Ngjarje e vërtetë: U ktheva nga Kanadaja dhe e gjeta të dashurën (2)

  • 06 April 2019 - 15:47
Ngjarje e vërtetë: U ktheva nga Kanadaja dhe e gjeta të dashurën (2)

- A dëshiron edhe ti ta bësh atë ceremoninë fetare? - më pyeti im at gjatë vizitës që ua bëra në fundjavë. - Si? A nuk është pak vonë, tani kur kam 28 vjet? - Pse jo, nëse këtë e dëshiron gruaja jote e ardhshme! - Nëse mendon se Sanija është gruaja ime e ardhshme, atëherë gabon shumë. Një femër e cila nuk më do kështu si jam: të papërcaktuar fetarisht, si një mjek të thjeshtë provincial, të painteresuar për politikë, e me këtë edhe për të përparuar në karrierë, kurrë nuk do të jetë gruaja ime. - Nuk e di, Agim, pse ky provokim! Unë kurrë nuk do t'ia bëja një pyetje të tillë Valmirit tonë, meqë i di bindjet e tij - më mbronte nëna. - As kur ishte fëmijë, as si i ri, e as tani, kur është bërë burrë, kurrë nuk ka qenë labil. Meqë, njeriu i cili kthehet kah të fryjë era, as që meriton të quhet njeri, por një krijesë e mjerë, reagoi nëna ime, Ganja.

- E, çka është atëherë e ëma e Sanijes, shoqja jote e dashur, e cila tani mburret sesi dy fëmijët e saj tani janë të dhënë pas fesë, derisa ajo, kur ishte në shkollë, ishte sekretare e partisë? "Gjithmonë kam qenë dhe kam mbetur një besimtare e madhe", thotë ajo kah të sillet … - tha duke imituar zërin e saj im atë. - Nëse pret ndonjë përgjigje nga unë, atë nuk do ta marrësh, meqë do të më duhej të thosha diçka të shëmtuar, e nënën e Sanijes vazhdoj që ta konsideroj shoqe. Ndoshta e bija e saj, Sanija, një ditë, megjithatë, do të na bëhet re. A do të na bëhet, bir? - të dy prindërit mi ngulën sytë, duke kërkuar konfirmim nga unë. - A të kam thënë, Gane. Valmiri ende nuk është i sigurt se cila i pëlqen më shumë: biondja Sanije, apo ajo zeshkania, Tara. Për këtë shkak edhe heshtë, sikur të mos e kishte dëgjuar pyetjen tonë.

Dhe, më mirë është që të mos martohesh në këtë kohë të turbullt. Kush e di se çka na sjell e nesërmja. - A është duke folur pallavra ky babai yt, apo me të vërtetë ke dilema midis këtyre dy vajzave, mësueses dhe infermieres? Çka vërejti ai, në fakt, kur të vizitoi tash vonë, e që unë nuk e di? Atë vajzën, infermieren Tara, e kam parë vetëm në kalim e sipër dhe m'u duk me të vërtetë e pashme. Por, Zoti im, një femër më të bukur mund ta gjesh kudo që shikon, prandaj nuk i kushtova aq shumë vëmendje... - T'i lëmë llafet e kota, por, nëse me të vërtetë të intereson, Tara ka shpirt, gjë që nuk do të mund të thuhej për Sanijen. Ajo kohëve të fundit është bërë arrogante, sikur edhe nëna e saj, shoqja jote e mrekullueshme.

Prej se ka ndryshuar klima politike, disa njerëz janë bërë tërësisht të ndryshëm, duke u bërë tërësisht të panjohur. Apo, ndoshta kurrë nuk i kemi njohur - mundohesha që t'i tregoja nënës pse kishin ndryshuar ndjenjat e mia ndaj Sanijes. Ishte kjo bisedë midis meje dhe prindërve, gjatë një fundjave, kur katastrofa ishte tanimë evidente. Disa të njohur të mi, më të informuar rreth ngjarjeve që pasuan një muaj më pas, në heshtje u larguan nga vendi im i parë i punës, e i cili ishte vend ku u zhvilluan konfliktet më të ashpra luftarake. Meqë lufta filloi që të ndizej gjatë verës, Sanija dhe prindërit e saj nuk u kthyen pas pushimeve verore, e nëna e saj, si kuadër i dalluar arsimor, menjëherë gjeti vend pune në kryeqytet. Edhe burri i saj, Artani, por edhe Sanija, gjetën punë në rrethinë, prandaj ende vazhdonin që të jetonin në banesën e marrë nga shteti. Nuk thuhet më kot se lufta për dikë është luftë, e për të tjerët dasmë. Unë nuk mund të largohesha nga vendi im i punës për shkak të ndërgjegjes, edhe pse isha nënshtruar ndaj rreziqeve të shumta, për çka ma kishte tërhequr vërejtjen edhe kolegu im Rinori dhe gruaja e tij, Leandra. (vijon)

(Kosova Sot)