Ngjarje e vërtetë: Kurrë nuk do të besoja se do të martohesha me të (1)

  • 16 April 2019 - 15:28
Ngjarje e vërtetë: Kurrë nuk do të besoja se do të martohesha me të (1)

Nëpër dritaren e shtëpisë sime shikoja valët e detit që përplaseshin për gurë. Përsëri më kishte kapluar pikëllimi. Sapo isha kthyer nga spitali ku kisha operuar një djalë 3 vjeçar, duke pyetur veten se a do të mbijetonte, apo jo. Kisha një punë që më pëlqente. Me 34 vitet e mia isha një kirurge me nam dhe kisha shpëtuar shumë jetë. Por, kishte edhe momente të mundimshme kur, sikur edhe tani, frikësohesha për jetën e pacientëve të mi. Të gjitha obligimet që duhej t'i bëja, për mua ishin një barrë shtesë, për shkak të së cilës doja që të zhdukesha nga këtu, të paktën për dy javë të shkoja diku dhe të pushoja mirë e mirë. Këtë lodhje nuk e kisha nga salla e operacionit, të paktën, nuk ishte vetëm nga ajo. Prapa meje kisha një martesë të dështuar, dështim të cilin mezi e mbijetova. Vetëm tani isha bërë e vetëdijshme se, as kjo shtëpi e madhe në të cilën jam duke jetuar, as të ardhurat e mira dhe statusi i mirë në profesion, nuk mund të ma mbushin zemrën. Vetëm pasi Silvio më la për një femër shumë më të re sesa unë, kuptova se çfarë dhembjeje i kisha shkaktuar ish të dashurit tim, Luftimit, dashurisë sime të vetme të vërtetë. Isha një studente e shkëlqyeshme dhe, kur dhjetë vjet më parë përfundova studimet, m'u dha rasti që të specializoja në Itali.

Edhe pse isha e bindur se do të kthehesha, megjithatë u ndala për të jetuar në Gjenovë. Pesë vjet pas shkurorëzimit ende e kisha zemrën e zbrazët, meqë në jetën time kishte kohë që mungonte dashuria. Si ndëshkim për të gjitha vuajtjet që ia kisha shkaktuar Luftimit. Heshtjen e shtëpisë sime e prishi cingërima e telefonit. Ishte motra ime e madhe, Luçia. - Marta, kam lajme të rëndësishme, për të cilat nuk di a të qesh, a të qaj - më tha me shqetësim. - Çka ka ndodhur? - Maria po martohet! - Qysh, more? Po ajo ende nuk e ka mbaruar as gjimnazin?! - u trondita. Mbesa ime, Maria, vajza e vetme e motrës sime, kishte vetëm 17 vjet. Shkonte në vitin e tretë të gjimnazit, e studimet donte t'i regjistronte te unë, në Itali. Ne të dyja ishim shumë të lidhura midis vetes. Të gjitha festat i kalonte tek unë dhe vazhdimisht më thoshte se do të shkonte hapave të mi. Ishte e mahnitur nga shtëpia ime, me luksin e saj, me rrobat e markave italiane. Më së shumti i pëlqente fakti që unë fitoja aq shumë para, saqë nuk më duhej t'i shikoja çmimet e gjësendeve, e as të blija gjëra në zbritje. Mbesës time të vetme nuk lija asgjë pa i blerë. Mburresha me faktin që ajo ishte vajza me veshjen më në modë në qytetin e saj. Por, martesa nuk është se përputhej me planet e saj. - Është shtatzënë, e martesa është caktuar pas tre muajsh. As unë nuk mund të besoj që, së shpejti, do të bëhem gjyshe. Nënkuptohet se të presim në dasmë - tha ajo.

- Natyrisht se do të vij. Nuk do ta lija pa ardhur për asgjë në botë edhe pse kam shumë obligime. Fundja, kanë kaluar vite të tëra prej se nuk kam qenë në shtëpi. Por, nuk më tregove me kë do të martohet ajo? - e pyeta. Luçia mori frymë thellë, e më pas më tha: - Me kolegun tënd. A të kujtohet Luftimi? Ndihesha sikur të më kishte rrokur murmurima. Çdo gjë tjetër do ta kisha duruar më lehtë. Por, Luftimi nuk ishte vetëm koleg për mua. Ishte dashuria ime e vetme dhe Luçia e dinte këtë shumë mirë. - Si është e mundshme? Ai është më i vjetër se Maria nja 20 vjet? - u trondita. - As unë nuk e kam të qartë si u lidhën këta dy. Aq më tepër, për shkakun se Maria nuk manifestonte ndonjë interesim për meshkujt. Ajo vazhdimisht fliste për përfundimin e gjimnazit dhe për studimet. Donte që të bëhej mjeke si ti. As unë nuk munda të besoja kur më thanë - tha motra ime. (vijon)

(Kosova Sot)