Ngjarje e vërtetë: E zënë rob në martesë (3)

  • 05 May 2019 - 16:34
Ngjarje e vërtetë: E zënë rob në martesë (3)

E dija se mund ta kisha mashkullin që do ta doja dhe kisha shumë të tillë. Isha sikur flutura që shkon lule më lule, ku shumicën e atyre lidhjeve i ndërpritja para se të bëheshim tepër të afërt. Me kalimin e kohës kuptova se, atë që isha duke kërkuar, kurrë nuk do ta gjeja te meshkujt të cilët ishin vetëm pak më të vjetër se unë. Për këtë shkak, u ktheva kah meshkujt më të moshuar, apo thënë më mirë, më të pjekur. Por, hasa në një problem, i cili dukej i pakalueshëm. Shumica prej tyre ishin të martuar, e të gjithë ata që i doja, shumë shpejt binin nga "kombinacioni" për këtë imtësi, e cila më pengonte. Megjithatë, nuk hoqa dorë. Kur e takova Robertin, kuptova se ai ishte mishërim i të gjitha atyre që kisha kërkuar ndonjëherë. Ishte më i vjetër se unë 20 vjet, ishte i suksesshëm dhe i pasur, e në anën tjetër, dinte si të sillej ndaj një femre. Edhe pse ishte i martuar, e fillova lidhjen me të. Ai me të vërtetë sillej ndaj meje sikur të isha mbretëreshë, gjë që do të ishte joshëse për çdo femër. Çdo ditë më blinte dhurata të shtrenjta dhe më premtonte se do të ndahej nga gruaja, edhe pse unë nuk i besoja aspak në këtë aspekt. Për këtë shkak u befasova kur më tha se e kishte dorëzuar në gjykatë kërkesën për shkurorëzim. Edhe pse dyshoja në këtë, ai m'i tregoi dokumentet.

Të njëjtën mbrëmje më propozoi martesë. Natyrisht që pranova. Roberti mund të mos ishte mashkulli më i pashëm, por ishte ai që mund të mi ofronte të gjitha gjërat që doja: sigurinë dhe stabilitetin. Kishte dy fëmijë tanimë të rritur, por kjo mua nuk më interesonte fare. e vetmja gjë që më interesonte, ishte që ai ishte i dashuruar marrëzisht në mua. Me admirim shikoja unazën e smeraldit me të cilën më ofroi fejesë. - Kur e pash, mi kujtoi sytë e tu dhe mu desh ta blija - më tha ai. - Vetëm bukuria e një unaze të këtillë mund të matet me bukurinë tënde - tha me lajka, duke vërejtur me kujdes çdo reagim timin. Aspak nuk e fshehte faktin se sa i dhënë ishte pas meje. Për të isha mbretëreshë dhe vazhdimisht më mbante në krye të listës së tij të prioriteteve. Kjo më pëlqente pa masë. Në shtëpi kisha një koleksion të tërë të dhuratave të vlefshme. Ai nuk e manifestonte vetëm dashurinë, por e dëshmonte atë në të gjitha mënyrat e mundshme. Nuk vonoi shumë dhe ai bleu një banesë në qendër të qytetit, ku filluam që të jetonim bashkë.

U largua nga gruaja, duke ia lënë asaj shtëpinë luksoze, por mua kjo nuk më interesonte. Me të vërtetë mendoja se ai ishte tërë ajo që doja. Sikur ta dija vetëm një pjesë të së vërtetës, do të ikja si e pakokë. As që më shkonte mendja se sa do të ma nxinte jetën me xhelozinë e vet. Në fillim bile më pëlqente fakti që ai ishte xheloz. Atë xhelozi e konsideroja dëshmi të dashurisë. Gjithmonë duhej ta dinte se ku dhe me kë isha. E kontrollonte çdo lëvizje time, e unë as që e kisha hetuar një gjë të tillë. Ai e dinte mirë se çka ishte duke bërë, por unë nuk e dija se çka më priste. Ndoshta isha ende e re dhe nuk e njihja sa duhej mendjen e meshkujve. Vetëm disa ditë pasi që filluam të jetonim bashkë, më vizituan prindërit. Ata e dinin se isha në lidhje, por nuk e dinin me kë. Kur dëgjuan se ai ishte duke u shkurorëzuar për hatrin tim, ata u tmerruan, duke më kërcënuar se do të hiqnin dorë nga unë. - Çka je duke bërë? - ma tha babai troç. - Ky qenka moshatar me mua. A t'u kanë qorruar sytë, a? burri që e len gruan për një femër më të re nuk është burrë, ai nuk e meriton dashurinë tënde. Mua nuk më vjen çudi prej tij, por ti?! Të kam edukuar ashtu si më kishin edukuar edhe mua prindërit e mi, e ti more guximin që t'ia shkatërroje dikujt martesën. Menjëherë merri plaçkat e tua dhe kthehu në shtëpi! - më urdhëroi ai, por unë nuk pranova. (vijon)

(Kosova Sot)