Roman dashurie: Kur e shijon dashurinë (73)

  • 06 April 2019 - 15:39
Roman dashurie: Kur e shijon dashurinë (73)

Ryan m'u afrua dhe u shtri afër meje, duke më përthekuar me duart e tij. E afrova më afër duke dënesur në bluzën e tij. "O Zot… çka ke kështu?", pëshpëriti ai. Nuk mund të përgjigjesha dhe më dukej se ai as që donte ta merrte ndonjë përgjigje nga unë. Para se ta kuptoja, ndjeva edhe dy duar të tjera duke më përqafuar dhe një trup tjetër duke më shtrënguar. Ishte Hailey. Nuk thamë asgjë. Ata thjesht më jepnin kurajë, duke dashur të ma bënin me dije se nuk isha vetëm. Më pas u paraqit edhe Henry, duke e futur kokën në dhomën e gjumit. Ai nuk tha asgjë, por hyri dhe u ul në pjesën e poshtme të shtratit tim. Kjo ishte mbështetja më e madhe që mora ndonjëherë nga ai.

KAPITULLI 21

Më pëlqen mënyra sesi shtrihesh Kur unë kërkoj nga ti që të rrish në këmbë. Më pëlqen mënyra sesi bën flirt Kur mua më duhet që të largohem. "Romeo's Quest" "Ndoshta do të ishte më mirë sikur t'i lëshoje flokët poshtë", më tha me zë të ulët Ryan derisa hanim kafjall. "Nëse Henry sheh kafshimin e madh në qafën tënde, mund t'i bjerë të fikët". Më erdhi të qeshja me komentin e tij, por këtë nuk e bëra. Thjesht, i lëshova flokët poshtë, duke mbuluar qafën. Ryan qeshi. "Do ta kemi një bisedë shumë intensive në veturën e Hailey-t sot", tha ai, duke ma hedhur një shikim. "Duke shkuar për në bibliotekë, kinse". Hailey hyri në kuzhinë, me pamjen e një zombi. Mori një gotë të madhe, e mbushi me lëng portokalli dhe doli jashtë. "Nuk është person i mëngjesit, apo jo?", pyeta. "Aspak", tha Ryan. "E, ti? A je mirë? Mbrëmë ishe...disi…" "E çrregulluar?" "E çrregulluar, por e hijshme", tha ai. Ai gjithmonë ishte tepër i hijshëm. Kishte veshur një polo të kaltër, zinxhirin e tij dhe një palë xhinsi. E tëra që kishte bërë me flokët e tij, ishte se i kishte përshkuar me gishta. Por, ai, përkundër kësaj, dukej sikur të ishte rregulluar në sallonin më prestigjioz të bukurisë. Çdo ditë kështu! "Mirë jam, more. Thjesht, po kaloj nëpër fazat e jetës". Ai qeshi, duke m'u afruar për të ma mbushur filxhanin me çaj. "Kjo ndonjëherë di të shkaktojë dhembje të mëdha". E falënderova për çajin. Më pas shkova në dhomën e ditës, ku ishte Rebecca, duke i shikuar lajmet. "Oh, tung, Ashlyn", më tha ajo duke buzëqeshur dhe duke pirë pak kafe. "Eja këtu. Kam një pyetje për ty", më tha ajo duke ma bërë me dorë në kauç, afër saj. Bëra ashtu si më tha. Ajo i mori dy filxhanët dhe i vendosi në tavolinë, duke mu afruar më shumë. Mi kapi duart. "Si je?" Si duhej të përgjigjesha në këtë pyetje? Mirë. I urrej thuajse të gjithë djemtë në shkollë. Mirë. Më pëlqen që të ha kafjall me djalin tënd gej dhe me vajzën tënde budiste. Mirë.

Nuk jam dëgjuar me nënën dhe Henry nuk e ka asnjë foto timen në zyrë, sa për të dëshmuar se edhe unë ekzistoj. Mirë. Sapo e bëra atë punën me arsimtarin tim në varreza, natën e kaluar, para prindërve të tij të vdekur. Më pas, ai më shtyri, pa ma dhënë asnjë shpjegim. "Në rregull jam", pëshpërita. "OK". Ajo lëshoi një zë lehtësimi dhe m'i ledhatoi duart. "Zoti është i mirë, apo nuk është"? Unë i rrudha sytë dhe ngadalë pohova me kokë. "Natyrisht", thash, duke pauzuar dhe duke menduar se sa e kuptueshme që ishte Rebecca në lidhje me të gjitha gjërat. Kjo më bënte të pyetesha pse Ryan dhe Hailey i mbanin gjërat e tyre private aq sekrete. Mënyra sesi ata më ofruan mbështetje mbrëmë, më bënin që edhe unë të doja t'u ndihmoja atyre. "Hej, Rebecca… çka do të më thoshe po të të thosha se më pëlqejnë vajzat"? Ajo mi lëshoi duart me të shpejtë dhe u kollit, sikur t'i kishte ngelur diçka në fyt. "Çka?". Më pas ndodhi një transformim i vërtetë i tërë personalitetit të saj. Ajo buzëqeshi si me zor dhe u ngrit. "Më mirë të përkujdesem që Hailey të jetë gati për shkollë". (vijon)

 

(Kosova Sot)