Roman dashurie: Kur e shijon dashurinë (95)

  • 28 prill 2019 - 15:44
Roman dashurie: Kur e shijon dashurinë (95)

Ryan më shikoi mua, e më pas ia hodhi shikimin shtëpisë. "Duhet të hysh brenda, Hailey", tha ai. "Çka? Nuk ka mundësi! Nëna është duke u sjellë si e çmendur!", tha ajo, duke treguar një vendosmëri të madhe. "Nuk do të të braktis". Ryan u kthye për ta parë motrën dhe e përqafoi. "As unë nuk do të të lë ty". Ai iu afrua asaj dhe e puthi në ballë. "Tani shko brenda, meqë je tepër e mirë për Theon. Dhe, tepër e mirë për nënën". "Por, unë e urrej atë", reagoi ajo. "Oh, mos e urrej atë për shkakun tim dhe të çështjeve të mia", tha Ryan duke qeshur. "Shko brenda dhe thuaji se je bërë budiste e, më pas, mund ta urresh atë për shkak të reagimit të saj". Hailey qeshi lehtazi dhe Ryan ia fshiu lotët që i binin motrës së tij nga sytë. "Kur t'i mbushi të 18-tat, do të iki me ty dhe me Ashlynin". "Do të shkojmë në Kaliforni. Mund të bëhesh instruktor i jogës. Ashlyn do të bëhet një shkrimtare bestseller, kurse unë do të bëhem prostitutë në bulevardin e Hollivudit". Ai e bëri motrën e tij që të qeshte përsëri dhe unë pashë se ajo u qetësua. Pas pak u përshëndet me Ryanin dhe hyri brenda, duke ia bërë me duar shenjën e zemrës, që thoshte "të dua". "Më premton që do të përkujdesesh për të, Ashlyn?" Unë premtova. Henry u largua nga shtëpia pasi që Hailey hyri brenda. Ai shikoi në drejtimin tim. Iu afrova atij, me duart e kryqëzuara. Çka dreqi ndodhi?", i thashë me shpinë të kthyer kah Ryan. Sytë e Henry-t ishin të rënduar dhe ai fërkoi qafën e tij. "Rebecca… Ajo…" ai e uli kokën. "Si është Ryan"? "Aq mirë, sa që mund të jetë, supozoj". Henry futi dorën në xhep dhe nxori ca të holla.

"I kam këto treqind me vete. Jepja Ryanit për fundjavë. Do ta gjej një banesë për të". I mora paratë nga Henry dhe tunda kokën. "Ajo nuk do të ndërrojë mendjen, apo jo?" "Ajo e fajëson atë për shkak të vdekjes së të atit". Me gishta fërkoi mjekrën e vet."Kjo nuk ka asgjë të bëjë me faktin që Ryan është gej. Kjo ka të bëjë me faktin që Rebecca kurrë nuk i sqaron gjërat deri në fund dhe nuk punon me vetveten. Ajo do ta gjente gjithsesi një arsye për ta përzënë atë nga shtëpia". E dija si ishte të të përzinin nga shtëpia kur ke nevojë më së shumti për dikë. Mendja mu kthye te nëna ime dhe te vendimi i saj që të më dërgonte te Henry. Më pas pushova, duke menduar se sa me fat që isha, që kisha një vend për të shkuar. Ryan nuk e kishte askënd, nuk kishte ku të shkonte. "Rri afër tij, në rregull? Dhe, më informo rreth tij", më tha Henry. "Në rregull", i thashë. Fillova që të largohesha, por u ndala dhe u ktheva kah ai "Faleminderit, Henry. Që po i ndihmon atij". Ai bëri një gjysmë buzëqeshjeje dhe u nis që të hynte brenda. Unë u afrova te vetura, hyra brenda dhe e ndeza atë. "Ku po shkojmë, shok?" Ryan buzëqeshi dhe u ul në ulësen e tij, duke i vendosur këmbët lartë, mbi plastikën e veturës. Në duar mbante letërnjoftimin e tij të rremë.

"Në dyqan të rakisë!" Shkuam në dyqan të rakisë, duke marrë në karrocë çdo pije që donte Ryan. "Nuk duhet të shqetësohemi rreth letërnjoftimit të rremë", më tha Ryan. "Kam qenë në lidhje me punëtorin në arkë". Nuk dija a të qeshja, a të qaja. Prandaj nuk e bëra asnjërën. Kur shkuam te pjesa e verërave, ai u ndal. Një çift i moshuar qëndronte para nesh. Kur e panë Ryanin, sikur u shtangën dhe u shokuan. "Ryan", tha gruaja e moshuar, duke i dhuruar atij në buzëqeshje me zor. Kur e panë karrocën tonë plot me raki, ata u munduan që të mos reagonin. "Si je, i dashur?" (vijon)

(Kosova Sot)