Ngjarje e vërtetë: Unë ia dhashë xhaketën, e ajo ma dha të dashurin (2)

  • 23 March 2019 - 15:54
Ngjarje e vërtetë: Unë ia dhashë xhaketën, e ajo ma dha të dashurin (2)

Nuk ishim as motra as kushërira, por ishim edhe më shumë se aq. Të gjithë gjithmonë na kishin njohur si "Hana dhe Ana". Kështu gjithmonë na ftonin edhe në ditëlindje, ishim regjistruar në shkollë, në kurset e gjuhëve të huaja, në blerjen e gjësendeve. Çka kishte njëra, donte ta kishte edhe tjetra. Përpos kësaj, kur u bëmë më të rritura dhe më të mençura, e dinim se, në çift, më lehtë e kishim të luftonim për ndonjë bluzë, pantallona, atlete, etj. Anës do t'ia blinin prindërit e saj atë që kishte Hana dhe, anasjelltas. Natyrisht, më vonë na dukej gjë e marrë të visheshim njësoj, aq më tepër, as po të na lutnin, nuk do të visheshim njësoj. Kështu, në studime vishnim gardërobë të ndryshme. A duhet të them edhe se banonim bashkë? Nuk duhet, natyrisht. Një gjë e tillë nënkuptohet. Megjithatë, regjistruam fakultete të ndryshme dhe pak u ndamë nga njëra-tjetra. Unë, në pajtim me temperamentin tim, u regjistrova në fakultetin filozofik, kurse Hana në atë juridik. Ambienti i ri solli edhe njohje të reja. Erdhi edhe koha e simpative, e dashurive dhe e gjithë atyre marrëzive që shkojnë me këtë moshë. Krejt, ama gjithçka, zhvillohej sikur që do të mund të parashikohej: Hana temperamente dashurohej më me lehtësi, por edhe ndahej më shpejt. Unë isha më e qetë dhe shpesh i bëja vërejtje për aventurat e saj. Por, ashtu e tërhequr dhe anemike sikur që jam për nga natyra, sikur të mos ishte Hana, ditët studentore do t'i kaloja në bibliotekë, e ajo kurrë nuk do të kryente asgjë, sikur të mos i kisha qëndruar mbi kokë. Marrë në përgjithësi, ia kalonim për mrekulli, meqë e plotësonim njëra-tjetrën. - Ana, sonte kam takim me një tip të mrekullueshëm: është i mençur, i arsimuar, ka shije. - Mund ta marr me mend. Pasi që takohet me ty. - Pse thua kështu? Çka më mungon mua? - Nuk të mungon asgjë, bile ke edhe më tepër se që duhet. Ke një kokë plot marrëzira. Athua, ku e ke njoftuar këtë djalë? - Ende nuk e kam njoftuar, pritet ta njoftoj. Shoqja ime nga fakulteti, e di, ajo prindërit e të cilës kanë një vilë të madhe në det, me pishinë, më ka folur për të. - Uf, Hana, pusho të lutem! Më duhet të mësoj, e ti përsëri flet marrëzira. Flet me entuziazëm për dikë të cilin ende nuk e ke takuar. - Por, do ta shoh, sot pasdite. Ajo shoqja më ka ftuar që të shkoj te ajo, e aty do të jetë edhe ai. - Mirë, atëherë! Kjo do të ndodhë sot pasdite dhe, pasi që të kthehesh, ti do t'm'i tregosh të gjitha. E, tani më lër rehat, ta lexoj në qetësi këtë libër.

- Je duke përgatitur ndonjë provim? - Po, de! Do të ishte mirë sikur edhe ti të mësoje, e jo të merreshe me takime me tipa 'të jashtëzakonshëm'. Sa t'u kanë bërë deri më tani. Për dy ditë janë të mirë dhe të jashtëzakonshëm, e ditën e tretë më nuk të interesojnë. - Ana, kjo dmth se ti nuk del askund - Hana nuk lejonte të habitej me vërejtjet e mia. - Nuk do të dal as sot, as nesër, e as pasnesër, meqë kam provim. Ta thash tash e 100 herë, prandaj më lër të qetë. - OK, plakë, nuk ka problem. Do të të lë rehat, sapo të më premtosh se sonte do të ma huazosh xhaketën tënde. - Cilën xhaketë? - Paj, atë të renë, natyrisht, mos mendon se ta kërkoj atë të vjetrën? Ti edhe ashtu nuk del askund, e mua do të më rrinte për mrekulli. Jam duke shkuar në takimin, i cili do të ma ndryshojë jetën. - Hana, mjaft, të lutem! Mjaft me këto marrëzira, je e mërzitshme si...- nuk ia vlente të harxhoje fjalë. Mënyra më e thjeshtë që ta hiqja qafe, ishte që t'ia jepja xhaketën. Më pas më tha se, me xhaketën time, për mrekulli do t'i rrinte këmisha ime, shalli im... Le t'i marrë të gjitha, vetëm të më lërë të qetë ta përfundoj leximin e librit. Por, ia vura edhe një kusht: mund ta merrte xhaketën time, me kusht që të mos shkonte në ndonjë vend me tym. Njëherë nuk kishte thi që t'ia hiqte erën e tymit shallit tim, të cilin ajo e kishte përdorur vetëm një mbrëmje. (vijon)

(Kosova Sot)