Ngjarje e vërtetë: Unë ia dhashë xhaketën, e ajo ma dha të dashurin (5)

  • 26 March 2019 - 15:39
Ngjarje e vërtetë: Unë ia dhashë xhaketën, e ajo ma dha të dashurin (5)

Kjo ishte një blerje e mirë, por edhe e pamenduar mirë. Si do t'i çoja unë të gjitha ato shishe vetë në shtëpi? U mundova t'i vendosja në dy qese, por nuk arrita. E, edhe po të mundja, do të ishin tepër të rënda. Kuptova se kisha bërë një marrëzi të madhe. Dhe, tani çka? Nuk më mbeti asgjë tjetër, pos ta thërrisja Hanën që të më ndihmonte. E shtyva karrocën në një kënd dhe bëra thirrjen. Celulari as që arriti të cingëronte, kur ndjeva në supin tim një dorë. - Më duket se dikush ka nevojë për ndihmë - zëri ishte i një mashkulli të panjohur. Kur u ktheva, habia ime ishte e barabartë me habinë e tij. - Më falni, por gabova. Keni pallto dhe shall të njëjtë sikur shoqja ime, mendova se ishte ajo. E, ajo këtu diku edhe jeton, prandaj isha i sigurt se kishte nevojë për ndihmën time. - Jo, për fat të keq nuk jam shoqja juaj, por përkundër kësaj, kam nevojë për ndihmë. Bile, isha duke e thirrur dikë. - Derisa isha i gatshëm që t'i ndihmoja shoqes sime, jam në dispozicion edhe për ju. - Jo, nuk ka nevojë. Do ta thërras cimeren time. Me gjasë ne të dyja do t'ia dalim disi. - Si të doni, por nëse ka nevojë, unë jam këtu. Hana nuk më lajmërohej. Celularin e kishte të shkyçur. Pra, kisha nevojë për ndihmë. Djaloshi i panjohur më luti që ta prisja derisa ta kryente edhe ai blerjen, e më pas do të shkonim së bashku ku kishim për të shkuar. - Më ka ftuar shoqja ime, që vishet si ti, në një ndejë të shtunën, prandaj thash të blija diçka. Edhe unë pashë gjërat në lirim. Më duhet të blej ca nga këto pijet. Unë jam me veturë. - Kjo është super. Atëherë edhe unë mund të blej diçka tjetër, ujë, lëngje...

- Në fakt, këto gjëra mund t'i fusim në veturë, e më pas të kthehemi në veturë për më shumë. E thënë, e bërë! Ishte mirë të blije vetë i dyti. Diskutonim rreth asaj se cili djathë shkonte me cilën pije, cilët ullinj janë më kualitativë. Ende nuk ishim prezantuar, e bisedonim sikur dy njerëz që ishin duke përgatitur një ndejë për miqtë. - Tani i blemë të gjitha, të shkojmë te unë për kafe - e ftova djalin e panjohur. Por, më parë të njoftohemi. Unë jam Ana - ia zgjata dorën. - E, unë jam Dini, e ju lëre më që keni pallto si të shoqes sime, por edhe quheni si ajo. Ajo quhet në fakt, Hana. - Hana?! Ju jeni Dini! E, kjo është më shumë sesa rastësi.

Besuat apo jo, ne jemi duke blerë për të njëjtën ndejë. Hanën e kam shoqe të fëmijërisë dhe cimere. E, sa i përket palltos, nuk keni gabuar, këtu u ndala pak. A t'i tregoja Dinit se Hana vishte rrobat e mia? Ky nuk ishte kurrfarë mëkati, por... - D.m.th., jo vetëm që quheni ngjashëm, edhe visheni ngjashëm, në mënyrë jo të rëndomtë. Tani më duhej shpejt e shpejt të sajoja diçka dhe sajova. - Po, kemi shije të ngjashme, e Hana ishte aq dorëlirë, saqë të ma falte pallton e vet kur pa se sa shumë më pëlqente. Aq shpirt të mirë ka ajo - thashë, e turpëruar që mu desh të rreja. (vijon)

(Kosova Sot)