Ngjarje e vërtetë: E zënë rob në martesë (7)

  • 11 maj 2019 - 12:37
Ngjarje e vërtetë: E zënë rob në martesë (7)

Unë e di çka do të thotë të kesh fëmijë. Nuk e kam ndërmend që ta sakrifikoj jetën time për një të qarë të fëmijës. Të kam thënë se të dua vetëm për veten time, kështu që nuk dua të të ndaj as qoftë edhe me një fëmijë.

Ti je bashkëshortja ime, je e imja. Ku e more idenë se do të doja fëmijë? - më tha ai, duke u sjellë sikur t'i kisha propozuar udhëtim në Mars, e jo një gjë e cila është e rëndomtë në martesë. - Nëse më do... - thash e hutuar, meqë nuk isha përgatitur për një kundërshtim të këtillë.

- Dashuria është një gjë, e të qenit prind një gjë krejt tjetër. Si nuk të ka shkuar në mend se jam tepër i vjetër që ta luaj rolin e prindit për një foshnje? Pse do ta bëja një gjë të tillë? Që të dukesha si kloun? Nesër-pasnesër fëmija im do të ndihej keq, meqë të tjerët do të mendonin se unë jam gjyshi, e jo babai i tij. Të dua, por nuk dua fëmijë me ty. Kam menduar se as ti nuk do fëmijë, meqë kurrë nuk e kemi diskutuar këtë temë. A e di se çka kam kuptuar përgjatë viteve? - më tha ai, duke u kthyer kah unë, me një buzëqeshje të cilën kaherë nuk e kisha parë te ai.

- Çka? - i thashë. - Jeta thjesht është tepër e shkurtër që ta harxhoj në diçka që nuk dua. Fëmijët i kam, paratë po ashtu, e jeta është aq mashtruese. Dua që ta shijoj jetën dhe çdo gjë t'ia nënshtroj vetes, askujt tjetër. Më fal nëse të kam zhgënjyer, por do ta kuptosh se kam të drejtë - më tha, duke e hequr pallton dhe duke ma dhënë mua. Kisha mbetur si e ngrirë. Edhe një dështim tjetër në jetë nuk duhej që të më habiste kaq shumë, por më habiti. Kisha pritur diçka krejt tjetër, por do të duhej të isha mësuar se pritjet e mia nuk janë të realizueshme.

- Unë megjithatë dua të kem fëmijë - thash e dëshpëruar. - Jo - më tha ai me vendosmëri. - Kjo nuk vjen në shprehje. Më duket se isha mjaft i qartë. Mund të të ofroj krejt çka të duash. Kam vendosur që të mos punoj më kaq shumë, që një pjesë të punëve të mia t'ua dorëzoj ndihmësve të mi. - Çka do të bëhet me mua? - E pyeta me sy të përlotur. - Vet ke dashur një jetë të këtillë. Atë që unë kam krijuar tërë jetën, ti e fitove falë bukurisë tënde.

Para ke sa të duash, si dhe çdo gjë që mund të blihet me para. - Unë nuk do të pajtohesha me një konstatim të këtillë. Shumica e dëshirave të mia janë… - Rritu! - më tha Roberti me nervozizëm. - Jeta nuk është e ngjashme me ëndërrimet fëmijërore, e as me ëndrrat e një vajze të re. Ajo është krejt diçka tjetër. Pse dëshiron fëmijë? - më befasoi me pyetjen e tij, e unë nuk mund t'i thosha se çka mendoja. - Nuk ka rëndësi - thashë duke e vendosur pallton në orman. Përsëri shkova në banjë. Kur u ktheva, ai tanimë flinte. Ndjeva një lehtësim.

Dukej se ishte tepër i lodhur që të merrej me trupin tim, e kjo mua më konvenonte. Mundohesha që të gjeja rrugëdalje nga kjo situatë, por nuk arrija. Pa marrë parasysh çka mendoja, sërish e gjeja veten në një labirint pa rrugëdalje. Mua më është dashur që të mendoj ndryshe, në një mënyrë tjetër, ndërsa që fjalët e babait tim dolën të janë të vërteta.

Bashkëshorti im sipër meje kishte hedhur një rrjetë të dendur dhe gjithnjë e më shumë po më shtypte. A isha unë viktimë e ëndrrave të mia, ashtu siç ai dëshironte ta përshkruaj? A më ka pushtuar vëmendja e tij e dikurshme që e tregonte për mua. (vijon)

(Kosova Sot Online)