Ngjarje e vërtetë: U ktheva nga Kanadaja dhe e gjeta të dashurën (9)

  • 14 April 2019 - 15:52
Ngjarje e vërtetë: U ktheva nga Kanadaja dhe e gjeta të dashurën (9)

- Çfarë qetësie në këtë parajsë të gjelbër! Ke marrë vendim të mirë, bir, edhe pse, në fillim u habita kur më the se do të ktheheshe. Do të ishte dëm që ish-shtëpinë e shëndetit ta blinte dikush, i cili nuk do të kishte për qëllim përtëritjen e shërbimit shëndetësor, i cili është më se i nevojshëm për këta njerëz - përfundimisht, nëna ime pranoi dyshimin e saj në lidhje me vendimin tim. Atë ditë përfunduam të gjitha marrëveshjet, bëmë kontratat dhe autorizimet e nevojshme për Rinorin, në mënyrë që të mund të zhvillohej puna pa probleme. Daja përkohësisht kishte marrë një shtëpi me qira, derisa ta gjente ndonjë shtëpi të denjë për ta blerë, e unë, sa për fillim, u vendosa te Rinori, derisa shpejt e shpejt e aftësonim ambientin për ambulantë. Pasi që hasëm në probleme rreth marrjes së lejeve të ndryshme, fillova ta vija në dyshim mençurinë e vendimit tim që të kthehesha, por kur shihja sesi u ndihmonim fëmijëve të sëmurë, dyshimet largoheshin vetvetiu.

E, Rinorin në asnjë moment nuk e lëshoi optimizmi. - Kur, pas meremetimeve, në këtë vend të mblidhen ca entuziastë të tjerë, sikur ne, ky do të jetë një fillim i ri i jetës për tërë këtë rajon - thoshte Rinori, i entuziazmuar nga projekti jonë i përbashkët. - Do ta kemi edhe avokatin tonë, e ndoshta daja yt një ditë do të vijë këtu nga qyteti. Këtu ka prona të shumta, me çmim shumë të volitshëm, e, me sa kam mundur të kuptoj, atij i pëlqejnë lumenjtë dhe qetësia. Edhe gruaja e tij mbeti e mahnitur nga ky ambient, prandaj mendoj se nevojitet vetëm një nxitje e vogël, që edhe ata dy ta gjejnë një shtëpi këtu. Kaluan kështu rreth tre muaj, kur një ditë në ambulancën time erdhi një femër e re, prania e së cilës më tronditi sikur kur të vret reja në të kthjellët. - Mirëdita, doktor! - dëgjova një zë femre, derisa isha duke shkruar disa të dhëna rreth pacientëve. Atë ditë nuk kishte ardhur në punë infermierja, prandaj më duhej t'i bëja të gjitha punët vetë. E ngrita kokën, me qëllim që t'ia ktheja përshëndetjen dhe t'i kërkoja falje që do të duhej të priste pak, por në vend të kësaj ngela si i shituar nga zana. Kur e pash fytyrën e saj, sikur u ktheva në një kohë tjetër. U ngrita, duke bërë disa hapa në drejtim të saj, duke shpresuar se edhe ajo do të afrohej, por ajo vazhdonte që të rrinte aty ku ishte.

- A më mashtrojnë sytë, a je ti, infermierja Tara? - e pyeta duke u mbajtur për karrige, meqë ndjeva një marramendje të lehtë, sikur të kisha zbritur nga kolovajza. - Unë jam, Valmir! Nuk do të të njihja sikur të mos më tregonin se ke ardhur. Prisja... - Që të isha ai që isha dhjetë vjet më parë? Me gjasë të kanë habitur flokët e mi të bardhë … - Nuk i ke krejt të bardha, por si kripë e biber. Kur të përzihen kripa dhe biberi i zi. Je shumë më i dobët dhe, disi më dukesh edhe më i gjatë sesa që ishe dikur. Kishim qenë në lidhje për një kohë të shkurtër, prandaj u përqafuam dhe na u mbushën sytë me lot. Nuk e dija a kishte ardhur Tara vetëm të më përshëndeste, ashtu, në kalim e sipër, por në afërsi të saj ndjeva atë qetësinë dhe lumturinë që ndjen një njeri kur nuk ka asnjë problem në fytyrë të tokës. (vijon)

(Kosova Sot)