Ngjarje e vërtetë: U ktheva nga Kanadaja dhe e gjeta të dashurën (4)

  • 08 April 2019 - 15:54
Ngjarje e vërtetë: U ktheva nga Kanadaja dhe e gjeta të dashurën (4)

Nuk i thashë asaj se edhe vetë kisha ndërmend që të shkoj së shpejti nga ky vend me pasione të nxehta të njerëzve që janë të gatshëm t'ia hedhin njëri-tjetrit trutë në erë. U largova dy ditë më herët, meqë më pas u bllokuan të gjitha daljet nga qyteti. Prindërit e mi nuk u befasuan kur iu thashë se më nuk do të kthehesha në vendin tim të punës. - Më duket se më askund në këtë shtet nuk je i sigurt dhe nuk mund të mbesësh neutral. Edhe ty shumë shpejt do të të kërkojnë, meqë e ke kohën për ushtri, por për fat, ti nuk do të vrasësh njerëz, por do t'i shpëtosh ata, meqë je mjek. Nuk është vetëm shteti që është duke u shkatërruar, por edhe sipërmarrjet. Ndërmarrja ime sa s'ka dhënë shpirt, kështu që, nëse kam ymër, do të dal në pension para se t'i mbushi të gjashtëdhjetat, e ata më të rinjtë do të përfundojnë në byronë e të papunëve - thoshte im at, duke mos ditur si të më mësonte. - Biri im, më dëgjo mirë çka po të them! - më tha nëna, e cila ishte tepër e mërzitur.

- Nëse nuk ndërmerr asgjë, me gjasë do të të marrin në ushtri. Unë kam një mendim tjetër rreth asaj që thotë yt at, se askush nuk mund të mbetet neutral. Kështu mendonte edhe im at, para Luftës së Dytë Botërore, kur ra viktimë e propagandës së Hitlerit dhe shkoi e u paraqit si vullnetar. Mendjelehtësinë e tij do ta paguante me jetë në fund të luftës, kështu që as sot e kësaj dite nuk e dimë ku e ka varrin. Me gjasë eshtrat janë duke iu kalbur në ndonjë shpellë, diku - kjo ishte hera e parë që nëna ma tregonte një gjë të tillë. - Pse deri më tani më thoshe se gjyshin e kishin marrë gjermanët, duke e detyruar që të punonte derisa kishte vdekur? - Të tilla ishin kohët, biri im! Këtë rrenë e kisha përsëritur disa herë, saqë edhe vetë kisha filluar t'i besoja asaj. Fundja, këtë rrenë ma kishte thënë të tillë nëna ime. Kur kishte përfunduar Lufta e Dytë, unë kisha vetëm gjashtë vjet, kështu që nuk mund ta kisha mendimin tim personal për asgjë, sikur që e kishte vëllai im, dhjetë vjet më i madh se unë. Iu besoja pleqve derisa nuk e mësova vetë të vërtetën. - Daja Nadir nga Kanada! Dëm që nuk arrita ta takoja. Në bazë të fotografive, mund të them se ishte burrë e gjysmë …

- Po, po. Si babai ynë. Kokëfortë dhe krenar... - Nënë, pse daja kurrë nuk na vizitoi, e as nuk na thirri ta vizitonim? - Ja, po përpiqem që të të flas rreth dajës Nadir. Ata që jetojnë jashtë kanë më shumë informata sesa ne, që jemi këtu, prandaj është shqetësuar për fatin tonë. Përsëri te ai njoha fatin tim emocional, sikur që ishte derisa ishim fëmijë. Disa muaj më parë mora një letër nga ai, me të cilën na fton që të shkojmë te ai, derisa të kalojë kjo hallakamë. Ftesa e tij më bëri që të qaja nga mirënjohja, por unë dhe babai yt nuk mund të largohemi nga shtëpia. Shko ti te ai, le të përkujdeset ai për ty, e ne të dy do të mbijetojmë disi. Tani edhe ashtu nuk je duke punuar. Më fal, biri im, që në emrin tënd i premtova vëllait tim se do të shkosh te ai, për ta shfrytëzuar mundësinë e specializimit, gjë që këtu për momentin nuk ka gjasa ta kesh. Ai me profesion është avokat, kështu që shumë shpejt mendoj se do t'i rregullojë të gjitha dokumentet e nevojshme. Ai ma dërgoi garancinë, prandaj mundohu e shko sa s'të kanë thirrur në ushtri. Edhe një herë më fal që ndërmora veprime pa të pyetur ty. (vijon)

(Kosova Sot)