Roman dashurie: Kur e shijon dashurinë (75)

  • 08 April 2019 - 15:49
Roman dashurie: Kur e shijon dashurinë (75)

"Në rregull është", tha ai, duke ma qitur dorën mbi supe. "Tani, nëse më tregon kush ta ka lënë atë shenjë në qafë, atëherë me të vërtetë do të jemi mirë". Qesha dhe iu afrova. "Nuk do të më besoje edhe sikur të të tregoja". Kur e ngrita shikimin, pashë Danielin duke ecur paralelisht me ne, në ndërtesën e shkollës. Disi lëvizi buzët çuditshëm dhe, më pas, na përshëndeti. "Mirëmëngjesi Ryan dhe Ashlyn", tha ai. "Mëngjesi, z. D.", iu përgjigj, me dorën ende mbi supet e mia. Daniel vërejti dorën e Ryan-it dhe, si për të kërkuar ndonjë shpjegim, ma hodhi një shikim të shkurtër. E tërhoqa shokun tim edhe më afër vetes dhe ia hodha një shikim përbuzës Danielit. Erdhi ora e anglishtes dhe, në fillim, Daniel nuk më shikonte fare. Jo vetëm që i kishte injoruar të gjithë mesazhet e mi të shkruar, por vazhdonte që të më injoronte edhe në klasë. "OK, kush dëshiron që ta prezantojë esenë e vet të shkurtër i pari"?, pyeti Daniel. Askush nuk e ngriti dorën. eseja e mallkuar, profesori i mallkuar që na jepte detyra të tilla. Jeta e mallkuar.

Eseja kishte temë parashikimin e shkurtër të jetës tonë në të ardhmen. Danieli ofshau, duke shikuar gjithandej nëpër klasë. Më pas, në fytyrën e tij u paraqit një buzëqeshje. "Në rregull, Avery. Faleminderit që u paraqite vullnetarisht! E ke fjalën". Avery u habit. "Z. Daniels, unë nuk e ngrita dorën", tha ai, dukshëm e pakënaqur. "A nuk u paraqite, a? Atëherë ke pasur fatin që të të zgjedh ty. Hajde, dil". Avery mezi tërhoqi trupin e vet deri te dërrasa e zezë, derisa Daniel u ul në njërën nga karriget e zbrazëta të nxënësve. Avery ishte trupmadh, kështu që ta dëgjoje atë duke lexuar ishte disi... nuk e di sesi.

Një gjë e tillë do të më bënte të qeshja javën e kaluar, derisa sot isha e kapluar e tëra nga sindroma premenstruale dhe nuk regjistroja asgjë rreth vetes. Avery pastroi fytin dhe, pasi shau me zë të ulët, lexoi: E ardhmja ime në tri fjalë: "sisa, pije dhe futboll". Të pranishmit u shkrehën në gaz, derisa shokët e tij futbollistë pohuan atë që tha ai njëzëri. "Provo përsëri, Avery", tha ai nga vendi ku ishte ulur. Unë nuk e shikoja. Avery ofshau përsëri. Përsëri pastroi fytin dhe lexoi nga letra e tij. "Do të doja të kisha edhe më shumë, por nuk jam aq i mençur për ta mundësuar këtë". Ryan dhe unë filluam që t'i duartrokisnim, kurse pjesa tjetër qeshnin. "Humbës", tha njëri nga kolegët e tij. "Humbës i madh", tha një tjetër, natyrisht për të bërë shaka. Ai rrotulloi sytë dhe shkoi e u ul në vendin e vet. Avery nuk u durua pa iu përgjigjur shokut i cili e ngacmoi. "Ky humbësi i madh ka më shumë të dashura sesa ti".

Ryan qeshi me vetveten. "S'ma merr mendja". Avery iu kthye tani Ryanit. "Ke ndonjë gjë për ta thënë, Turner?" Pse lojtarët e futbollit gjithmonë njerëzit i quanin sipas mbiemrit të tyre? Apo, ndoshta, Avery as që e dinte si quhej Ryan? Ryan rrotulloi sytë dhe u mbështet për karrigeje. "As edhe një fjalë". "Ma mori mendja. Ti edhe ashtu thuajse kurrë nuk thua asgjë". Avery përfundimisht u ul në vendin e vet. Pjesa tjetër e klasës lexuan esetë e tyre, por ai i Ryanit më pëlqeu më së shumti. "Yjet shpërthyen dhe linda unë. Ju lutem, mund të më thërrisni Tony", tha ai, ku askush përpos meje nuk e kuptoi atë. Ai ma bëri me sy, e unë qesha. Vazhdova përpara. Danieli as që mori mundin të më thërriste. Ai kishte aftësi të mëdha sfiduese. Dola te dërrasa e zezë duarthatë, duke ia ngulur sytë Danielit. "Binjakë identikë, përpos sa i përket vdekjes. Dëshira e Romeos për ta gjetur Juliet-n". (vijon)

(Kosova Sot)