Fundi i lumtur i një dashurie të trishtë

  • 11 May 2019 - 11:39
Fundi i lumtur i një dashurie të trishtë

Historia ime nisi në vjeshtën e vitit 2010. Unë po udhëtoja në Itali tek vëllai, I cili ishte pa qejf dhe nusja e tij me dy fëmijë të vegjël e kishte të pamundur ta ndihmonte e vetme. Unë ato kohë sapo isha larguar nga një punë në një firmë avokatie dhe kisha kohë të lirë për ta ndihmuar.

Në avion, ulem në vendin tim dhe  pas nisjes, sapo u dha sinjali që mund të lëviznim, dëgjoj një zë që më thotë:  “Epo të kërkova në tokë e të gjeta në qiell.” E njihja atë zë. Kthej kokën dhe shoh atë, ish-të dashurin tim, dashuria 5-vjeçare që nisi në vit të dytë në gjimnaz tek “Qemal Stafa” dhe zgjati deri në vit të 3-të në fakultet, kur ai vendosi të largohej me studime në Itali.

Nuk u ndamë kur iku, madje i premtuam njëri-tjetrit se s’do të ndaheshim kurrë, se do ta prisnim njëri-tjetrin dhe sapo të mbaronte ai shkollën, do të jetonim bashkë dhe do të martoheshim.

Por nuk kaluan as gjashtë muaj nga ky “premtim” dhe një mikesha ime e cila ishte në Milano me shkollë, më tregon një të vërtetë që atëherë më tronditi: “Ai ishte lidhur me një italiane, që e kishte në kurs” dhe këtë histori ai e kishte ndarë më vëllain e mikeshës sime, një shok të vjetër fëmijërie.

Kur e mora në telefon atëherë, ai fillimisht nuk ma pranoi duke m’u përgjëruar se më dashuronte. Mendova që historia me italianen do të kishte qënë një kuriozitet I shkurtër dhe e injorova për disa kohë. Por papritur, një mëngjes të bukur, teksa bëja kontrollin rutinë të mesazheve, gjej një email të çuditshëm nga një adresë: …[email protected].

Mendova se ishte “spam” ngaqe nuk ishte titull kryesor, por e hap sërish. Sapo e hap, gati më merret fryma. Më hapet një email me foto të mëdha të atij dhe italianes në vende të ndryshme të Italise: Përqafë, duke u puthur, të dy të shtrënguar, duke qeshur së bashku…Më saktë, ishte një dokumentar me foto I një lidhjeje dashurie, që fatkeqësisht ishte një histori mes të dashurit tim dhe italianes. Nuk e mora vesh se si italiania kishte gjetur emailin tim dhe në fakt as më interesonte në ato momente. Thjesht, vendos t’ja bëij atij forëard emailit siç ishte, duke I shtuar vetëm kaq: “U kënaqa duke shijuar magjinë e dashurisë suaj. Shkoni shumë me njëri-tjetrin. Ju uroj një jetë të lumtur dhe shpresoj të martoheni sapo ti të mbarosh shkollën, siç e kishte ëndërruar.”

As vetë nuk e di si e kam shkruar mes lotëve atë email dhe se si I bëra “send”.  Kam qarë për ditë me rradhë. Nuk haja, shkoja në shkollë vetëm për seminare, nuk përqëndrohesha dot tek leksionet. Rashë shumë në peshë.

 Netët ishin më të tmerrshme, sepse në mëngjes e humbja pak mendjen me një film, me ndonjë telefonatë apo kafe me shoqe, por natën, natën vetëm në dhomën time, më torturonin mendimet. Dhe më e tmerrshmja është se ai nuk iu përgjigj kurrë atij emaili. Nga një anë mendoja se kjo ishte shenjë e mirë, se unë tani e kuptova tamam se çfarë maskarai ishte dhe mund ta vazhdoja jetën perfundimisht pa te. Por nga ana tjeter, më dhimbte shumë fakti që ai as e mori mundimin të përgjigjej. Të thoshte qoftë një fjalë. Të thoshte qoftë: “Më fal! E dhjeva! Por ate e dua!” Te thoshte dicka, dicka te vogel qe unë ta kuptoja se ai ishte I përbërë prej gjaku e mishi. Por s’ndodhi. Dhe e urreva. Shumë e urreva, për një kohë shumë të gjatë! Derisa e …harrova. Ne nje fare menyre nuk e kujtoja me. Ato gjëra e vende që më kujtonin atë, papritur u bën thjesht “Gjëra” dhe “Vende”, pa u shoqëruar me kujtime. Disa kohë u lidha me dikë, por nuk isha shumë e sigurt se mund të kaloja jetën me të dhe e ndava. Kisha frikë se po të vazhdoja do të bija pre e ndonjë martese të gabuar. Më pas nuk e di, por nuk u lidha më, edhe pse pata propozime.

Atë moment në avion, nuk dija ç’të mendoja më parë. I pashë fytyrën. Kishte disa vija nën sytë e zinj që gjithmonë I buzëqeshnin. Ai në fakt ka qeshjen më të bukur që kisha parë. Çdo rrudhë, çdo shqisë I qeshte. Madje po të mos e dije historinë, një të panjohuri do t’I dukej sikur ai ishte një mik I mirë I ngushtë që kishte kohë pa më parë dhe jo dikush që më braktisi në mënyrën më kafshërore.

Por atë moment s’kishte rëndësi. Unë në fakt gjithmonë jam përpjekur që të fal edhe pse nuk harroj kurrë. Por dua të fal, sepse nuk më pëlqen ngarkesa e hakmarrjes mbi veten time. Nuk e dua, nuk ndihem mirë dhe nuk jam e lirë, ashtu. Ndaj e heq diçka nga vetja e them: “Ëhat comes around, goes around.” Ia lë Zotit me një fjalë.

Ai më puthi në faqe lehtë, me atë lehtësinë intime të një njeriu që e kishte marrë malli. Më puthi dhe ngeli aty duke më nuhatur.

“Mmm…s’është më Chanel Chance. “

“Jo” ia ktheva. Nuk vë më Chanel.

“Kuptoj” dhe buzëqeshi e pastaj ndenji duke më vështruar.

“Dëgjo, ne u takuam kështu rastësisht…se në fakt s’duhet të të takoja rastësisht që të thoja…se unë duhet ta kisha thënë…”

“Për një avokat je shuëm I artikuluar”

“Për një idiot jam tej mase I artikuluar në këtë moment.  E dhjeva , e di! Më fal!

4 vjet më pas e tha! Atë që prisja. E tha më në fund. Por ishte tepër vonë. Madje kur ai e tha, mua nuk më interesonte më.

“S’do të më thuash asgjë?”

“Po çfarë fitoj po t’u përgjigja! Ajo që sapo më the, ishte si ato dialogjet e panevojshme në avion në ngjitje ose në ulje, kur njerëzit duan të heqin mendjen nga frika.”

Ai nuk foli. Ndërkohë stjuardesa me karrocën e pijeve po afrohej tek sedilja ime dhe ai duhet të lëvizte. Nuk folëm më përgjatë udhëtimit.  Por ç’rëndësi kishte! Atë moment e kuptova se sa budallaqe isha. Sepse kur ai u largua, deri në momentin e mbërritjes në aeroport, fatkeqësisht doja ta takoja prapë. Isha gati të shkoja të ulesha afër tij. Nuk e di nëse ishte mall apo kuriozitet. E vërteta është se unë nuk doja të dija më atë që ndodhi kur më la. Isha aq e interesuar për atë histori, sa ç’mund të isha për një shok klase të vjetër qe befasohem kur e ndesh në Facebook, dua të di gjithçka për të në këtë moment dhe evitoj çdo kujtim të përsëritur shkolle. Dhe unë atë ndarje e kisha përsëritur dhe e kisha qarë në të gjitha format e në të gjitha cepat e mundshme të Tiranës, sa nuk kishte mbetur më asnjë thërrmijë brenda meje që të më ngacmonte.

Por kimia ishte aty.  Çuditërisht ndjeva të njëjtën “rrymë” të kalonte brenda meje, si atëherë kur e kuptuam që nga shokë, kishim nisur të tërhiqeshim seksualisht.

Në aeroport, unë dola përpara sepse ai ishte në fund të avionit. Në rradhën e pasaportave, ia dëgjoj sërish zërin: “Zemër, hë e zure rradhën. Sa mirë!’

Një mënyrë “elegante” për të përfituar edhe nga fakti që isha shumë më afër kabinës se policit se ai, por edhe për t’iu shmangur refuzimit tim. S’I fola, por hapa vend edhe për të. Ai vetëm më shihte në sy, kurse unë shihja rrotull, duke u përpjekur të evitoja shikimin e tij. I thoja vetes: “Ok, ja kaluam kufirin dhe gjithçka do të mbarojë. Ai do të tek familja e tij dhe ti tek vëllai. Kaq ishte” Por pak dija. Sa kaluam kufirin ai nuk m’u nda më.

Ai këmbënguli të më përcillte me makinën e tij dhe rrugës për në qytet edhe pse ia kërkova, këmbënguli të më shpjegonte se ç’ndodhi. Në fakt nuk kishte ndodhur asgjë. Ai përpiqej ta zbukuronte me justifikime të mjera, atë histori që unë e kisha vuajtur “bruto”. Më tha se e kishte marrë shumë malli për mua dhe se më kujtonte çdo ditë.  Bëra sikur e besova.   Në fund, kur arrita tek shtëpia e vëllait, më kërkoi numrin e telefonit. I thashë që s’kisha dhe se do blija një numër Italian. U ndamë aty. Nuk kaluan as 24 orë dhe në emailin tim më vjen një mesazh nga ai: “Të të tregoj qytetin, se e njoh më mirë se ty.”

Në atë moment, duhet të bëja atë që Duhej të bëja: Të mos I ktheja përgjigje fare. Ai do të shkruante edhe një herë, dy herë pastaj do ta merrte mesazhin e nuk do të më bezdiste më. Por I shkrova mbrapsh.  Kuriozitet? Dëshpërim? Dashuri? Mall? Vetmi në këtë vend ku më duhej të jetoja çdo ditë edhe me shqetësimet e vëllait e të familjes së tij? Zgjidhni ç’të doni! Unë as e mendova, por I shkruajta; “Dakord. Më trego qytetin”

Dy ditë më pas, që I binte e shtunë dhe e shoqja e vëllait ishte pushim, unë dola nga ora 4 pasdite. Kemi ecur me këmbë deri vonë në darkë. Kemi ecur dhe kemi folur pafund. Ndalonim për pauza, uleshim në ndonjë shkallë kishe a bordurë, merrnim për të ngrënë në dorë si dikur në gjimnaz, e pastaj çoheshim e vazhdonim të ecnim. Mënyra se si ai bënte cicëronin, më bënte të mbaja barkun nga të qeshurat. Në një rrugë, dikush po I binte fizarmonikës dhe po këndonte një këngë napolitane. Ai ndaloi, më tërhoqi dhe nisi të kërcente. Pastaj në fund, pa mendje më rrëmbeu një puthje. Unë u tërhoqa. Por sa më pëlqeu. Nuk folëm për atë moment, por vazhduam të ecnim si dy fëmijë të dashuruar, por që kishin frikë të prekeshin sërish.

Ai më rrëfeu për shkollën, për punën, për jetën aty, për familjen në Shqipëri, për planet e tij. Në asnjë moment nuk më foli për jetën e tij intime. As unë nuk e pyeta se s’doja të bëja të interesuarën. Edhe pse sa vinte e bëhesha shumë kurioze. Telefoni I ra vetëm një herë. Ai u përgjigj në syrin tim dhe nga telefonata kuptova që ishte administratori I pallatit ku jetonte. Askush tjetër nuk e telefonoi gjatë atyre orëve që ndenjëm bashkë.

Kur më përcolli në shtëpi, ishte ora rreth 23:00. Më tha vetëm: “Të të përqafoj pak” dhe mori frymë thellë, sikur donte të më merrtë me një frymë të gjithë aromën time. “ Je shumë e mirë. Je shumë shumë e mirë. As ti vetë nuk e di se sa e mirë je!” më tha ndërsa më rregullonte flokët. Unë buzëqesha. S’dija ç’të bëja. Ai e pa që nuk ndihesha rehat dhe buzëqeshi vetë. Pastaj u afrua e më puthi në cep të buzës.

1 javë nuk dëgjova prej tij. Nuk shkëmbyem asnjë numër. Unë u përpoqa të mos mendoj për këtë zhdukje, e trembur nga ajo çfarë kisha kaluar dikur.

Pas fiks një jave, të shtunën në mëngjes, më vjen një mesazh: Do të Ikim bashkë jashtë qytetit. Fshatrat këtu të mrekullojnë.” Ktheva gjithë gurët e mundshëm për të justifikuar largimin tim në fundjavë. Ia arrita. Ai erdhi të më merrte me makinë dhe kështu u larguam për në përiferi. Sa herë shihja filma romantikë, mendoja që ato skenare duhet të ishin ëndrra të parealizuara dhe të paarritshme të atyre që I kishin shkruar. Por gjatë asaj fundjave e kuptova, që këto romanca të bukura mund të ndodhin. Jeta mund t’I ngjajë një filmi.

Asgjë atë fundjavë nuk ishte e rëndomtë. E gjithë aventura ishte destinuar të ishte një ëndërr. Që nisi që nga makina që ai kishte marrë me qera, tek shtëpia e bukur e fshatit ku do të qëndronim, tek restoranti intim me gatimet më të mira në botë, tek kërcimi në ballkon nën tingujt e një muzike të lehtë që vinte nga radio, tek ecjet në pyll, kapucino e shijshme…dhe deri tek pasioni I një nate të gjatë. Bëmë dashuri si të etur dhe në fund qava. Ai më përqafonte fort. Nuk më pyeti pse. Nuk folëm fare.

Isha kthyer sërish në pikën 0. Ky ishte ai! Ai që kisha dashuruar, ai që dashuroja, ai që më çmendte, më acaronte, më trishtonte, më gëzonte, më frikësonte,  ai që më lëndonte e më pas më puthte plagët një e nga një. E unë shërohesha, gati për t’ia nisur nga e para.

Ishte ora rreth 2 e pasdites dhe këtë gjë po e mendoja teksa prisja që ai të mbaronte pagesat e hotelit. Kur doli nga porta kryesore e vilës, s’e di pse u kontraktova. Sapo kisha kuptuar që e doja sërish shumë dhe s’dija ç’të bëja më. Kisha frikë. Kisha shumë frikë. Ai vazhdonte të ishte shumë I dashur. Hypëm në makinë. Unë u mbështeta tek dritarja dhe për rreth 45 minuta, kam folur a s’kam folur 2 herë. I thashë se doja të dëgjoja muzikë e të shijoja pamjen. Në fakt koka më ziente: “Bobo c’do të bëj tani? E dua prapë! Si mund ta dua prapë? Sa idiote që jam! Dua të vuaj?! Dakord, vuaj pra!”

Sa u futëm në qytet, u ktheva nga ai dhe thyeva heshtjen: “Ti ke të dashur…je I lidhur…se unë nuk të pyeta…por as ti s’më the…”

Ai vazhdoi të shihte drejt dhe nuk ndryshoi aspak mimikën e fytyrës. Zëre se e kisha pyetur për motin.

“Po, po. Jam I martuar dhe kam një djalë 9 muajsh. Aleks” Dhe buzëqeshi kur përmendi emrin e tij.

Nuk fola fare. E di pse s’fola? Sepse s’dija ç’të thoja! Ai nuk më detyrohej asgjë dhe unë nuk I detyrohesha asgjë. Ai më kërkoi dhe unë u tregova e gatshme t’I futesha aventurës. Gjatë gjithë ecjes sonë nëpër qytet, unë nuk e pyeta kurrë dhe ai nuk tha asgjë. Sepse unë me veten time, kisha vendosur të shijoja momentin. Ose kështu besoja. Deri në atë çast, kur ndjeva një boshllëk në stomak, sikur më kishte hedhur njeri pa mendje me litar nga një urë. Ishte e njëjta ndjesi e asaj dite kur hapa emailin. Kisha frikë t’I bëja pyetjen tjetër. Atë që çuditërisht, më tmerronte edhe më shumë.

“Ti je I martuar me atë…me atë italianen…”

Ai nuk foli. E mora përgjigjen.  Kur zbrita nga makina, e përshëndeta sikur të përshëndesja një taksist. Ai ishte aq I mençur sa të kuptonte që s’mund të hiqej më sportiv. Dhe e bëri sërish. Nuk tha gjë. Heshti. E përshëndeta sit ë përshëndesja një taksist. Ai vetëm më pa.

Deri në apartament, mezi kam tërhequr valixhen. Më rëndonte, sikur po ngrija gurët e Piramidës. Isha zvogëluar aq shumë, isha tkurrur në trishtimin tim, saqë çdo gjë më dukej e rëndë, e madhe dhe gri. Kur shkova në shtëpi, u hoqa si e sëmurë dhe u shtriva gjithë pasditen.  Banesa e vëllait tim me kalimin e ditëve m’u kthye në një burg. Lëngimi I tij m’u bë I padurueshëm. Po ashtu edhe zhurmat e fëmijëve që luanin sa në një dhomë në tjetrën. Nuk arrija të përqëndrohesha dot në asnjë bisedë që bënte nusja e vëllait. Më dukej vetja si fantazëm në atë shtëpi. Ndihesha e drobitur. Më keq: E zhgënjyer. Jo nga ai, por nga vetja. Isha budallaqja më e madhe në botë. Dy herë e përdorur. Sa mirë! Bravo!

Kaluan rreth 3 javë kështu. Vëllai po përmirësohej dhe mjekët I kishin thënë që së shpejti mund të rikthehej në punë. Unë mezi prisja të kthehesha në Shqipëri. Nga ai nuk kisha marrë asnjë email, por as I kisha shkruar. 4 ditë përpara se të largohesha, ai u kujtua sërish. Më çoi një foto të djalit të tij, që I ngjante shumë. Në email shkruante: “Aleksi është dashuria e vetme që kam në Itali. E vetmja. Çdo gje tjeter eshte pasoje.”

E shava nëpër dhëmbë. Nuk I ktheva përgjigje. Disa orë më vonë, më çon një foto timen që e kishte shkrepur gjatë asaj fundjave. “Kurse kjo është dashuria e vetme që kam pasur ndonjëherë.” Në fund vendos një smiley të mërzitur.

Nuk I shkrova prapë. Vonë në darkë, rreth orës 12 të natës, ndërsa unë lundroja në internet për të hequr mendjen (Pasi e kisha lexuar mbi 20 herë emailin e dytë) ai më shkruan në chat-in e gmail-it. “Cfarë po bën?”

Nuk iu përgjigja. Ai vazhdoi: “Kuptoj. Edhe unë mirë jam”

Vazhdova të mos I përgjigjesha. Ai vijoi sërish: “Jo, jo kuptoj. Ke të drejtë. Gjithsesi, Google nuk të merr para, nëse shkruan. E ke falas.”

Heshta. Ai: "Po ti je që je online, shfrytëzoje internetin për miqtë e vjetër."

“Trapa të vjetër” e kishe fjalën. Iu përgjigja. Ai më dërgoi një “Looooollll” të gjatë.

Deri në 4 e gjysëm të mëngjesit kemi folur atë natë.  Më rrëfeu gjithë historinë e tij dhe nuk e di pse u qetësova. Nisa ta dëgjoja më shumë se mike, sesa si dashnore e zemëruar. Të nesërmen në orën 10:00 ai vjen poshtë apartamentit me ëmbëlsira.

“E di që këto ëmbëlsira nuk zgjidhin asgjë, por thonë se sheqeri u bën mirë femrave.”

“Pse kështu?”

“Zëvendëson shijen e hidhur që kanë nga meshkujt.” Më nguli sytë dhe dukej sikur po lotonte. Ndenjëm aty në rrugë pa folur për disa minuta. Më pas, më puthi në qafë, në faqe, në hundë. “Po iki të bëhem burrë, se do lë nam këtu.”

Që atë ditë nuk e takova më dhe as nuk fola më. Por më ndodhi diçka e çuditshme sapo arrita në Shqipëri. U riktheva njeriu më I lumtur. Sytë e tij të përlotur në mënyrën më të pashpjegueshme më sollën një gëzim të jashtëzakonshëm. Isha çliruar. Merrja frymë thellë. E kujtoja dhe nuk më ndodhte asgjë. Kujtoja fytyrën e tij dhe ishte dy-dimensionale. Kujtoja fundjavën dhe ndihesha njësoj sikur të ishte romanca e një shoqes sime. Kujtoja momentin kur më tha se kishte fëmijë dhe në vend të mërzitesha, buzëqeshja kur kujtoja fytyrën e qeshur të të birit. Me sa duket kaq doja! Gjithë ato vite, në nëndërgjegje isha burgosur brenda një pikëpyetje të madhe. Tani që e kisha zgjidhur pikëpyetjen, nuk kisha asnjë interes. Siç duket kurioziteti në avion, ishte vërtetë aq: Kuriozitet. Nuk ishte dashuri, nuk ishte mall. Ai s’më përkiste më. Kishte kohë që s’më përkiste. Por unë sa kohë kisha humbur duke u varur pas një pikëpyetje të madhe. Dhe tani, pas përgjigjes, s’më interesonte më. Madje nisi të më vinte keq që ai u prek kaq shumë kur u largova. Por edhe kjo kaloi. Një muaj u desh dhe e harrova. E skedova në ato dosjet “domethënëse” të jetës sime dhe e mbylla sirtarin. Nuk ka si çlirimi!

(Kosova Sot Online)