Roman dashurie: Kur e shijon dashurinë (81)

  • 14 April 2019 - 15:27
Roman dashurie: Kur e shijon dashurinë (81)

Nuk thashë asgjë. "Do të më izoloje përsëri, meqë mundohem ta zbuloj atë që na e vrau nënën?" Ai njëherë pushoi, më pas filloi që t'i shqelmonte ca gurë. "Në rregull. Nuk kam nevojë për ndihmën tënde. Por, nëse më del në rrugë, do të të shtyp". "Je ti ai që mundohesh t'u shesësh drogë studentëve, Jace. Jo unë". "Ke të drejtë. Ke absolutisht të drejtë", tha ai. "Por, ti je ai që i punon studentet e tua, e jo unë. Si quhej ajo? Ashlyn"? Dora automatikisht mu bë grusht dhe mund ta ndjeja zemrën time sesi më rrihte më shpejt. Edhe ai do ta ketë vërejtur këtë. "Oh, mos më thuaj se kjo është temë e ndjeshme? Më je skuqur i tëri në fytyrë, si mut". "Jace", thashë me një zë sa më të qetë që munda. Por, nuk munda të vazhdoja. "Kishe të drejtë për një gjë, Danny". Ai nxori nga xhepi një cigare dhe shkrepësen. E vuri cigaren në gojë dhe e ndezi. "Jam tërësisht i çmendur. Prandaj, mos u kruaj me mua. Përndryshe, do të të shkatërroj ty, si dhe atë studenten tënde të vogël. Mund ta marr me mend se çka do të thoshin studentët e tjerë rreth saj.

Të dy e dimë se shkolla e mesme, fëmijët e asaj moshe, dinë të jenë shumë të pashpirt". "Jace, nëse kjo ka të bëjë me Sarah-ën", fillova ta qortoja, por ai më ndërpreu. "Mos!", tha ai, duke u prishur në fytyrë. "Mos e përmend emrin e saj në këtë mes. Nuk po bëj shaka! Do t'ia shkatërroj jetën të dashurës tënde". Ai u nis që të largohej, e unë ofshava me zë. "Çka do të mendonin nëna dhe babai? Në lidhje me këtë që je duke bërë"? "Epa" - tha ai, pa u kthyer kah unë - "Mendoj se ata do të ishin krenar me mua, për shkak se jam duke bërë diçka. Për nxjerrjen para ligjit të vrasësit të nënës". Dhe, si një sëmundje ngjitëse, Jace ishte duke u futur në jetën time, përsëri. Sikur të mos kishte ardhur ai, nuk do të merresha me hamendjet e tij. Do të përqendrohesha te muzika, te puna. U ktheva në shtëpi dhe dëgjova muzikë me kitarë. Në dhomën e ditës, Randy qëndronte ulur në kauç, duke punuar në një tekst të ri. Ai më shikoi. "Kur e paskan lëshuar Jace-n?" pyeti ai, duke mos e ndalur muzikën. "Nuk e di, por ai ka ardhur këtu", thashë dhe e mbulova fytyrën me duar. "Megjithatë, ai dukej i pastër". M'u desh që të pajtohesha me këtë. Gjithmonë e dija kur ai ishte duke marrë drogë. Kur e pashë te varrezat dhe në shkollë, ai nuk ma la atë përshtypje. Dukej sikur para se kishte filluar përdorimin e drogës. Flokët i kishte të krehura dhe dukej si biznesmen. Por, unë e njihja Jace-n. E dija se sa emocional që ishte ai, sa i brishtë që ishte.

Prandaj, nuk besoj se do të kalojë shumë kohë para se ai të fillojë të drogohet përsëri". "Çka je duke bërë?", e pyeta, sa për ta ndërruar temën. Randy mori një libër dhe ma dha. "'Otello'. Përpiqesha që të gjeja material të ri. Mendova se ndoshta do të mund të hapeshim me të të premten, për performimin tonë në 'The Upper Level'. E di se kjo duket sikur punë në momentin e fundit, por...". "Ma jep tekstin". Ai ma dha letrën dhe sytë e mi filluan të shëtisnin poshtë-lartë. Randy ishte muzikant dhe tekstshkrues i mrekullueshëm, kështu që nuk dyshoja që teksti do të ishte për mrekulli. Por, ai ishte më i mirë sesa vetëm 'i mirë'. Ai ishte i mrekullueshëm (vijon)

(Kosova Sot)