Roman dashurie: Kur e shijon dashurinë (107)

  • 13 May 2019 - 14:53
Roman dashurie: Kur e shijon dashurinë (107)

Duart e mia kapën fustanin e zi, të cilin e kisha veshur për funeralin e Gabby-t dhe ndihesha mirë që, deri atëherë, nuk kisha qarë atë ditë. Kishte aq shumë lot që kishin rënë në dhomën e spitalit, në veturë, dhe në shtëpi. Prandaj, i premtova vetes se do ta bëja më të mirën që, në kishë, të isha e fortë. Kur të tjerët do të jepeshin, unë do të isha e fortë, për ta. Shërbimi kishtar vazhdonte dhe të tjerët tanimë kishin qarë shumë. Isha ulur midis Hailey-t dhe Rebecca-s në rreshtin e parë. Rebecca nuk kishte thënë shumë që nga aksidenti, por unë ia shtrëngoja gjurin, në shenjë ngushëllimi. Isha përpjekur tepër për t'i lexuar emocionet e saj. Ajo do të duhej të ndihej fajtore pse e kishte përzënë Ryanin. Pse e kishte izoluar në atë mënyrë. ajo do të donte që vetë të kishte qenë në veturë, e jo djali i saj. Ajo do të duhej të ishte e vdekur përbrenda. Por, fajësimi nuk i bën mirë askujt. Jo sot. Erdhi koha që njerëzit të mbanin fjalime të shkurtra rreth Ryanit dhe jetës së shkurtër që kishte bërë ai në këtë botë, ku disa thanë shaka, e të tjerët derdhën lot.

U ktheva kah Hailey, e cila më parë më kishte thënë se kishte planifikuar t'i thoshte disa fjalë, por shikimi i saj u ul poshtë. "Nuk mundem... nuk mundem". Ajo i fshiu lotët dhe u ngrit, duke dalë nga kisha. Nuk dija a të shkoja pas saj, apo t'i ndihmoja Rebecca-s, e cila kishte filluar të dridhej gjithnjë e më shumë. frymëmarrja e saj filloi që të bëhej jo e rregullt dhe më dukej sikur atë ishte duke e kapluar një atak i panikut. Duke e afruar gojën time te veshi i saj, i thash: "Ai të ka dashur, ende të do. Nuk është marre të qash". Lotët i rrodhën faqeve dhe ajo pohoi me kokë, derisa frymëmarrja filloi t'i rregullohej.

U ktheva dhe pashë se Jake rrinte ulur në një stol, me shikimin e fiksuar kushedi ku. Ia bëra me dorë. Ai ma ktheu me të njëjtën mënyrë, para se të shkonte për ta kontrolluar Haileyn. Atë Evans ftoi folësin e fundit dhe kur e pash Danielin duke shkuar, sikur mu ndal fryma. Sytë e tij ishin të skuqur nga vaji. Ai e futi dorën në xhep dhe nxori një copë letër, duke e shpalosur atë. "Nuk e dija a do të mund të dilja këtu sot. Ryanin e kam njohur vetëm për një semestër, por kush e ka njohur atë, e di se mjaftonte një ditë, që të bije në dashuri me atë djalë. Ai dinte të bënte shaka, por gjithmonë shaka të mençura, ishte një fëmijë kaq inteligjent. Kur shkroi hartimin e parë në lëndën time, kuptova se sa të thella dhe komplekse ishin mendimet e tij..." Danieli u ndal, duke e pastruar fytin, duke u përpjekur që të mos qante. Por, nuk ia doli. Lotët e mundën. "Më falni", tha ai, duke u larguar me të shpejtë. Por, më pas ai u kthye. Sytë i kishte edhe më të kuq se përpara. "Në fillim të vitit e kishim një detyrë... kisha kërkuar nga studentët që të thoshin diçka për veten e tyre, me vetëm pesë fjalë. Kush do të donin të ishin. Dhe, e kam ruajtur letrën e Ryanit, të cilën dua t'ua lexoj". (vijon)

(Kosova Sot Online)