Ngjarje e vërtetë: Unë ia dhashë xhaketën, e ajo ma dha të dashurin (4)

  • 25 March 2019 - 15:41
Ngjarje e vërtetë: Unë ia dhashë xhaketën, e ajo ma dha të dashurin (4)

Nuk duhej të prisja, erdhi si era. Pas saj mbeti vetëm një re e parfumit të tij të ri. Me gjasë edhe xhaketën time e ka mbushur me këso arome. Duhej të prisja në gjunjë. Iku si era. Iku si era. Me gjasë fati i xhaketës sime do të merret vesh pasi të ma kthejë ajo. Gjatë disa ditëve vijuese dëgjova rrëfime rreth Dinit. Përpos që ishte i bukur dhe njeri i mirë, mora vesh edhe se vinte nga një familje e vjetër kapedanësh. Anijendërtimtarinë dhe detin e kishte në gjene. I donte që të dyja. Donte dhe kishte pasur fat që të punësohej menjëherë pas diplomimit. Ky ishte rast i rrallë ditëve tona. I rrallë për dikë, por normal për të.

Ai kishte punuar edhe gjatë ditëve të studimeve. Ndonjëherë për para, e herëve tjera për përvojë. Kompania ku kishte punuar vullnetarisht, e më pas e kishte bërë praktikën, e kishte marrë menjëherë në punë. Aq i ri ishte ngritur në një pozitë aq të lartë. Pra, nuk ishte e vërtetë se njerëzit punësohen vetëm me të njohshëm dhe me intervenime. Disa punësohen edhe sipas meritës. Hana nuk dinte të pushonte së foluri për të, e unë herë e dëgjoja, e herë jo. Do të çmendesha sikur t'ua kisha vënë veshin të gjitha fjalëve të saj. Por, sido që të ishte, edhe një javë pas njoftimit me të, ajo ende ishte e entuziazmuar si e marrë pas tij. Por, një gjë e shqetësonte. Ata takoheshin në shoqëri, të rrethuar nga miqtë, e kurrë vetëm. Jo vetëm që nuk e kishte ftuar në banesën e tij, por as në takim. Kjo për të ishte e çuditshme. - Mos është dylber? - Nuk është. Nuk bëhet fjalë! - Mos ka të dashur? - Mesa dihet, nuk ka. E kishte një lidhje, por më pas u nda. E, kë dreqin pret ai, se? Hana këtë e përjetonte si sulm ndaj sharmit të saj dhe të aspektit të saj femëror. Shumica e djemve do ta ftonin menjëherë në takim, të këtij, apo atij lloji. Ajo me të vërtetë nuk donte shumë lutje, por nuk pranonte çdo ofertë që i bëhej. Jo, jo. Nuk ishte ajo "njëra nga ato". Hana ime ishte vajzë e gëzuar, paksa e krisur, por një vajzë super, të cilës i mungonte vetëm i dashuri adekuat, i cili do ta kuptonte, do ta ndiqte pas, në idetë e saj. Më interesonte se sa do të vazhdonte preokupimi i saj me atë Dinin, i cili, ja, nuk është se ishte duke u çmendur për të. Pas dy javëve filluan që të shfaqeshin shenjat e lodhjes.

Në horizont u paraqit një hero i ri, Besniku. Ai nuk ishte si Dini, por ishte interesant, më tha ajo ashtu, shkarazi. Nuk e di pse, por unë disi bëja tifo për Dinin. Nga fjalët e saj ai me të vërtetë më dukej i veçantë. Por, kush mund ta dinte se ku qëndronte e vërteta. - Mirë, de. Nëse Dini nuk të thërret ty, atëherë pse ti nuk e thërret atë? Do t'ia vlente të provoje, apo jo? Mund ta shpikim një shkas. Do ta përgatisim një darkë, a drekë, çka të duash. Thirre këtu, që të shohim sesi do të sillet në terrenin tënd. Që unë ta analizoj nga larg - i propozova. Ajo e pranoi propozimin tim. U morëm vesh për të shtunën. E shtuna pasdite ishte koha ideale për të ftuar mysafirë. Kishim një javë për ta përgatitur banesën, për të blerë gjithçka të nevojshme dhe për ta organizuar një lojë. Të mërkurën Hanës i lindi ideja që në mesin e të të ftuarve, të ishte edhe Besniku, i cili në ndërkohë filloi që të sillej edhe më shumë rreth saj. Nuk e dija se sa me mend ishte kjo. Ta organizojmë një ndejë për njërin, e ta thërrisnim edhe mashkullin tjetër, por ndoshta pak xhelozi në tërë këtë mesele nuk ishte e tepërt. Të mërkurën shkova në dyqan. Më tërhoqi reklama në derë. Kishte pije në lirim. Kursimtare si isha, menjëherë fillova t'i bëja llogaritë. Mora karrocën dhe ia nisa shopingut. Më pas pashë se çka kisha bërë. (vijon)

(Kosova Sot)