërën nga to, meqë tema mu duk interesante. - A je e interesuar? - më pyeti ai me një zë të qetë, të butë. Ishte një djalë i bukur, me mjekër moderne, me sy të kaltër, i gjatë dhe vital. Dukej për mrekulli. U dashurova në të aty për aty. - Natyrisht - i thashë edhe unë me buzëqeshje, duke shpresuar që edhe zëri im të ishte po aq i ëmbël sa ai i tij. - Meqë sapo je çregjistruar, me siguri ke kohë për një çaj - vazhdoi ai me zërin e tij joshës. Dhe, sikur që mund të merret me mend, shkova me të për të pirë çaj, meqë as unë, e as ai nuk pinim kafe. Më tregoi se rreth çka do të mbahej ajo ligjëratë, kush do të ligjëronte, se do të kishte shumë të rinj të moshës tonë dhe se edhe unë isha e mirëseardhur. Mund ta merrja me vete kë të doja. Por, unë vendosa që të shkoja e vetme vetëm për të. Por, edhe për shkak se, asokohe, nuk kisha asnjë shok, a shoqe. Ai më tha se quhej Artan, por se e thërrisnin edhe Petrit. U habita nga kjo, por në mend e mbajta si Artan, meqë me të vërtetë ishte djalosh i artë. (vijon)

 

(Kosova Sot)