Roman dashurie: Kur e shijon dashurinë (68)

  • 01 April 2019 - 15:35
Roman dashurie: Kur e shijon dashurinë (68)

Ia vura dorën në sup. "Më vjen keq". "Nuk isha afër saj, e as afër Ashlyn-it gjatë tërë jetës së tyre". Ai shikonte poshtë gotën e vet, me kokën e ulur nga turpi. "Pasi që Kim më la për të shkuar në Çikago, më duket se u çmenda. Nuk erdha në vete deri në gusht. Dhe, në atë kohë, e gjeta veten në funeralin e bijës sime". Ai mezi i tha fjalët e fundit, derisa fshiu tërë fytyrën me dorë. Nuk dija çka të thosha, prandaj nuk thash asgjë. Dorën ende e kisha mbi supin e tij. Mund ta ndjeja trupin e tij duke u dridhur derisa fliste. "Dhe, tani Ashlyn është këtu. Më duket sikur e kam një shans që të lidhem me të, por nuk bëj asgjë në këtë drejtim. Zor se di diçka rreth saj. Çka i pëlqen, çka nuk i pëlqen. Bile, as që di si t'ia filloj raportit me bijën time". Instinktivisht e mbulova gojën me dorë para se ta kapja gotën me uiski dhe ta çoja poshtë një gllënjkë."Kjo është një situatë e vështirë". Ai u kthye kah unë, me sytë e skuqur nga emocionet dhe, qeshi. "Do të duhej të të kisha lënë vetëm me përgjigjen diplomatike, por duket se uiski është duke i nxjerrë në pah të gjitha nga unë".

"Ku gjendet Ashlyn tani?", e pyeta, duke e ditur tanimë cila do të ishte përgjigjja e tij. "Nuk e di". Ai përsëri e uli kokën."Nuk pres nga ajo që të më tregojë se ku do të shkoj, meqë nuk e kam këtë të drejtë. Do të isha me të vërtetë një zuzar sikur të filloja tani, pas tërë këtyre viteve, ta luaja kinse rolin e babait rigoroz dhe të shqetësuar". "Unë mendoj se asaj do t'i pëlqente një gjë e tillë". Ai ngriti vetullën pas këtyre fjalëve të mia. "Im atë vdiq disa muaj më parë. Raporti ynë nuk ishte gjithmonë i përkryer, por ishte i mirë. Përkundër kësaj, sikur të më jepej një shans tjetër, do të mundohesha që ai raport të ishte edhe më i mirë. Do të duhej që më shumë ta kisha luajtur rolin e djalit. Ti nuk pate shans që të lidheshe me Gabby-n. Mos e lë pa shfrytëzuar shansin që të lidhesh me Ashlynin". Ai pohoi heshtazi me kokë. Unë u ngrita dhe u nisa për në skenë, kur dëgjova zërin e tij. "Hej, Dan?" U ktheva përsëri tek ai."Po?" Vetullat e tij u ngrysën dhe ai ofshau.'

"Si e dite emrin e saj? Të Gabby-t?" Oh, dreq! Sikur zemra më erdhi deri në fyt, derisa shikoja atë njeri të pikëlluar. Mendja filloi që të më punonte me shpejtësi, në kërkim të një arsyetimi. "Ti e përmende atë". Sytë e tij prej të dehuri sikur u rënduan edhe më shumë. Me gjasë donte ta analizonte bisedën që bëmë, por nuk mundte. "Oh, po! Natyrisht", murmuriti ai. Unë ofshava thellë. "Duket se asaj i pëlqen muzika dhe librat. Në klasë, Ryan dhe ajo vazhdimisht flasin për këto gjëra". "Librat dhe muzika", tha ai, duke bërë një buzëqeshje të zymtë. "Kjo është një pikënisje e mirë, apo jo?" "Më e mira", thashë duke pohuar me kokë, duke futur duart në xhepa. Randy kaloi pranë meje dhe mi rrahu supet me dorë. "Ku është zonja?", bërtiti ai, duke bërë që të zbehesha në fytyrë, sikur xhenaze. "Oh? Edhe e dashura jote është këtu?", pyeti Henry, duke u ngritur në këmbë dhe duke shikuar gjithandej. "Po", u përgjigj Randy. "Jo!", bërtita unë. Randy më shikoi duke e ngritur njërën vetull lart, derisa unë ia rraha supet. "Henry, më vjen mirë që u takuam. Qëndro edhe gjatë performimit!", i thashë, derisa e largoja tutje Randyn konfuz. "Çka dreqin ndodhi?", pyeti ai. "Ai është i ati i Ashlynit", i thashë me zë të ulët.

"Tanimë ke filluar të takohesh me prindërit e saj?", tha ai me cinizëm, duke ma vënë dorën në sup. "Jo", ia ktheva. Randy vërejti ndryshimin e papritur të disponimit tim, duke pritur ndonjë sqarim. E fërkova kokën me dorë. "Ai është shefi im". "Oh, kuptoj". Unë pohova me kokë. "Dhe Ashlynin e kam studente". Kjo fjalia e fundit bëri që Randy të ngelej gojëhapur. Ai më dëgjonte me kujdes derisa i tregoja se nuk e kishim ditur këtë gjë më parë. "E di se do të duhej të ndaleshim, por… " (vijon)

(Kosova Sot)