Ngjarje e vërtetë: Më braktisi për shkak të një reklame! (4)

  • 27 April 2019 - 15:56
Ngjarje e vërtetë: Më braktisi për shkak të një reklame! (4)

- Shikoje vetëm ato shtresat te beli dhe përreth tij, në fakt, nuk po shihet fare beli. Këmbët të janë bërë si lëvore portokalli, ndërsa që gjoksin të është lëshuar si të ishe shtatëdhjetë vjeçe. Vetëm shikohu në pasqyrë, nuk ke ndryshuar stilin e flokut që prej kur të njoh, e tani pak a shumë je qesharake. Vetullat ke ndaluar së rregulluari, e qeskat e errëta në sy po të bëjnë më të vjetër sesa që në të vërtetë je - kishte filluar të mi numëronte mangësitë. Kurrë në jetën time nuk kam ndier një valë kaq të madhe të mllefit dhe kaq pikëllim. E kam pështyrë me gjithë fuqinë. Ma ka kthyer goditjen. Nuk e kam ditur cila goditje nga to më ka befasuar. Më nevojiteshin disa momente derisa gjithçka të kuptoj.

- Dil jashtë shtëpisë. Këtu jeton bota e ndershme dhe nuk ka manekine nga reklamat. Humb, përkundrazi të lajmëroj për dhunë familjare. Samir, më humb prej syve - po bërtisja thuajse më kishte kafshuar gjarpri, edhe pse mendoj se një kafshim i tillë më pak do të kishte dhimbje. Thuajse nuk ishte mjaftueshëm se më kishte tradhtuar, por kishte marrë guximin edhe të më godite. Ma ka hedhur një shikim plot urrejtje, shkoi në dhomën e gjumit, u ndërrua e më pas u largua nga shtëpia. E kam kuptuar se kisha nevojë për stil të ri të flokut, apo për çfarëdo tjetër. Pa marrë parasysh se çfarë bëj me veten, gjithmonë do të jem e njëjta, si edhe para ndryshimit të stilit. Gjithmonë kam qenë elegante, e pastër, kujdesesha për veten aq sa kisha mundësi. Nuk kisha kohë për shkuarje të përditshme në palestër, apo dëshirë për të shkuar për ta tërhequr lëkurën te mjeku, apo për ndonjë ndërhyrje tjetër. Me flokë të gjatë apo të shkurtë, të verdhë apo gështenje, në taka të larta apo të rrafshëta, gjithmonë isha e njëjta. Samir ma kishte thyer vetëbesimin dhe pothuajse kam rënë në provokimet e tija. As kur kam qenë e re nuk kam dashur që djemtë të çmenden pas meje. Unë nuk jam një tip i tillë i femrës. Besoj te vlera e secilës femër, por edhe të secilit mashkull, besoj se vlera fshihet nga brenda, e jo në dukjen fizike siç prezantohet në publik. Zemërgjerësia, qëllimet e mira, dora e hapur për ndihmë, zemra plot me dashuri, janë specifikat dhe ato që e dallojnë njeriun e mirë. Besoj se më me rëndësi është në rrugë t'i ndihmosh dikujt të moshuar, se të blesh një kapelë të shtrenjtë nga koleksioni pranveror dhe të shëtitësh me kokën lart. Ky është vetëm mendimi im. Pasi kam dalë nga salloni, kam shëtitur rrugëve të qytetit. I gjithë pikëllimi përnjëherë më doli nga zemra. Kisha dy fëmijë të bukur, prindërit më jepnin përkrahje, miqtë e mire dhe bashkëpunëtorët. Ata ishin arsyeja e mjaftueshme që buzëqeshja të më kthehej në fytyrë.

Samiri u tregua si dështim i madh. Me këtë isha pajtuar, tash duhej ta qes faqen tjetër, faqe ku nuk do të shkruante fare emir i tij. Disa ditë nuk kishte ardhur në shtëpi. Fëmijët e kanë kuptuar se diçka po ndodhte. Më duhej t'i thosha shumë gënjeshtra, por mendoja se edhe ata duhet tra dine të vërtetën. Ua kam përsëritur fjalët e njëjta që m'i kishte thënë babai i tyre. Sikurse unë, edhe ata ishin të lënduar. E kanë thirrur në mobil, nuk e kishte hapu, deri në ditën kur kishte vendosur të vinte për gjërat e veta. Fëmijët e kanë përgjëruar të mos na linte. - Ju ende jeni të rinj, nuk dini asgjë për jetën. Secili mashkull pranë vetes dëshiron një grua të hijshme. Më vjen keq që nëna juaj ka ndryshuar kaq shumë. Sikur të kujdesej për veten, ende do të ishim familje e lumtur. Nuk i kam fajet unë pse ajo ka harruar që është femër, me këto fjalë para fëmijëve ai po arsyetonte tradhtinë e tij. (vijon) 

(Kosova Sot)