Roman dashurie: Kur e shijon dashurinë (87)

  • 20 April 2019 - 15:41
Roman dashurie: Kur e shijon dashurinë (87)

"Dhe ti - ti je pjesë e një bendi të çuditshëm që i bazon këngët te Shakespeare! Nënën ta kanë vrarë dhe ti ke mbajtur koncert shtatë ditë pasi që të vdiq babai. Ne nuk jemi normalë. Nuk dua një vit normal të shkollës së mesme. Unë të dua ty. "Nëse kam mësuar ndonjë gjë gjatë këtyre muajve të kaluar, atëherë kjo është se jeta është e vështirë. Ajo është e ligë, me vese dhe nuk është falëse. Ajo është e errët dhe kundërmon. Por, më pas, ndonjëherë jeta është aq e bukur, saqë tërë errësirën ta zëvendëson me dritë. "Isha aq e vetmuar…" Ajo pauzoi dhe e preku buzën me gisht. "Isha tepër e vetmuar para se të arrija në kafenenë 'Joe's'.

Dhe, më pas dole ti në skenë dhe këndove për mua. Ma ktheve dritën në ditët e errësirës sime. Por, kurrë nuk u çele para meje. Kurrë nuk më le që të hyja". Iu afrova dhe e preka, në shenjë ngushëllimi."Isha duke u kthyer nga Çikago kur të pashë për herë të parë. Shkova për t'i kaluar disa ditë me gjyshen, për t'u siguruar se ajo ishte mirë, pas vdekjes së të atit tim. U ula në tren. Më pas shikova lart dhe pashë ata sy të gjelbër dhe disi e dita se gjërat do të ishin në rregull". Kur ajo e aviti kokën e saj te unë, buzët tona instinktivisht u bashkuan."Ti nuk ma solle dritën, Ashlyn. Ti je drita". Ajo buzëqeshi me atë buzëqeshjen e saj të përkryer dhe qeshi. "Normalja edhe ashtu është e tejvlerësuar". Ajo pauzoi."Nuk më duhet gjithsesi të shkoj në Kaliforni. Mund të rri këtu me ty, pasi që të mbarojë shkolla. Mund të shkoj në një kolegj të komunitetit dhe mund ta ndërtojmë shtëpinë tonë. Mund të jemi bashkë". E ula kokën. E pastrova fytin. Çka jam duke bërë? E dija se asaj isha duke i dërguar sinjale të gabueshme, e dija se isha duke i shkaktuar.

 

konfuzion. Por, nuk e kisha sjellë poshtë në bodrum, për t'u ribashkuar. Mendjen e kisha te letra e Gabby-t dhe te kërcënimet që mi kishte bërë Jace. Dhe, ajo tani ishte duke menduar që të hiqte dorë nga ëndrra e saj për hatrin tim. "Ne nuk mund ta bëjmë këtë më, Ashlyn", pëshpërita. Sytë e saj u zgjeruan, nga befasia e fjalëve të mia."Çka?" "Nuk mund të takohemi më". Doja ta dija nëse fjalët e mia e kishin lënduar atë aq sa më kishin lënduar mua. "Çka po bën, Daniel?" më pyeti ajo, duke u larguar nga unë. "Ti më solle këtu... që të ndahesh nga unë"?

Sytë e saj ishin të trishtuar, megjithatë ajo ende nuk ishte shkrehur në vaj. Nuk iu përgjigja. Mendoja se, po t'ia thosha të vërtetën, atëherë ajo do të lëndohet edhe më shumë. "Ma thuaj!", bërtiti ajo duke mu afruar. Më goditi fort në gjoks. "Ma thuaj! Më thuaj se nuk dëshiron të jesh me mua"! "Ashlyn", thashë. Isha duke ia bërë këtë asaj. Isha duke e thyer atë. Asaj filluan t'i rridhnin lotët dhe trupi filloi t'i dridhej."Më thuaj se nuk më dëshiron më! Thuaje!", bërtiste derisa më godiste në gjoks. Pas çdo goditjeje, një pjesë e imja vdiste. Pas çdo goditjeje, zhdukej një pjesë e saj. Ia kapa dorën dhe e tërhoqa afër. "Të pranova", më tha duke dënesur, duke vazhduar që të më godiste. "Unë të pranova, e ti tani më braktis". "Më vjen shumë keq", i thashë, duke e mbajtur me duar. Bëja më të mirën për ta qetësuar, por kjo nuk kishte kuptim, meqë isha unë ai që e kishte lënduar atë."Të dua kaq shumë". (vijon)

(Kosova Sot)