Ngjarje e vërtetë: U ktheva nga Kanadaja dhe e gjeta të dashurën (8)

  • 13 April 2019 - 15:37
Ngjarje e vërtetë: U ktheva nga Kanadaja dhe e gjeta të dashurën (8)

Daja kishte mbetur aq i habitur, saqë kisha frikë se po i ndodhte diçka e keqe. Kështu erdhi edhe dita që të ulemi në aeroplan dhe të kthehemi në vendlindje. Takimi i nënës me vëllanë e saj, të cilin nuk e kishte parë për dyzet vite, ishte mjaft i prekshëm. Nuk e kam ditur se çfarë befasie do të më prite në vendin ku kam shërbyer më parë. Ishte një ditë me diell në fillim të verës, e në orët e hershme të mëngjesit morëm rrugën, përskaj kishte shumë gjelbërim, që dukej thuajse je në parajsë. Ishim të mahnitur me ato që shihnim, ndërsa që gruaja e dajës kishte mbetur e mahnitur, e ajo po na bënte miliona pyetje rreth vendit tonë, në të cilat po përgjigjej nëna ime, të cilën mezi e kam bindur që të vinte me ne. - Me sa duket më duhet të mësoj anglishten, në mënyrë që të flas me kunatën që të mos e mundoj vëllanë - duke e ledhatuar me shikimet plot me dashuri, tha nëna ime. - Për mua kjo është kënaqësi, e jo mundim, e dashura ime Ana.

Që kur kam shkelur në vendlindje, po e vërej se gjaku im po rrjedh shumë më shpejt nëpër vena, në krahasim me vendin e huaj. Shumë bashkatdhetarë ma kishin lakmi, pasi nga një emigrant kisha arritur në një pozitë të lartë. Por, unë veten time nuk e shihja si banor në dhe të huaj, por isha vetëm një i larguar përkohësisht, sepse kam besuar se një ditë do të kthehem dhe ta ndjej se çfarë është lumturia e vërtetë, e kjo ndjenjë nuk mund të kompensohet me karrierë të suksesshme dhe të holla, siç në rastin tim më kishin konsideruar fatlum. E pranoj, gruaja e dajës më kishte ndihmuar shumë, por se dëshira e vjetër për vendin e lindjes po vazhdonte të ma brente zemrën time deri në ato momentet e fundit kur kam vendosur dhe jam kthyer nga ku kisha ikur. Te ti Valmir, kam gjetur kuptimin e jetës, sepse sikurse që unë për ty isha nënë dhe baba, ti do të jesh trashëgimtari im, në vend të djalit tim që kurrë nuk e pata. Me një vozitje të lehtë, përreth rrugës kryesore, përreth lumit, po i afroheshim vendlindjes sonë. Që nga largësia po vëreja kulmet me ngjyrë të kuqe, shtëpitë e ndërtuara, shkollën e ndërtuar, e cila në oborr kishte godinën e vjetër, të shkatërruar nga lufta. - Edhe shtëpia e shëndetit ishte ndërtuar, e në oborr kishte mjaft hapësirë ndoshta në të ardhmen të ndërtohej ndonjë spital...- Daja im kishte mbetur i mahnitur, derisa mendja ime po fluturonte në të gjitha anët dhe ndaloi te prania e Tarës, koha që e kisha kaluar me të.

E vetmja gjë që kam ditur për të nga Rinori ishte se ajo po punonte në Gjermani. Kjo nuk më jepte shpresë se shumë shpejtë do ta takoj. Se do të mundem vetëm ta përqafoj, e kthimi im do ta mbushte me lumturi, po mendoja me pikëllim, duke iu afruar shtëpisë së Rinorit ku po na priste i Zoti i shtëpisë, e që në përqafimin e tij ndjeva miqësinë e tij. - Ende po mendoja se isha në ëndërr, Valmir, miku im i vjetër. Të gjithë po ju presin në shtëpi për drekë, e këta janë dy fëmijët e mi. Porsa i kanë afruar duart për të na përshëndetur, daja dhe Rinori nisën të bisedonin për punë, që edhe mund të pritej prej tyre. Mua po më përcillte nëna, ndërsa që së bashku me të dhe gruan e dajës ne u nisëm drejt shtëpisë, për t'i përshëndetur të tjerët. Ajo po na priste te dera dhe pas përshëndetjes, u futëm në dhomën e ndejës, ku tarraca po na ofronte një pamje të bukur në lumin pranë. (vijon)

(Kosova Sot)