Roman dashurie: Kur e shijon dashurinë (33)

  • 22 February 2019 - 15:39
Roman dashurie: Kur e shijon dashurinë (33)

Rreth orës dy të mëngjesit, celulari im u zdrit. U rrëqetha pasi pashë emrin e Danielit. Danieli: Është britanik. Është i mësuar që ta tundë shkopin e tij të gjatë dhe ka një koleksion të mirë të xhemperëve. Unë: A kemi të bëjmë këtu me kuiz letrar të natës, a? Danieli: Ëhë. Unë: Atëherë duhet të bësh më mirë se kaq. Harry Potter. Tani e kam radhën unë. Ai iku nga shtëpia për t'i ikur një mallkimi.

Ai martohet, ka probleme me nënën. Ka të ngjarë që nëna e bebes së tij të jetë edhe... nëna e tij. Danieli: A në mes të natës e ke gjetur të ma tregosh Edipin, a? Dëgjo: Ka problem me brejtës. Pasioni i saj ndaj një festivali treditor është i madh. Motrat e saj nga babai kanë probleme me këpucë. Unë: E përhitura - stili i vëllezërve Grimm. Je duke e bërë lojën tepër të lehtë. Mendoja se nuk do të më thërrisje i pari? Danieli: Mendova se festivali treditor ishte gjë e mençur. Shumica e njerëzve nuk e dinë këtë. Kjo nuk është thirrje. Por, iu thonë sms. E dashura ime është duke fjetur afër meje. Mund të dyshojë nëse më dëgjon duke folur. Je e bukur. Më bëri të qeshja si e marrë. Është një talent i madh.

Unë: Në një shkallë nga 1 deri 10, pyetja me festivalin ishte 1.5. Mos më thuaj se i shëmtuari ka të dashur. Mos më bëj komplimente - meqë edhe komplimentet tua kundërmojnë. Danieli: Je e bukur. Unë: Ti je dramatik. Danieli: Je e bukur, Ashlyn. Nuk e kam fjalën vetëm për pamjen tënde. Je edhe e mençur. Por, edhe brishtësia dhe lotët tu më duken të bukur. Sa herë që merrja sms nga ai, ndjeja fytyrën time duke u skuqur. Ai e kishte seriozisht: nuk mundohej që të shtirej kinse kishte punë më të mençur për të bërë në orën dy të mëngjesit. Ai më përgjigjej menjëherë, ku çdo tekst kishte aq ngrohtësi nga fjalët e tij të thjeshta. Unë: Ndal… Danieli: Je aq e shëmtuar, sa që dhemb! Ma përkujton baltën në fund të këpucëve të mia.

Sikur të mundja, do të të gjuaja me baltë. Pse je kaq e pështirë? Unë: Vazhdo, vazhdo... Danieli: Natën e mirë, Ash. Ofshava derisa vendosa celularin mbi gjoks. Natën e mirë, Daniel Daniels. Hapa kutinë e drunjtë dhe përdora dritën e celularit për të gërmuar nëpër zarfe derisa gjeta zarfin numër 23. Pasi që u ula, e hapa letrën. #23. Puthe një të huaj. Ash, Oh, Zot. Motra ime është kurvë? Me të vërtetë? E puthe një të huaj? A mund të them se, në mënyrë sekrete, jam krenare me ty? Dhe, nëse kjo është njëra ndër letrat e para, të pakta, që ke hapur, atëherë kjo d.m.th. se të mungoj shumë. Kështu të dua! Pra, më trego! A ishte aq e keqe puthja? A kishte ai erë goje si të gomarit? A e përdori gjuhën? O Zot, ka kaq shumë gjëra që dua t'i di.

A të bëri të ndjeje neveri? Përderisa nuk do ta puthësh Billin, do të jem e lumtur. Më duket se ky numër në listën tënde tregon se duhet të rrezikosh. Puthe njeriun e gabuar në kohë të duhur. Puthe njeriun e duhur në moment të gabuar. Thjesht, jetoje jetën pa asnjë hamendje. Ka aq shumë gjëra që kam dashur t'i bëja, por disi kam hezituar. P.sh., do të doja të vishesha me pled (lloj stofi) një ditë. Apo, do të doja të haja sushi. Apo, ta humbja virgjërinë time në plazh me Bentleyn, në ndejën e vitit të kaluar, kur doja me të vërtetë ta bëja një gjë të tillë. Vetëm vazhdo. Je duke bërë punë të mrekullueshme, fëmijë. Gabi (vijon).

(Kosova Sot)