Ngjarje e vërtetë: Kurrë nuk do të besoja se do të martohesha me të (2)

  • 17 April 2019 - 15:35
Ngjarje e vërtetë: Kurrë nuk do të besoja se do të martohesha me të (2)

 A e di ajo për Luftimin dhe për mua? - e pyeta me kujdes. - Jo, e pse do ta dinte? Ajo ishte një lidhje nga ditët e shkollës së mesme… - E cila vazhdoi edhe gjatë studimeve - e korrigjova. - Pa marrë parasysh! U martove me një tjetër, e le atë, e më pas kaluan dhjetë vjet. Nuk ka kuptim t'ia tregoj këtë - më tha ajo. Pasi që mbaruam bisedën, u ula e kujtimet filluan që të më ktheheshin. Edhe unë isha në moshën e saj kur u dashurova marrëzisht në Luftimin. Puthjet e para dhe një lumturi e madhe në atë botë magjike të dashurisë... tërë këtë ma ofronte Luftimi. Në lidhje ishim nga viti i parë i shkollës së mesme, e derisa diplomova dhe u largova për në Itali. Pasi që ma ndanë bursën, isha e bindur se lidhja në distancë do të funksiononte. Por, nuk na ishte shkruar. Në fillim i shkruanim njëri-tjetrit, ku Luftimi më premtonte se, sapo t'i mblidhte paratë e nevojshme, do të vinte në Gjenovë për të më vizituar. Më shkruante për xhelozinë e cila e brente. Nuk mund të pajtohej me faktin se isha e vetme, në një vend të huaj, e unë e qetësoja duke i thënë se nuk kishte arsye për t'u bërë xheloz, ngase edhe ashtu gjatë tërë ditës rrija vetëm në fakultet. Kjo ishte e vërtetë, por nuk i tregoja se Silvio, njëri nga profesorët, ma kishte vënë syrin.

Në fillim i rashë në sy si studente e vyeshme, e më pas edhe si femër. Disa muaj më pas, shoqërimi ynë vazhdoi edhe jashtë fakultetit. Ma kishte ëndja vardisjen e tij, sharmi i tij më imponohej, e edhe përvoja e tij me femra më bënte përshtypje. Aty ishte edhe nami i tij si profesionist i zoti. Nuk kisha zemër që t'i tregoja Luftimit. Për këtë shkak, ia dërgova një letër, ku i thosha se e lija. E lusja të më falte, duke i thënë se nuk kisha planifikuar të lidhesha me dikë tjetër, por ajo thjesht, ndodhi dhe, krejt në fund të letrës, i tregova se do të martohesha. Luçia më kishte treguar më pas se Luftimi ishte dëshpëruar shumë. E dija se me muaj të tërë nuk kishte pushuar së piri, por në vend të keqardhjes, te unë lindi kundërshtimi. Mirë kisha bërë. Nëse ai qenka i prirë për të qenë alkoolist, atëherë edhe mua, herët a vonë, do të ma shndërronte jetën në ferr, mendoja, duke u lidhë edhe më shumë për Silvion. Luftimi më shkruante, më bënte be që ta ndërroja mendjen, por unë tanimë kisha vendosur. Emocionet ndaj Silvios, mundësitë që mi ofronte ajo martesë, ishin shumë më të forta sesa dëshira që t'i kthehesha atij. Më verbuan tërë ato mundësi që u hapën para meje. Shansi që të jetoja një jetë të ekspertëve të njohur botërorë, prandaj as që doja të dëgjoja për Luftimin. Shumë gjëra atëherë nuk i vëreja, meqë isha e magjepsur nga sharmi i Silvios. Por, lumturia ime nuk zgjati shumë. Edhe pse isha e martuar me të, sikur të isha vetëm. Silvio i ndërronte femrat sikur çorapet, e pesë vjet më vonë më la për shkak të një femre shumë më të re sesa unë. Pas kësaj tragjedie nuk mund t'i telefonoja Luftimit, duke i thënë se kisha gabuar.

Çdo ditë pendohesha pse e kisha lënë, por isha e bindur që Luftimi tani kurrë nuk do të më falte. Për këtë shkak, iu përkushtova karrierës. Marien e adhuroja, e doja sikur ta kisha timen dhe dridhesha nga frika, nga dëshira e saj që të shkonte hapave të mi. Nuk thonë së koti: "Kujdes çka dëshiron, mund të të realizohet". Për këtë shkak ëndrrat e saj më frikësonin, sepse askujt, e aq më pak mbesës sime të preferuar, nuk do t'ia uroja një dëshpërim të tillë në dashuri. Sikur Silvio ndaj meje, po ashtu edhe Luftimi ishte shumë më i moshuar sesa ajo. A do ta përjetonte edhe ajo dëshpërimin sikurse unë, e pyesja veten. Tre muaj kaluan shumë shpejt dhe unë kisha filluar të përgatitesha për dasmën e Maries. Pasi arrita në aeroport, në vendlindje, mora autobusin dhe u nisa rrugës, duke menduar gjatë tërë kohës. (vijon)

(Kosova Sot)