Ngjarje e vërtetë: Kurrë nuk do ta besoja, se do të martohesha me të (5)

  • 20 April 2019 - 15:48
Ngjarje e vërtetë: Kurrë nuk do ta besoja, se do të martohesha me të (5)

Maria më pas u shkreh në vaj, e pas dhjetë minutash, pasi që u qetësua pak, përsëri më tronditi. - Teze, gabim e ke. Luftimi është njeri i mirë, i cili ma mbron nderin. Ai nuk është baba i fëmijës tim! - E, kush është? Më trego se çka është duke ndodhur! - Amiri, i dashuri im. - E, pse atëherë martohesh me Luftimin? Dhe, ku është Amiri tani? - asgjë nuk e kisha të qartë. - Amiri dhe unë nuk mund të martohemi, meqë nuk jemi të moshës madhore, e prindërit e tij e kundërshtojnë lidhjen e tij me mua. Sillen sikur të më urrenin, rreth meje flasin sikur për një të përdalë, pa moral. Më kanë thënë se nuk do të lejojnë që djali i tyre i hasretit ta shkatërrojë jetën me mua. E kanë dërguar te daja, në një qytet tjetër që atje ta përfundojë gjimnazin, e mua më kanë ofruar para, që ta heqë qafe fëmijën, më tha ajo. Ma hapi zemrën dhe m'i tregoi të gjitha. Më tha sesi nuk kishte biseduar për këtë me Luçinë, meqë me të kurrë nuk kishte pasur raporte aq të ngushta sikur me mua. Motra ime vazhdimisht i thoshte sesi më parë duhet ta kryente shkollën, e tek më pas të mendonte për dashuri.

Edhe ne të dyja, kur ishim të reja, grindeshim rreth kësaj teme, meqë Luçia gjithmonë në plan të parë e kishte arsyen, e më pas emocionet. Maria kishte frikë që t'ia tregonte asaj të gjitha, meqë nuk dinte si do të ishte reagimi i saj. Për këtë shkak kishte shkuar vetëm te prindërit e Amirit. Sikur qengji në gojë të ujkut. Me atë rast Amiri e kishte mbrojtur, ua përsëriste prindërve se më donte, se donte të martohej me të, se e donte fëmijën tonë. Por, prindërit e tij nuk kishin dashur të dëgjonin. - Si mund ta bëjnë një gjë të tillë? Një nuse më të mirë as që mund ta marrin me mend! Nuk mund të sillen kështu. Do të bisedoj unë me ta - i thashë me vendosmëri. - Jo! Ti e di ku jetojmë. Edhe ashtu, çdo gjë e kemi diskutuar. - Me kë keni diskutuar? Për çka jeni marrë vesh? Ende nuk kuptoj se çka ka Luftimi me këtë storje? Pse mu ai po martohet me ty? - Asokohe isha e dëshpëruar, e pas kontrollit te mjeku, dola të shëtisja në qytet, ku edhe e takova Luftimin. Menjëherë pa se nuk ishte diçka në rregull me mua dhe më ftoj për kafe. Ia tregova të gjitha dhe ai më premtoi se do të më ndihmonte. - Duke u martuar me ty? - Kjo do të ishte martesë vetëm me letra. Derisa Amiri dhe unë ta arrijmë moshën madhore. Atëherë do të shkurorëzohesha nga Luftimi. - Pse do ta bënte Luftimi një gjë të tillë? - Edhe unë ia kam bërë vetes këtë pyetje. Por, ai ma dha një përgjigje shumë të qartë. Më tha se, për hir tëndin dhe familjes tënde, është i gatshëm që të hyjë edhe në zjarr. Jam shumë falënderues ndaj tij. Ti e di edhe vetë si trajtohen femrat, nënat pa burrë në ambientin tonë, me fëmijë ilegjitim. Ai më ka shpëtuar me të vërtetë - përsëriste disa herë. Filluan të më merreshin mendtë, e zemra më rrihte më shpejt.

Pra, Luftimi këtë e bënte për mua, meqë më donte dhe nuk donte që të vuante askush nga familja ime. Pas tërë asaj që i kisha bërë?! Për ta bërë një gjë të tillë, nevojitet një fisnikëri e lartë, mendoja dhe turpërohesha nga veprimet e mia. Nga mënyra sesi e kisha lënë, nga martesa me Silvion, nga fjalët që ia thash në stacionin e autobusëve, gjithçka tregonte se vetëm unë isha negative në tërë këtë mesele. Përkundër kësaj, ai është i gatshëm që të martohet, vetëm që familjes time të mos i dalë zëri i keq. Në mua përsëri u zgjuan ndjenjat më të bukura ndaj tij, dashuria e shtypur me vite përsëri doli në sipërfaqe, më e fortë se kurrë. E, çka tani? Pasi që përfundimisht kuptova se sa e dua, ai martohet me mbesën time?! A do të bashkohemi ndonjëherë? Athua kurrë nuk do të më jepet rasti t'i kërkoj falje, duke i thënë se sa shumë kisha gabuar? Maria e mbështeti kokën në supin tim dhe unë fillova që t'ia ledhatoja flokët. Pas disa minutash cingëroi celulari i saj. Ishte Amiri. (vijon)

(Kosova Sot)